Paola dhe Xhoana kanë ardhur nga Gjermania me një kërkesë të qartë për prindërit e tyre Marie e Kujtim. A do e pranojnë ata propozimin e vajzave? Maria dhe Kujtimi i’u përgjigjën kërkesës së vajzave duke zgjedhur mundësinë më të mirë. Si në Shqipëri apo në Gjermani, ata do jetojnë aty ku do jenë Paola me Xhoanën.

Që e vogël, Simona ka jetuar në Itali aty ku ka gjetur dhe dashurinë e jetës. I janë dashur vite që të heqë dyshimet se kjo lidhje ishte e sinqertë dhe jo e shtyrë nga interesi… Për çfarë bëhet fjalë? Simona e ka faktuar tashmë se lidhja e vetme mes saj dhe bashkëshortit Adionisit është thjesht dashuria dhe asgjë tjetër. Koha e tregon gjithmonë të vërtetën.

Holta ka lindur 53 vite më parë në Vlorë me emrin Rozeta dhe është braktisur në shtëpinë e fëmijës kur ishte ende foshnje. Në moshën 20 vjeçare ajo ka mësuar të vërtetën tronditëse se ishte e adoptuar. Nëna që e rriti quhej Jorgjie, njëlloj si ajo që e lindi. Duroi për shumë vite dhe më në fund vendosi që të kërkojë rrënjët e saj biologjike. Ka ardhur enkas nga Italia me djalin e saj Devisin për të mësuar të vërtetën. Djali nuk e di që aty ku është ulur në publik, afër tij janë dy tezet, motrat nga nëna të Holtës. As ajo nuk e di ende që nëna jeton dhe se ka dy motra që po e ndjekin rrëfimin e saj në studio. Holta takohet për herë të parë me dy motrat e saj Alketa dhe Ermira. Sapo mësoi se ka edhe një vëlla por ankthi tek ajo është i dukshëm. A do vijë në studio nënë Jorgjia që e lindi duke i dhënë mundësinë t’a përqafojë pas 53 vitesh?

Për herë të parë në “Shihemi në Gjyq” dy artistë përballen me njëri – tjetrin. Kënga “Të ka lali shpirt” e kënduar nga Mandi Nishtulla dhe Silva Gunbardhi në vitin 2013, u bë hit ndërkombëtar dhe aktualisht shënon mbi 626 milionë klikime në YouTube. Të gjitha këto klikime përkthehen në para nga të cilat Mandi Nishtulla nuk ka marrë asnjë qindarkë megjithse pretendon se muzika dhe teksti i këngës janë krijuar nga ai personalisht. Fajin për këtë i’a hedh koleges së tij Silva Gunbardhi e cila ka arritur të sigurojë një kontratë nga e cila merr rregullisht 10% të fitimeve. Por a ka lidhje Silva me këtë “mënjanim” të Mandit nga të drejtat e shfrytëzimit pasuror të veprës muzikore? A janë të rregullta kontratat? A do arrihet një mirëkuptim mes dy artistëve aq të dashur për publikun nga kjo seancë ndërmjetësimi apo mosmarrëveshja e tyre do përfundojë në gjykatë?

Mandi Nishtulla i tha sërish Silva Gunbardhit “Të ka lali shpirt” duke arritur një paqe mes tyre në “Shihemi në Gjyq”. Artistët i kanë dhënë dorën njëri – tjetrit me premtimin se kjo çështje nuk do diskutohet më në publik mes tyre. Të gjitha të drejtat autoriale dhe të shfrytëzimit pasuror të këngës “Të ka lali shpirt” nga klikimet në YouTube, Mandi do i kërkojë në rrugë ligjore me protagonistët e tjerë, jo me Silva Gunbardhin.