#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
Në timon me vdekjen, trauma që shenjoi jetën e Ervisit: Babi humbi jetën para syve të tij
Shoku më i mirë i Marios është vëllai i madh, Ervisi. Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ai përshkruan sakrificat e vëllait që ishte vetëm 13 vjeç kur emigroi për herë të parë në Greqi, përpjekjet për mos t’u dorëzuar në asnjë rrethanë, shembullin që ka përçuar si djalë, vëlla dhe bashkëshort, të cilat e bëjnë Marion të ndihet shumë krenar për të.
Momentet e vështira kanë qenë të shumta për Ervisin, por një prej tyre shënoi një pikë kthese. Mario tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për humbjen e të atit që ndodhi gjatë kohës kur Ervisi po e dërgonte në spital. Ajo humbje i shkaktoi ankth e panik dhe sërish e kaloi gjithçka i vetëm.
“Vëllai është përballur me shumë vështirësi, por një nga momentet më të vështira të jetës, ka qenë viti 2016, në mars. Prindërit e mi vendosin të shkojnë në Itali te vëllai për pushime sepse nipi im kishte ditëlindjen. Një gjë në fakt më thoshte në zemër që ta takoj babin patjetër para se të ikte sepse unë jetoja te kompleksi “Dinamo në një zonë tjetër dhe… vendos ta takoj babin. Kur e takova ishte duke fërkuar krahun dhe thoshte ‘sikur jam ftohur një çikë o djalë.’ Nuk e di, kisha një ndjesi të çuditshme sikur nuk do ta shikoja më, Ardit. Ka qenë një moment shumë, shumë i vështirë. Pasi shkuan atje, babi nuk u ndje mirë, kishte vajtur në një farmaci, kishte marrë një ilaç, pastaj një mbrëmje i thotë vëllait ‘dëgjo or djalë, më duket se do ta prish atë ditëlindjen e djalit, nuk do të kem mundësi të jem se nuk po mbushem dot me frymë’. Vëllai im që është gjithmonë i gatshëm për çdo njeri, jo më për prindërit e vet, i thotë ‘hajde dhe ikim në spital’. E merr në makinë dhe ishin këta të dy sepse menduam që do të ishte një shoqërim normal, do të bëhej një vizitë normale dhe kaq. Në fakt, ai ka qenë me një shpejtësi të madhe se kishte urgjencë normalisht, po e çonte në spital dhe babi pëson infarkt dhe i varet nga pjesa e timonit vëllait. Ka qenë periudhë shumë e vështirë, ishte i vetëm dhe duhet ta përballonte këtë moment i vetëm. Pasi u thirr ambulanca, babi nuk shpëtoi, ai humbi jetën aty. Kjo ka qenë edhe një traumë shumë e madhe në jetën e tij sepse ai për 3 vite është përballur me panik e ankth dhe duke qenë se mentaliteti i njerëzve ‘nuk mund të kemi ne burra të dobët, nuk mund të shfaqim dobësi’ apo qoftë edhe të shikojmë të takojmë një psikolog për ta folur situatën, për të shprehur atë që ndiejmë, atë që po kalojmë. E kaloi i vetëm. Patjetër që Rina ka qenë një mbështetje e madhe për të, por ka qenë një periudhë shumë e vështirë, një moment shumë i vështirë sepse ne kemi pritur 10 ditë derisa e kanë sjellë babin dhe në shtëpinë tonë ka pasur gjithmonë njerëz. Ky është një moment i jetës kur ti e kupton që vdekja ekziston vërtet sepse kur ndodh në vende të tjera, i vdekuri fle në shtëpinë e tjetrit thotë populli dhe nuk mund ta ndiesh dhimbjen që kalon një person tjetër nëse ti nuk e përjeton. Për 3 vite vëllai im e kaloi i vetëm këtë dhimbje shumë të madhe”, përfundon Mario.
“Uroj të jeni të dashuruar gjithë jetën!” Çifti feston dy festat e veçanta në “Ka Një Mesazh Për Ty”
Mario rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” një histori dashurie, jo të vetën, por të vëllait, Ervisit. Ai tregon se Ervisi është njohur me bashkëshorten, Blerinën apo Rinën siç i thërrasin qëkur ishte 14 vjeç. Ata janë bashkë prej 20 vitesh, të pandarë dhe ashtu hyjnë edhe në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, të kapur për dore.
Duke qenë se Rina feston 40-vjetorin që përkon edhe me përvjetorin e tyre të martesës, Mario ka vendosur t’i surprizojë duke i marrë nga aeroporti “Nënë Tereza” drejt e në studio për t’u dhënë një mesazh.
Mario: Vëlla, ti nuk ke kërkuar asgjë në jetë. Ke sakrifikuar gjithçka, ke bërë çdo gjë për familjen, ke qenë model i shkëlqyer për t’u ndjekur. Je kryefamiljar shumë i mirë, për burrë i mirë duhet të flasë Ministria e Brendshme, por je një vëlla shumë i mirë, je një djalë shumë i mirë, je ai njeriu me zemër të madhe që do të donte çdo njeri ta kishte afër. Prandaj, për t’ju shprehur mirënjohjen dhe për ditëlindjen që Rina ka gëzimin dhe Rina ka qenë ajo ëmbëlsia e shtëpisë sonë dhe për mbështetjen që të ka dhënë sepse ne, babi dy djem, vëllai dy djem, unë djalë, e vetmja gjë që na e zbukuroi shtëpinë ishte ardhja e nuses së vëllait, Rinës që ishte një dashuri. E kam si motër, ne të dy grindemi, por grindesh me njerëz që çmon dhe do kështu që e vetmja mënyrë për t’ju thënë që ju dua shumë, ishte t’ju rrëmbeja në Rinas dhe t’ju sillja këtu tek Arditi se e di që s’keni nevojë për asgjë. Uroj të jeni të dashuruar gjithë jetën, jeni të lumtur me dy çunat!
