#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
#edielashqiptare #arditgjebra #manjola #lush #flora #dhune #itali #divorc #nene #femije #bashkeshort #vjeherr #vauidejes #londer #zoteria
Pësoi aksident pas dhunës nga nëna, Manjola: Ndenja 7 ditë në koma
Manjola është vajza e madhe e një familjeje me pesë fëmijë, tri vajza e dy djem. Kujtimet e lidhura me historinë e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan nisin rreth moshës 7-vjeçare. Manjola rrëfen me keqardhje sesi nëna ushtronte dhunë ndaj saj vetëm pse nuk pranonte të bënte punët e shtëpisë.
Një ditë, pasi kishte ikur për t’i shpëtuar dhunës dhe kthehet në shtëpi, Manjola pëson një aksident prej të cilit ra një javë në gjendje kome.
Manjola: Historia ime vazhdon që në moshën 7 vjeçe kur unë kam vazhduar të kuptoj. Një ditë, ditë e diel që të nesërmen vazhdoja klasën e parë, më thërret mami si nënat që “vazhdo bëj punët se do të shkosh në derë të huaj” dhe unë si fëmijë 7 vjeç thosha që jo nuk mundem, pse vetëm unë? Si të gjithë fëmijët që më thërrisnin shokët, shoqet “hajde se do të luajmë” dhe kur unë i shikoja që luanin ata dhe unë përfshihesha në punët e një familjeje…më rreh dhe unë për t’i shpëtuar, iki.
Ardit Gjebrea: Kjo ishte hera e parë që të rrihte mami?
Manjola: Mbase këtu më kujtohet mua, do të ketë ndodhur më përpara, nuk e di. Aty largohem se aty kisha babin me bagëti. Kur kthehemi, para se të errësohe,j në shtëpi rrija gjatë gjithë kohës mbrapa babit nga frika se mos më rrihte mami. Aty më thërret, më thotë që “hajde se nesër do të vazhdojë shkolla, klasa e parë dhe të të blej një palë sandale”. Unë thosha jo se ti do të më rrahësh. Më thoshte “jo nuk do të të rrah, hajde se është ky xhaxhi këtu që të blejmë sandale”. Unë kundërshtova, deri në fund që e pashë vendosa të shkoj. Në momentin që shkoj, ishte një e tatëpjetë, më hyn diçka në këmbë se isha zbathur, kisha ikur zbathur nga shtëpia. Ulem për të hequr gjembin, çfarë më kishte hyrë në këmbë, aty më vjen një karrocë me gjithë kalin që më kap kali, më fut poshtë karrocës dhe aty nuk mbaj mend asgjë. Më çon në Lushnje babi, nga Lushnja në Tiranë. Në Tiranë kam ndenjur 7 ditë në gjendje koma. Tha doktori që “fatmirësisht nga mosha që ka, që është në zhvillim, nuk ka probleme”.
Edhe pas kësaj ngjarjeje, Manjola rrëfen se dhuna prej nënës nuk u ndërpre.
Shpëtoi nga dhuna e nënës, martesa e çon në torturë: Më rrahu me zorrë uji kur isha shtatzënë!
Nga fëmijëria Manjola mban mend episode të vazhdueshme dhune prej nënës. Ajo tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” për frikën që ndiente, edhe kur ishte e rritur tashmë dhe nisi studimet e Infermierisë. Pas një tjetër dite kur e ëma e rrahu për shkak të vonesës, Manjola tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan si vendosi të pranonte propozimin për martesë të një djali, vetëm për t’i shpëtuar dhunës.
Manjola: Aty njihem me një djalë që jep pëlqim ndaj meje, unë nuk kisha një pëlqim ndaj atij. Bashkë me shoqërinë dilnim shpesh që të pinim kafe dhe ky që vazhdonte gjithmonë të më shprehte që unë dua të të marr, dua të krijoj një familje dhe unë isha ajo që nuk doja.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?
Manjola: Te të 18-at, 19-at. Një ditë, aty nuk kapa autobusin e parë për t’u kthyer në shtëpi, kap të dytin. Nga ora 2, kthehem nga ora 3:30-4:00 e pasdites në shtëpi. Më pret mami te porta, “ku ishe” dhe me fjalë banale dhe kur futem brenda në shtëpi, më rreh, me pec, me okllai dhe më bëhet kurrizi komplet lejla dhe këmbët nga mbrapa. Të nesërmen ngrihem, shkoj në shkollë, nuk futem në mësim, pres që të vijë ky djali se ky ishte nga Patosi i Fierit dhe i them është akoma ai mendimi yt i mëparshëm sepse unë jam e gatshme të vij në shtëpinë tënde?
