#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #elena#oli#itali#shkolle#vjedhje#portofol#autobus#nene#bije#stolije

U nda nga djali në ditëlindjen e saj, Elena: Dhurata më e keqe e jetës time

Ndarja nga fëmijët është shumë e vështirë për prindërit. Një rrëfim i këtij lloji vjen në “Ka Një Mesazh Për Ty” përmes Elenës, e cila është nënë e një vajze dhe një djali. Familja prej 4 personash jetonte në Korçë por vendosën që djalin ta dërgonin në Itali në moshën 15-vjeçare. Elena ndan një detaj interesant në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan: largimi përkoi me ditëlindjen e saj.

Njëkohësisht, vajza u shpërngul për studime në Tiranë dhe prindërit mbetën vetëm. Në vitin 2020,  ata u larguan drejt Italisë por kësaj here ishte vajza ajo që ndiente edhe më shumë mungesën e prindërve.


Elena: Në atë kohë që çuam djalin atje, vajza ishte ajo që erdhi në shkollë, në universitet, madje isha unë ajo që e nxiti të vinte në Tiranë.

Ardit Gjebrea: Nga Korça?

Elena: Nga Korça, po.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti kur nise vajzën në universitet, cili ishte momenti kur nise djalin…

Elena: Kur ne sollëm vajzën në Tiranë sepse vajza dhe djali ishin të dy shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe ai kur e mori vesh që ne kishim mbërritur në Tiranë, që ne e morëm në mëngjes, rritëm, atij i ra të fikët.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Elena: Po, nga ajo që nuk ishin ndarë asnjëherë me njëri-tjetrin. Pastaj kur jam ndarë me vajzën e më ka thënë “mirupafshim mami”, e putha, e përqafova dhe nuk e ktheva kokën pas sepse sytë e mi u mbushën me lot dhe unë nuk doja dhe nuk kam lejuar deri sot që fëmijët e mi t’i shikonin sytë e mi të mbushur me lot se në qoftë se ata shikojnë qoftë një pikë loti në sytë e mi, ata qajnë.

Ardit Gjebrea: Po kur përcolle djalin?

Elena: E njëjta gjë edhe me djalin. Ishte një ditë që unë kisha ditëlindjen dhe atë ditë ishte dhurata më e keqe e jetës time për ditëlindje.

Ardit Gjebrea: Pra ditën e lindjes ti përcolle djalin.

Elena: Po, unë u ndava nga djali. Pastaj ne vendosëm në 2020-ën të iknim në Itali duke qenë se kishim djalin larg dhe vajzën në universitet, ne mbetëm vetëm.

Ardit Gjebrea: Nuk ju shkoi ndonjëherë mendja ta marrim vajzën në Itali?

Elena: Një ditë të bukur, “o ma” thotë, “kur juve ikët, kur nuk jeni ju unë çohem natën nga gjumi, më kap ankthi dhe nuk mbushem dot me frymë”. Atë moment unë nuk u ndieva mirë. U ndieva jashtëzakonisht shumë e lënduar sepse kishim rendur gjithmonë pas djalit se është më i vogël, por nuk e kisha menduar kurrë këtë pjesë dhe mua kjo pjesë më vrau jashtëzakonisht shumë.

Nga Rama te Meloni, ‘trokitja’ e Gjebreas për Olin: Thirrja kryesore është për ‘mjeshtrin’ e çantave

Elena ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për vajzën e saj, Stolinë ose Olin siç i thërrasin. Prej disa kohësh Oli nuk jeton më me familjen në Itali pasi nuk gjeti mundësitë që dëshironte në qytetin e vogël ku ata janë vendosur dhe vendosi të kthehej. Megjithatë, malli për të dyja palët është mbytës.

Vetëm pak ditë më parë, Oli ka humbur edhe dokumentet italiane. Elena tregoi gjatë rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se ngjarja ndodhi në autobus ku vajzës i kishin vjedhur portofolin. E gjithë situata ka shkaktuar një mërzi shumë të madhe tek ajo ndaj nëna ka ardhur për t’i shprehur mbështetjen e saj.


Elena: Të keqen mami, mos u mërzit. Unë kam ardhur këtu sepse të pashë që ishe shumë e mërzitur. Të të tregoj që unë jam gjithmonë pranë teje, që gjithçka do rregullohet dhe më e rëndësishmja është që ditën që ty të humbën dokumentet unë të kam thënë që rishikoje edhe njëherë që të kthehesh përsëri tek ne në Itali, jo në qytetin ku ne jetojmë, nuk është e domosdoshme që ti të vish atje sepse është qytet i vogël dhe mundësitë i pamë sa ishin, por mundesh ta rishikosh për në qytete të tjera. Nuk pres pëgjigje sot, nuk pres përgjigje as nesër, as pas një muaji, por po pres nga ti vetëm që ta rishikosh dhe të të them që të dua shumë sepse thua gjithmonë që doni djalin, por surprizën më të madhe ta kam bërë ty.

Gjatë bisedës me moderatorin Ardit Gjebrea, Oli shprehet se e mendon rikthimin në Itali. Megjithatë, Gjebrea ka disa ide se si mund që ajo të qëndrojë ende në Shqipëri dhe nis të ‘trokasë’ në disa dyer. Në fund, mbetet gjithnjë ‘dera’ që do e dërgonte Olin pranë familjes së saj. Thirrja e tij kryesore mbetet për personin që ka marrë dokumentet e Olit.

Ardit Gjebrea: Unë nëse do të isha për shembull… Edi Rama në këto momente, unë nuk do të të kisha lënë të ikje, do të të gjeja menjëherë punë, do të të merrja në kabinet për atë që ti ke bërë dhe realisht nuk do të të lija. Po të isha një ministër do të të kisha marrë, kupton? Për aftësitë që ti ke. Ti ke studiuar për?

Oli: Për softëare developer.

Ardit Gjebrea: Domethënë menjëherë do të të kisha ofruar një mundësi shumë të mirë, por për më tepër edhe një biznes privat, por po të isha edhe Aleksandër Frangaj qoftë, pra unë po u bie disa dyerve për të mos të të lënë për të ikur. Por më shumë nga të gjitha do doja të isha Giorgia Meloni, kryeministër i Italisë që të të kisha çuar pranë prindërve të tu. Unë uroj që të bëhet më e mira për ty, por në këto momente, thirrja ime kryesore është për atë ‘mjeshtrin’ e çantave. Të lutem, dokumentet e Olit nëse nuk i ke hedhur në kazan të plehrave, të lutem… Sa kohë u bënë?

Oli: Po bëhet gati një javë.

Ardit Gjebrea: Të gjejmë një mundësi dhe t’i rikuperojmë që mos t’i hapim kaq shumë punë Olit. Pastaj të tjerat rregullohen.

/tvklan.al