Blerina: Faleminderit, edhe ti! Unë të falënderoj, të kam si vëlla, jemi si motër e vëlla siç e them, jemi rritur bashkë. Faleminderit shumë!
Edhe njëherë “po”! Pas 20 vitesh Ervisi dhe Blerina betohen sërish për dashuri të përjetshme
Pas mesazhit të Marios kundrjet vëllait, Ervisit dhe kunatës, Blerinës në “Ka Një Mesazh Për Ty”, u duk se gjithçka mbaroi, të paktën për çiftin. Por ndërsa moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea u afrua drejt tyre dhe nisi të bisedonte me ta, pas shpinës nisi të ndodhte magjia.
Duke qenë se Blerina do të festojë 40-vjetorin që përkon me 20-vjetorin e martesës me Ervisin, ka qenë dëshirë e çiftit që të rifreskojë betimet e martesës. Ata u njohën kur ishin fëmijë, por vazhdojnë të jenë të dashuruar marrëzisht. Për këtë arsye, Mario ka vendosur t’i surprizojë duke realizuar betimin e tyre në programin më të dashur të së dielës.
Ardit Gjebrea: Yt vëlla na tha një sekret: që ju të dy jo vetëm që nuk ndaheni, por gjithmonë doni t’i bëni premtimet e dashurisë njëri-tjetrit, e vërtetë?
Blerina: Po.
Ervis: Kemi një javë që zihemi, thotë pse s’më puthe kur u martove me mua, por më takove?
Blerina: Para 20 vjetëve.
Ervis: “Pse s’më puthe thotë aty po vetëm më takove?” I thashë ndoshta koha.
Ardit Gjebrea: Zëre se jemi 20 vite para dhe ju do t’i ribëni njëri-tjetrit. Do të donit që t’ia bënit premtimet njëri-tjetrit?
Të dy njëzëri: Po.
Ardit Gjebrea: Jepi dorën, por duhet të ktheheni pak këtej.
Kur Ervisi dhe Blerina shohin ndryshimin e skenës dhe pastor Altin Kitën që i pret, mrekullohen. Megjithëse në studio ka dëshmitarë mjaftueshëm, ashtu si teleshikuesit që dëshmojnë dashurinë e tyre, falë teknologjisë, bashkohen edhe familjarët e tyre në ekranin e madh. Pastori merr fjalën duke bërë një përmbledhje të dashurisë së tyre.
“Do e ripërkushtojmë dashurinë tuaj që filloi kur ishit fëmijë, si e ndau Mario dhe sot duket sikur nuk na habit më asgjë në këtë kohë se çfarë s’kemi parë, çfarë s’kemi dëgjuar, por një dashuri që ka rezistuar 20 vite, me sfida, me ulje, me ngritje është e rrallë, plus 7 të tjera dhe më ngjan me një përshkrim që thotë Bibla:
‘Dashuria është e durueshme, nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq. I duron të gjitha, beson të gjitha, shpreson të gjitha, mban çdo gjë. Dashuria nuk ligështohet kurrë’.
Kjo lloj dashurie na duhet akoma dhe sot dhe sa mirë që ju kemi juve si model dhe jemi gati ta ripërkushtoni e ta zmadhoni këtë gjë. Ervisi dhe Blerina, para 20 vitesh, kur u martuat atëherë dhe e patë njëri-tjetrin në sy dhe s’e di sesi ia thatë premtimet njëri-tjetrit, por ishit të vegjël dhe nuk e di a e dini çfarë priste. Ama në këto 20 vite, jeni gati për të ripërkushtuar dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe për të thënë edhe njëherë ato që i thatë para 20 viteve njëri-tjetrit”.
Edhe njëherë si 20 vite më parë, Ervisi dhe Blerina i thonë “po” njëri-tjetrit me gjithë zemër duke e korrigjuar ‘gabimin’ pasi e vulosin betimin me puthje.
Pastor Altin Kita: Ervis, a zgjedh sot edhe njëherë, me gjithë zemër, si atëherë për të qenë burri i Blerinës, por edhe miku i ngushtë i saj, por edhe mbrojtësi i saj, edhe partneri i saj, a pranon që do ta duash siç Krishti deshi kishën, me besnikëri, me sakrificë, me dashuri pa kushte derisa vdekja t’ju ndajë?
Ervis: Po!
Pastor Altin Kita: Blerina, a zgjedh ti sot edhe njëherë me një zemër plot mirënjohje për të qenë gruaja e Ervisit, por edhe partnerja e tij, edhe mikja e tij më e mirë, edhe fansja e tij më e madhe, a premton që do ta duash me gjithçka ke, me gjithë forcën tënde, me gjithë butësinë tënde, me gjithë besnikërinë tënde, përkushtimin e palëkundur ndaj tij në vitet që keni përpara derisa vdekja t’ju ndajë?
Blerina: Gjithmonë! Deri në frymën e fundit!
/tvklan.al