Ardit Gjebrea: Pra a është akoma i vlefshëm propozimi që më ke bërë.
Manjola: Po.
Ardit Gjebrea: Dhe ai thotë?
Manjola: “Po, patjetër”. Nga ai moment iki me atë djalin.
Dy familjet bisedojnë, bien dakord dhe pavarësisht se e ëma i tha që mund të kthehej në shtëpi, Manjola nuk pranoi. U vendos që brenda atyre ditëve të bëhej edhe dasma që të heshtnin ‘gojët e liga’ dhe me kaq, Manjola u bë nuse e asaj shtëpie, pa e ditur se çfarë e priste.
Manjola: 3-4 ditë, mund të them një javë kalon, jemi duke shikuar një program në televizor të gjithë si familje dhe zotëria që më thotë duhet të imitosh këtë aktorin.
Ardit Gjebrea: Ah, ishte një aktor?
Manjola: Po.
Ardit Gjebrea: Si duhet ta imitosh?
Manjola: Duhet ta imitoja siç bënte ai, duhet ta bëja unë këtu.
Ardit Gjebrea: Po pse?
Manjola: Nuk e di. Dhe si unë, isha një nuse që 3 javë kisha që i njihja, më vinte zor që të bëja përpara vjehrrës dhe vjehrrit diçka të tillë siç po bënte ai se ishte një tip humori. Ishte kunati, kunata, më vinte zor ta bëja këtë pjesë. Them jo, nuk mundem. Zotëria ngrihet, merr një dërrasë dhe më qëllon.
Ardit Gjebrea: Ky ishte momenti i parë i dhunës?
Manjola: Po.
Ardit Gjebrea: Po familja çfarë bëri?
Manjola: Ngrihet e ëma, të ëmën e ka pasur me një këmbë dhe më thotë “qafsh nonën, bëje, nuk ka asgjë turpi”.
Ardit Gjebrea: Të thotë ty?
Manjola: Po.
Ardit Gjebrea: Mendova se mos do t’i thoshte djalit ‘qafsh nonën,mos i gjuaj, por të thotë ty qafsh nonën, imitoje”.
Manjola: Imitoje që mos të më gjuante më. I ati që thotë “çfarë i bën vajzës, çfarë të bëri?” Dhe unë i them që nuk mundem, më vjen zor që ta bëj këtë pjesë. Ai aty vazhdon akoma më shumë dhe më thotë që “ty të pëlqen që të qash mamin tim” sepse ajo më tha që “qafsh nënën bëje këtë gjë”.
Ardit Gjebrea: Dhe të gjuajti akoma.
Manjola: Po. Aty bie pa ndjenja.
Pas disa muajsh ‘zotërisë’, siç e quan Manjola, i vdes nëna dhe brenda 40 ditëve, edhe i ati. Në fund të kësaj periudhe, ajo zbulon që ishte shtatzënë. Me gjithë ngulmimin e zotërisë që ta hiqte fëmijën, Manjola vendos ta mbajë. Një ditë, ndërsa shkuan në Fier për të bërë vizitat mjekësore, një dëshirë e saj u kthye në dhunë brutale.
Manjola: Kalojmë te një që bën sufllaqe. Ishin disa njerëz, jo vetëm një person dhe them që unë dua një sanduiç. Ai më thotë që “ti nuk do sanduiç, ty të pëlqeu ai djali atje”. I thashë jo se nuk është se është një, aty janë shumë. Thjesht mbase mua ma kërkon edhe shtatzënia, nuk kam kërkuar deri më sot, sot po ta kërkoj këtë gjë. “Okej”, më thotë, “se do të flasim”. E merr këtë sanduiçin, shkojmë në shtëpi. Aty merr një zorrë uji dhe më rreh.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë që ti ishe shtatzënë?
Manjola: Aty bie pa ndjenja, me hemorragji derisa më përmend kunati me gjithë nusen e tij dhe i vëllai që i thotë “çfarë bëre more budalla?” “Po lëre mor se kështu është mësuar kjo, nuk i bën përshtypje kjo pjesë”.
