#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #arditgjebrea #brunildamani #angli #kosove #kalvar #vuajtje #avokat# #gretasmoqi #pasaporte #identitet
Nga gomonet e kamionët në malet e Kosovës: Familja kalon 25 vite në hijen e padukshmërisë
Për 25 vjet, Brunilda dhe familja e saj kanë jetuar pa identitet. Të drejta të mohuara, të pazbatueshme që vetëm i jepnin hov kalvarit të vështirësive. Fëmijët nuk shkolloheshin dot, nuk merrnin kujdesin shëndetësor, nuk mund të lëviznin lirshëm sepse për autoritetet, nuk kishin ekzistuar kurrë.
Brunilda dhe djali i saj i vogël, Drini vijnë në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të rrëfyer si nisi gjithë kjo histori. Fjalën e merr Brunilda që tregon se në vitin ’97 ajo u martua në Malësi të Madhe. Një vit më vonë, bashkëshorti nuk lajmëroi askënd dhe vendosi të bëhej pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë pas Brunildën shtatzënë.
Kur ai kthehet në muajin gusht, familja s’e lejon më të largohet dhe vendosin të shkojnë në Londër. Nga gomonet në kamionë, Brunilda e quan mrekulli faktin që arriti t’ia dilte mbanë duke qenë 8-muajshe shtatzënë.
Brunilda: Unë isha 8-muajshe shtatzënë, vendosëm të shkojmë në Londër. Shkojmë drejt Vlorës, me gomone në Brindisi.
Ardit Gjebrea: 8-muajshe shtatzënë me gomone?
Brunilda: Me gomone. Pastaj mbërrijmë në Itali, rrimë disa ditë derisa gjetëm rrugën për Angli.
Ardit Gjebrea: Që ishte?
Brunilda: Që ishte me kamionë, e mbyllur rreth 16-17 orë, pa dalë fare. Dashtë Zoti më ndihmoi që mos ta humbja fëmijën, gjithë ai udhëtim, gjithë ajo vështirësi. Hyjmë në Londër. Në momentin që hyjmë në Londër, policia londineze na ndan në dy pjesë: mua më gjen banesën ngaqë isha shtatzënë dhe minorene dhe burrin e dërgojnë në kamp.
Në Londër, çifti u regjistrua si nënshtetas të Kosovës. Tashmë ishin bërë me tre djem të regjistruar me identitete të tjera në Angli, ndërsa në Shqipëri nuk pasqyroheshin në gjendje civile a në ndonjë dokument.
Në vitin 2005, familja kthehet në Kosovë dhe Brunilda tregon se me shumë vështirësi, ia doli që djali i madh, Sovrani të regjistrohej në shkollë. Për të marrë shërbimin shëndetësor ishte e vështirë dhe nevojiteshin një mori shkresash. Kufiri Shqipëri-Kosovë duke e përshkuar nga mali ishte kthyer në një rrugë thuajse të zakonshme.
Brunilda: Kalonim malin, djemtë kalonin malin bashkë me bashkëshortin, unë kaloja doganën që të kaloja pajisje të tjera. Ndjenjëm disa muaj, por ndërkohë djemtë humbin një vit shkollë sepse nuk mundja t’i fusja as në shkollë atje.
Ardit Gjebrea: U kthyet prapë në Shqipëri.
Brunilda: Po, shkaku i shkollimit të fëmijëve se thosha mos të më rrinë pa shkollë.
Ardit Gjebrea: Sa herë e keni bërë Shqipëri-Kosovë?
Brunilda: Të them të drejtën, 10 vjet e deri tani, mund të jenë bërë edhe një herë në 2 muaj, një herë në 3 muaj.
Ardit Gjebrea: O Drin çfarë kujton ti nga gjithë kjo?
Drin: Neve na binte të shkonim andej nga Dragashi për shembull. Ishte shumë… Shqipëria këtej, Maqedonia dhe Kosova, ishin malet më të larta.
Ardit Gjebrea: Kishe frikë?
Drin: Jo se kishim frikë se e bënim shpesh atë, u mësuam, por kishim frikë gjëra të tjera,mos na kapin, mbajnë e hajde shpjegoja si s’kemi dokumente, ndonjëherë s‘kuptonin, ishte zor të gjeje gjuhën e përbashkët. Ishte edhe rruga ekstrem e gjatë, s’është se i dinim rrugët. Mendonim po shkonim nga Kosova, por mos ia fusim nga Maqedonia, krejt tjetër vend, pastaj bëhu lëmsh.
Avokatja që u kthye në një mike, familja rigjen shpresën në luftën 25-vjeçare për identitet
Prej momentit kur vendosën të emigronin, Brunilda, bashkëshorti dhe tre djemtë e tyre janë përballur me një traumë të jashtëzakonshme. 25 vite ata kanë jetuar pa një identitet duke vuajtur pasojat e një zgjedhjeje. Siç tregoi Brunilda në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, kur shkuan në Angli në vitin 1998, u regjistruan si nënshtetas kosovarë për të marrë dokumentet, pa e ditur se ç’do të shkaktonte kjo më vonë.
Vitet në vijim kaluan mes Kosovës e Shqipërisë, pa lëvizur të lirë por përmes maleve. Fëmijët s’mund të shkolloheshin, të shkonin në spital, të kishin një jetë normale me të drejta të barabarta.
