Diell në E diela Shqiptare servir sot kompleksi “Bujtina e Diellit” në zonën e Baldushkut – Tiranë, në rubrikën “Quiz me 5 yje”. Sa do të ndriçojë sot me dijet e tij konkurrenti Glen Guxho, me pyetje të ndërtuara nga informacione të të gjitha fushave: art, kulturë,sport, kuriozitete… Po pjatat që do gatuhen…!? Të gjitha shqisat gati!

1290 euro fitoi konkurrenti i “Quiz me 5 yje” sot, një rekord ky i vendosur nga Glen Guxho. Të bujtur në “Bujtina e Diellit” me pamje çlodhëse, ushqim me produkte bio, gatim më shumë se i shijshëm, largohemi sot nga ky super destinacion.

Nuk është mbushur ende një vit qëkur Adelajda ka humbur vëllain e vetëm të cilit kishte vendosur që t’i jepte një mesazh inkurajues në program. Sot ka zgjedhur të ftojë prindërit Gjenovefa dhe Ruhi. Përse?

Humbja e një njeriu të dashur e ndryshon rrjedhën normale të jetës, të paktën për disa kohë. Atë mesazh që donte t’i jepte vëllait Adelajda zgjodhi t’ua japë prindërve, jo vetëm për t’i inkurajuar për të ecur përpara por mbi të gjitha t’u kërkojë falje për sjelljen e diktuar nga dhimbja e asaj kohe…

Mes të dashurve të zemrës nuk duhet të ketë hatër mbetje e as ngërçe të pa zgjidhura.

Në ditën e fundit të shkollës, një klasë maturantësh nga gjimnazi “Mylym Keta” në Tiranë, i janë drejtuar programit për shoqen e tyre Savina. Ajo është nxënëse ekselente por nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në mbrëmjen e maturës… Do arrijë të bindet?

Në albumin e kujtimeve të jetës, një pjesë e rëndësishme për Savinën do jetë edhe mbrëmja e maturës. Ajo u bind që të jetë mes shokëve e shoqeve deri në natën e fundit, me një fustan të bukur, zgjedhur prej dorës së saj për të përjetuar të njëjtat emocione si të gjithë.

Ne jemi çfarë hamë/ Blerina Bombaj na sjell sot një nga recetat më të veçanta të Prezës: revani me raki….

Vasilika dhe Kristina janë dy motra nga qyteti i Durrësit në konflikt me njëra – tjetrën për një pronë të babait të tyre prej 2400 m2 tokë. I ati i tyre ka patur tetë fëmijë nga dy martesa të ndryshme por trashëgiminë e pasurisë së tij po e gëzojnë vetëm dy djem.

Vasilika akuzon Kristinën se është bërë me palën tjetër duke u dhënë të drejtën e shfrytëzimit të pronës së tyre të përbashkët e duke i lënë gjithë të tjerët pa asgjë. Cila është e vërteta dhe a do arrijnë të pajtohen dy motrat nga kjo seancë ndërmjetësimi?

Alba Brahja një vajzë mjaft e qeshur luan sot në formatin “Të Panjohurit”. E panjohura e njohur Aurela Gaçe sjell sot energjinë që e karakterizon, humorin dhe padyshim do të na interpretojë një nga këngët e saj realizuar së fundmi. Misioni i këtij formati – zbulimi i identiteteve. Fillojmë nga ‘E panjohura nr1’

1000 euro për Albën, konkurrenten e “Të Panjohurit”. Nga 2000 euro të fitura pas zbulimit të identiteteve, për betejën e dytë të të afërmit misterioz, Alba përgjysmoi shumën dhe gjeti që Z.Kostë është babai i të Panjohurës nr.6 dhe si rezultat fitoi 1000 euro. Kënga “Tradhëtar” nga Aurela Gaçe ishte moment artistik i formatit sot.