Ardit Gjebrea: Dhe i referohej dhunës që ti pësoje nga nëna jote?
Manjola: Po.
Pas këtij episodi, mes kërcënimeve të bashkëshortit, Manjola vendosi të largohej bashkë me djalin në shtëpinë e prindërve.
Kompromisi i kushtueshëm! E vërteta që zhyti Manjolën në 50 mijë euro borxh
Pasi i shpëtoi dhunës së bashkëshortit duke lënë pas torturën e dhimbjen, Manjola vendosi që ta lehtësonte familjen dhe të largohej. Ajo la pas djalin, Ademin dhe u largua në Itali për të punuar. Pas disa kohësh, ia doli të siguronte një shtëpi dhe të merrte djalin me vete që të jetonin të dy.
Ky është një tjetër moment kalvaresh që ajo ndan me rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Shteti italian vendosi që ta mbyllte atë banesë dhe Manjola nuk kishte dokumente. E vendosur në vështirësi, ajo pranoi sërish të martohej me dikë që nuk e donte.
Fqinji i saj shqiptar, një i ve me dy fëmijë të rritur, i ofroi që nënë e bir të jetonin me të. Pas disa kohësh erdhi në jetë një fëmijë që Manjola mendoi se do ta lidhte familjen. Në të vërtetë do të zbulonte se të gjitha paratë që ajo kishte punuar dhe ia dorëzonte gjithnjë bashkëshortit, ishin zhdukur. Djali i dytë i diagnostikuar me spektrin e autizmit rrezikonte të mbetej pa shkollë e kujdes të posaçëm.
Manjola: Në 2023, në qershor unë djalin e vogël e kam me çrregullime autizmi dhe shteti italian i ka dhënë 300 euro në muaj si pension dhe për këtë pjesë se zotëria nuk punonte, punoja vetëm….
Ardit Gjebrea: Ah, nuk punonte zotëria!
Manjola: Mund të shkonte 2-3 ditë, pastaj thoshte “më dhemb këmba, më dhemb kurrizi, më dhemb krahu”.
Ardit Gjebrea: Pra të gjithë familjen e mbaje ti.
Manjola: Thashë meqë unë nuk ia dal dot se nuk është se marr milionat, nuk ia dal dot me shkollën e djalit sepse e kam çuar në një kolegj djalin atje, te ca murgesha sepse atje ka edhe ndihmën për këtë gjë që ka. Them meqë shteti ka vendosur 300 euro, unë nuk paguaja më shumë se 300 euro shkollën e djalit, mund t’ia lëmë që t’ia heqim nga pensioni i vet. Kështu vendosëm, vendosa unë me mendjen time. Në qershor 2023, më vjen një letër nga shkolla që Manuel nuk mundet që të vazhdojë shkollën më në shtator.
Ardit Gjebrea: Pse?
Manjola: Sepse nuk ishte paguar shkolla për 1 vit. Shkoj në shtëpi, i them zotërisë, zotëria thotë që “i tërhoqa për të paguar këtë”, nuk e di se çfarë ishte “këtë” sepse nuk thoshte diçka, p.sh., pagova një biletë, por thoshte “këtë”, si ka mundësi thoshte? Nuk është pak, është 1 vit, janë 2650 euro për të paguar. Unë që detyrohem, marr një kredi dhe nuk ishte e para kredi që unë merrja në Itali, paguaj shkollën e djalit dhe flas me prindërit.
Ardit Gjebrea: Me prindërit e tu?
Manjola: Familja ime ishte në Itali.
Ardit Gjebrea: Pra ishin spostuar, kishin ardhur në Itali?
Manjola: Po.
Ardit Gjebrea: Po kur i the edhe për të dytin që unë s’mundem më, të paragjykuan?
Manjola: Në fillim më thanë “do të bësh mirë që ta lësh” sepse unë kisha 50 mijë euro borxh te bankat italiane, merrja për të paguar borxhe të tjera që m’i linte zotëria. Manjola mori vendimin për divorc dhe thotë se tani jeton e lumtur me dy fëmijët e saj.
“Iku në moshën e trëndafilit”/ Historia pas tatuazhit që parandaloi tragjedinë
Një tatuazh me trëndafila në kraharor është një tipar që tërheq menjëherë vëmendjen te Manjola. Gjatë rrëfimit në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo ndalet edhe te kjo pjesë e rrëfimit për të treguar kuptimin pas tij.
