#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
Fëmijët konkurrues • Faza.3 / Java.13: Amila, Martin, Ajla, Rejan
Me pjesëmarrjen e:
Denata Toçe – Psikologe
Aurel Vula – Pediatër
Edi Gogu – Shkrimtare
Për herë të parë pas 12 vjetësh, rrëfimi ndryshe i Ardit Gjebreas në “Power Kidz”!
Një nga rubrikat e “Power Kidz” u lë hapësirën fëmijëve që të bëjnë pyetjet e tyre drejt një të rrituri. Por për habinë e tyre, këtë herë i rrituri nuk është ndonjë nga prindërit, por drejtuesi i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea.
Kjo shënon intervistën e tij të parë në 12 vjet dhe duke u gjendur përpara kureshtarëve të vegjël, nuk ngurroi t’u përgjigjej haptazi pyetjeve të tyre. Nga profesioni te jeta personale, Ardit Gjebrea ndan një rrëfim ndryshe nga ç’jemi mësuar.
Amila: A është e vështirë të jesh një gazetar?
Ardit Gjebrea: Besoj që duhet të jetë shumë e vështirë për sa kohë që unë nuk jam gazetar.
Amila: A je i lumtur me këtë profesion?
Ardit Gjebrea: Oh! Po mos të isha i lumtur, nuk do ta bëja.
Amila: Sa fëmijë ke?
Ardit Gjebrea: Unë kam dy, Jonin dhe Anën që i dua shumë.
Amila: Kush është kujtimi yt më i bukur?
Ardit Gjebrea: Hmmm… kujtimi më i bukur për mua është momenti kur njoha nusen time sepse ajo u bë burimi i frymëzimit dhe lumturisë së gjithë jetës sime.
17 vite “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea tregon si lindi programi më i dashur i familjes
Vogëlushët e “Power Kidz” patën një mundësi të veçantë në këtë puntatë. Ata u ngarkuan me detyrën për të intervistuar Ardit Gjebrean, moderatorin e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Pasi i zbuloi Amilës kujtimin më të bukur, ishte radha e Martinit për të mësuar ‘të fshehtat’ e Gjebreas. Moderatori tregon nga i erdhi ideja për të realizuar programin më të dashur të së dielës i cili bën bashkë gjithë familjen
Martin: Çfarë është pjesa më e vështirë për punën tënde?
Ardit Gjebrea: Pjesa më e vështirë është të mbaj nervat.
Martin: Nga të erdhi ideja për të hapur një emision televiziv?
Ardit Gjebrea: Po flet për të “Dielën Shqiptare” apo për “Power Kidz”?
Martin: “E Diela Shqiptare”.
Ardit Gjebrea: Të dielave pasdite nuk ka pasur në Shqipëri një program si ky, kështu që në vitin 2008, 17 vite përpara në fakt kishim 1 vit më parë që e mendonim me regjisorin Aldon Lipe për të krijuar këtë program dhe u dhamë shqiptarëve një program të cilin nuk e kishin bërë përpara të tjerët sepse mua më pëlqen që të bëj gjithmonë gjëra të reja.
Ndërsa për rubrikën dedikuar fëmijëve, “Power Kidz”, ideja erdhi krejt lehtë.
Martin: Po ku të erdhi ideja për “Power Kidz?”
Ardit Gjebrea: A ka shumë emisione për fëmijë në këtë Shqipëri?
Martin: Jo.
Ardit Gjebrea: Ja sesi më erdhi ideja!
“Kushton shumë bileta…”, ëndrra e parealizuar e Ardit Gjebreas
Këngëtar, moderator, producent, kompozitor, bashkëshort dhe baba i përkushtuar… CV-ja e Ardit Gjebreas duket se i ka të gjitha sa vështirë të mendosh për diçka që s’e ka arritur. Por në intervistën e tij të parë pas 12 vitesh, drejtuesi i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan i gjendur para pyetjeve të të vegjëlve të “Power Kidz” ëndrrën që s’ka realizuar ende.
