Asgjë më shumë nuk ta përkëdhel sedrën sesa suksesi i fëmijës dhe pikërisht një rast triumfi kemi sot. Është kampioni i edicionit të 22-të të festivalit Kënga Magjike, Alban Ramosaj i cili sot do të na njohë më shumë me mamanë e tij Antigone Ramosaj, në një rrëfim ekskluziv për rubrikën “Gjysma Ime”. Lojra, surpriza dhe muzikë.

38 vite më parë Uzeiri u detyrua të braktisë vajzën 8 muajshe në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë sepse bashkëshortja e tij ishte e sëmurë dhe nuk arrinin dot t’a mbanin. Sot ka ardhur me djalin dhe vajzën për të kërkuar Afërditën. A është gjetur ajo?

Ishte shumë vonë për Uzeirin dhe familjen e tij kur u kthyen në Shtëpinë e Fëmijës për të marrë Afërditën. Dikush kishte shkuar përpara tyre dhe e kishte adoptuar. Sot do të dëgjojnë për herë të parë një histori të një zonje se çfarë ndodhte në atë institucion… Ajo është vajza e tij, tashmë me identitet dhe jetë të re! 

12 vite më parë, Eduarti merr një kredi bankare prej 15 milionë lekësh i nxitur nga vëllai i tij biznesmen Gramozi tek i cili ishte i punësuar si shumë të tjerë. Gramozi kishte futur dhe punëtorë të tjerë në këtë skemë me shpresën se do arrinte t’i shlyente këto borxhe por ndodhën disa ngjarje të papritura. Si pasojë e një aksidenti, Gramozi mbeti dy vite në spital dhe pas daljes, fati i keq e ndoqi sërish sepse ra në burg për katër vite me akuzën e fallsifikimit të kartmonedhave. Banka kërkon t’i marrë shtëpinë Eduartit i cili nuk paguan dot këstet e kredisë e cila tashmë për shkak të vonesave ka arritur në 30 milionë lekë. Ai i kërkon paratë Gramozit por ky i fundit thotë se nuk ka çfarë t’i japë dhe duhet të presë. Gjatë kohës që ishte në burg, bankat i kanë sekuestruar asetet dhe aktualisht ai pret të fitojë gjyqet që të marrë pronat mbrapsht, t’i shesë dhe të shlyejë borxhlinjtë e shumtë, përfshirë dhe vëllain. Por a do realizohet kjo gjë dhe sa shanse ka që mes vëllezërve në konflikt të arrihet një marrëveshje e arsyeshme?

“Kujdes shëndetin”/ Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 300 mije fëmijë nga 0-19 vjeç diagnostikohen me kancer çdo vit në botë. Por si t’i dallojmë sa më herët shenjat që çojnë tek kjo sëmundje e rrezikshme? Jemi me Alketa Brahushaj, përfaqësuese për Shqiperine e rrjetit spitalor Liv si dhe mjeken specialiste të hematologjisë dhe onkologjisë pediatrike profesor, doktor Gyl Nihal Ozdemir.

Këshillat e Blerina Bombaj në rubrikën “Ne jemi çfarë hamë” janë përqendruar tek perimet. Përgatitja e smoothie me perimet e stinës dhe efekti i tyre në organizmin tonë. Këshilla dhe receta praktike.

Për herë të parë një fashion show unik për fëmijë prezantohet nga Joni Peci Store në programin E Diela Shqiptare. I konceptuar si një show, në skenë nuk shfaqen vetëm fëmijët që sfilojnë por edhe zonjat rrobaqepëse që punojnë dhe këngëtarë që performojnë. Tendencat 2021-2022 të veshjeve për fëmijë ideuar dhe kuruar nga Joni Peci.

Fëmijë të veshur bukur, me stil, modern dhe mbi të gjitha veshje që ofrojnë komoditet. JONI PECI JUNIOR COLLECTION 2021/2022