Në vitin 2016, Brunilda e provoi të merrte edhe azil në Kosovë, siç e këshilloi policia, por as kjo nuk funksionoi. Vendosin të kthehen në Shqipëri, në Shkodër kur bashkëshorti i përmend emrin e një avokateje që ndiqte në rrjetet sociale. Greta Smoqi i kishte ngjallur një fije shprese dhe ndjesia s’e kishte gabuar, por Brunilda ishte e papërgatitur për mirësinë që gjetën.
Brunilda: Se Greta po më bëhet një shoqe, se Greta po më ndihmon, pa asnjë lloj interesi, pa asnjë lloj pagese, unë këtë nuk do e kisha besuar.
Ardit Gjebrea: Vërtet?
Brunilda: Kurrë! Më dha shpresë kur unë s’kisha fare shpresë. Bisedonte shumë herë edhe me djemtë, sidomos me djalin e madh që ishte pak më i madh se këta dy të tjerët dhe e qetësonte edhe atë. Neve na u bë një mike, një psikologe, një shoqe, një motër.
Ardit Gjebrea: Të gjithë ishit dorëzuar?
Brunilda: Të gjithë ishim dorëzuar.
Ardit Gjebrea: Si e mori përsipër?
Brunilda: Kjo e mori përsipër se kur i tregova që ne vijmë nga kufiri dhe vijmë malit, vuajmë shumë të vijmë në Shqipëri.
Ardit Gjebrea: Çfarë ju tha Greta, do ta bëjmë këtë gjë?
Brunilda: Do ta bëjmë, do të jetë kohë e gjatë, do të jetë e vështirë.
Ardit Gjebrea: Analizën e ADN-së e bëtë?
Brunilda: E bëmë ADN-në, i morëm edhe certifikatat në Londër, origjinalet, duke deklaruar me ADN dhe dokumente që janë fëmijët e mi.
Ardit Gjebrea: Sa kohë ju mori gjithë kjo histori për ta rregulluar me Gretën?
Brunilda: Gjithë kjo histori me Gretën ka marrë mbi 4 vite e gjysmë!
Nuk pranoi asnjë qindarkë nga familja e Brunildës, avokatja përçon mesazhin e fuqishëm
Pikërisht atëherë kur u duk se për Brunildën dhe familjen e saj gjithçka kishte marrë fund dhe tre djemtë nuk do të gëzonin kurrë identitetin e tyre, trokiti një mundësi e re. Një avokate që dukej se e besonte profesioni e saj, besonte ligjin dhe nuk dorëzohej, e cila premtoi se s’do t’i linte vetëm e madje s’kërkoi as para, ia doli që t’i jepte fund 25 viteve sfiduese.
Pas 4 vitesh nga takimi i tyre dhe shumë pengesave, tre djemtë e Brunildës gëzojnë falë punës së Greta Smoqit, pasaportën shqiptare dhe njëkohësisht, të gjitha të drejtat që i takojnë çdo qytetari. Kjo është fitorja më e madhe për familjen ndaj Brunilda dhe djali i vogël, Drini kanë një mesazh të veçantë për Gretën në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Brunilda: Greta!
Greta: Zemër!
Brunilda: Falënderoj Zotin që të njoha, që arritëm deri këtu sot pas shumë e shumë viteve, vuajtjeve, sakrificave që kisha unë me fëmijët e mi! Të jam shumë mirënjohëse që këtyre tre djemve u bëre sakrificën e madhe për të pasur një identitet këtu në Shqipëri. Për mua ke një vend shumë të shenjtë, siç e di. Doja ta bëja këtë publike që njerëz si ti pata fatin unë ta kem!
Greta: Faleminderit shumë! Shumë faleminderit! Unë mendoj se kam bërë vetëm punën. Unë ushtroj profesionin tim si avokate prej vitesh. Çështja e Brunildës dhe e familjes së saj ka qenë një nga çështjet më të vështira që unë kam pasur si avokate, por i kam premtuar vetes që nuk do të hiqja dorë, por nuk mjaftoi kjo sepse unë kam pasur gjatë gjithëkohës besimin e tyre maksimal që unë do t’ia dilja. Edhe në momentin kur thoja që nuk mund t’ia dal ishte Brunilda që thoshte kemi besim te ty, ti do t’ia dalësh, ti do e zgjidhësh këtë gjë. Jam vërtet shumë e lumtur dhe eemocionuar që ne ia dolëm që djemtë e Brunildës të kishin të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese si shtetas shqiptarë. Faleminderit!
Ardit Gjebrea: Gjëja që na bëri përshtypje në gjithë këtë histori është edhe përtej gjithë zgjidhjes së kalvarit të vuajtjeve dhe të pabesueshmërisë së sakrificave që kanë bërë, sidomos edhe fëmijët, ishte edhe ana financiare, na tha që e ke bërë pa asnjë kontribut financiar.
Greta: Çdo njeri nëse e ka të mundur mund të ndihmojë, gjithsecili nga ne, me aq sa ka mundësi mund të ndihmojmë njëri-tjetrin. Bota do të ishte akoma më e bukur nëse të gjithë do të jepnim kontributin tonë, qoftë një gjë të vogël apo të madhe. Ndoshta për ne është e vogël, por për personin tjetër mund të jetë diçka shumë madhore.
/tvklan.al