Martin: Ëndrra jote ishte kjo punë apo kur ishe këngëtar?
Ardit Gjebrea: Shiko unë asgjë nuk kam ëndërruar, ëndërruar në jetë përveçse të shkoj në hënë.
Martin: Shko!
Ardit Gjebrea: S’kam lekë të mjaftueshme se kushton shumë bileta, shumë.
Spageti me salcën Ardit, si u krijua pjata speciale e Gjebreas
4 pyetje nga secili prej garuesve të vegjël nga “Power Kidz” zbuluan detaje të ndryshme nga jeta e moderatorit të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas. Me pyetjet e saj, Ajla e ktheu pas në kohë, që nga koha studentore në Itali e deri te programi i parë që ka prezantuar. Njëkohësisht, Gjebrea zbuloi edhe arsyen pas mungesës 2-vjeçare të rubrikës më të dashur për fëmijët.
Ajla: Sa vite ke që punon si prezantues?
Ardit Gjebrea: Janë shumë. Që 21 vjeç. Ka qenë një program “Fëmijët dhe muzika”. Çfarë rastësie! “Fëmijët dhe muzika” dhe këtë pyetje ma bën një fëmijë! Vazhdojmë.
Ajla: Ti nga e ke mësuar recetën e spagetit me salcën Ardit?
Ardit Gjebrea: Kur isha student në Itali, nuk kisha shumë para dhe më duhej të kurseja fort dhe aty m’u desh të mësoja si të gatuaja dhe kështu mësova të gatuaja pasta me recetën Ardit.
Ajla: Ti tani je një prezantues. Kur ke qenë i vogël, kjo ka qenë ëndrra jote apo ka qenë një ëndërr tjetër?
Ardit Gjebrea: Jo, kur unë isha i vogël këndoja, i bija dhe violinës por ëndrra ime siç thashë se ma bënë edhe më përpara këtë pyetje, është që të shkoj në hënë. S’kam shkuar akoma.
Ajla: Ti tani, në këtë garë janë 4 fëmijë. Ti a do të doje që të gjithë të fitonin?
Ardit Gjebrea: Ky është edhe motivi pse për 2 vite ne nuk e kemi bërë “Power Kidz” sepse momenti i skualifikimit është moment ku vuaja unë më shumë sesa ju dhe sesa prindërit. Kështu që do të doja shumë që të ishit 4, në fund unë bëhem shumë i fortë por kur mbaron programi, unë vërtet trishtohem shumë.
Ardit Gjebrea në ‘makinën’ e kohës, çfarë do të ndryshonte moderatori
Në një intervistë të veçantë me të vegjlit e “Power Kidz”, drejtuesi i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea ndan momente dhe kujtime. Ai tregon çfarë do të ndryshonte nëse do të kthente kohën pas, reflekton mbi profesionin dhe dashurinë për muzikën, e cila edhe tani mbetet një nga më të mëdhatë në jetën e tij. Në fund, zbulon edhe krenarinë më të madhe.
Rejan: Nëse do të ktheheshe mbrapa në kohë, a do të kishte ndonjë gjë që do të ndryshoje?
Ardit Gjebrea: Po.
Rejan: Çfarë?
Ardit Gjebrea: Do të shpenzoja më shumë kohë me babin dhe mamin që nuk i kam më.
Rejan: A të pëlqen profesioni që ke zgjedhur?
Ardit Gjebrea: E dashuroj pafund, ndryshe nuk do ta bëja.
Rejan: Më bukur është të jesh moderator apo këngëtar?
Ardit Gjebrea: Këngëtar pa diskutim që është më bukur për mua pasi kam studiuar dhe është një dashuri të cilën për fat të keq e kam lënë pas.
Rejan: A je krenar për veten?
Ardit Gjebrea: Më shumë jam krenar për familjen time, për bashkëshorten që kam, për dy fëmijët sesa për veten time.
#tvklan #edielashqiptare #arditgjebrea #powerkidz #femije #argetim quizz #zgjuarsi #tv #imagjinate #ediele #albania #shqiperia