Motra e ish-bashkëshortit të dytë, historinë me të cilin e ndau me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ndërroi jetë gjatë Covid-it në moshën 28-vjeçare. Tatuazhi origjinal nuk ishte një trëndafil, por e kundërshtuar dhe e kërcënuar nga familja e ish-burrit, Manjola vendosi ta mbulonte.
Manjola: Kur ka dalë pjesa e Covid, në 2019-2020 më kujtohet, zotërisë i vdes një motër.
Ardit Gjebrea: Tëparit apo të dytit?
Manjola: Të dytit.
Ardit Gjebrea: I vdes një motër.
Manjola: 28 vjeçe.
Ardit Gjebrea: Me të cilën ti shkoje shumë mirë.
Manjola: Shumë. Flas me zotërinë dhe i them që unë kam këtë dëshirë që për kujtimin e asaj dhe si kam shkuar unë me të, kam dëshirë që t’i bëj një krah engjëlli në kraharor, në krahun e zemrës, me emrin e saj të shkruar dhe zotëria që më thotë “bëje”.
Ardit Gjebrea: Dhe ti e bëre.
Manjola: Pas dy ditësh që kam bërë tatuazhin, më shikon njëra nga kunatat dhe flasin të gjitha. Në atë kohë, djali i zotërisë ka qenë te shtëpia e vëllait të tij dhe vjen një ditë poshtë te ne, te familja e tij dhe i thotë “thuaji babit t’i thotë gruas së vet që atë tatuazh që ka bërë në kraharor, o ta heqë, ose unë do të vij t’ia heq me thikë”.
Ardit Gjebrea: Po pse duhet ta hiqje?
Manjola: Sepse mua nuk më takonte ta bëja tatuazh se s’e kisha gjë. U inatosa shumë për këtë pjesë se thashë unë mund ta shkarravis trupin tim për çfarëdo gjëje dhe nuk pyes njeri, kur unë të pyeta ty dhe ti nuk më the diçka, të tjerët nuk i pyes. Aty ishte djali im, Ademi, më thotë që “ma, për një tatuazh mund të ndodhë një tragjedi, mund ta heqësh”?
Ardit Gjebrea: Dhe ti e mbulove dhe e bëre një trëndafil.
Manjola: Për t’i dhënë një kuptim engjëllit, bëra dy trëndafila që iku në moshën e trëndafilit.
“Për 38 vite jeta ime ka qenë një gënjeshtër”, Manjola surprizon vjehrrit
“Për 38 vite jeta ime ka qenë një gënjeshtër”. Me këtë fjali, drejtuesi i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan prezantoi në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”, Manjolën.
Vetëm në fund të rrëfimit të saj mund të kuptohej pesha e kësaj fjalie. Në fëmijëri dhe deri në moshën 18-19 vjeçare, Manjola kishte njohur dhunën e nënës. Martesa e parë qe veç zgjatim i kësaj dhune. Bashkëshorti i dytë me të cilin u martua për shkak të rrethanave të pafavorshme, e zhyti në borxhe.
E shkëputur edhe nga kjo martesë, ajo tashmë ka krijuar një jetë me dy djemtë e saj. Me kohën, Manjola mundi ta hapte sërish zemrën. Një kontakt përmes Instagram solli në jetën e saj Arturin, njeriun që la Anglinë për t’u vendosur krah saj në Itali. Familja e Arturit është kthyer në të tillë edhe për Manjolën, e cila ka gjetur te Flora dhe Lushi ngrohtësinë e munguar për 38 vite.
Manjola: Ba! Ma! Ju kam bërë këtë surprizë për t’ju falënderuar që më bëtë pjesë të familjes suaj, që më keni falur këtë dashuri që unë deri në 38 vite nuk e kam përjetuar siç po e përjetoj tani. Sa herë që flasim dhe më thua “zemër, a u lodhe, a ke ngrënë, a ke pushuar”, nuk kisha ndryshe sesi mund të falënderoja. Ju dua shumë!
Flora: Edhe ne të duam shumë! Shumë faleminderit moj Lola! Të duam si vajzën tonë! Me gjithë zemër, me gjithë shpirt!
Lush: Të falënderoj! Kënaqësia është e madhe! Edhe ngarkesa shpirtërore është e madhe për kujdesin që ke treguar, për çdo gjë!
Flora: Jemi mirënjohës shumë ndaj teje!
/tvklan.al