#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #enicobani #shiheminegjyq #tvklan #edielashqiptare #arjana #arbiana #shkoder #divorc #dhune #femije #vjehrra

“Vajzës time ia morën tre fëmijët!”/Trondit gjyshja: Të parit nuk i ka dhënë as gji!

Arjana është një nënë që ka thirrur në “Shihemi në Gjyq” vajzën e saj, Arbianën. Nëna është ajo që merr e para fjalën për të shpjeguar arsyen e përballjes mes tyre në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Mes thirrjesh plot dhimbje, Arjana thotë se vajza e saj ka 5 vite e martuar dhe 3 fëmijë, por sot nuk ka asnjëri prej tyre. Sipas  saj, familja e dhëndrit ia ka marrë fëmijët dhe të parin nuk ka patur mundësi ta shohë që prej ditës kur lindi. Arjana i thotë së bijës se nuk e pranon në shtëpi pa vajzën e vogël që e ka rritur vetë.


Arjana: Unë kam ardhur këtu për t’i thënë vajzës time, Arbianës që ka 5 vjet e martuar, jemi marrë me gjykata, 2 vjet e gjysmë në Shkodër. Kjo është një dhimbje e madhe. Vajzës time ia kanë marrë të tre fëmijët. Të tre fëmijët! Vajza ime që ditën që e ka lindur fëmijën e parë, ajo s’i ka thënë as gji fëmijës! Që ia ka marrë gjyshja e vet! E ka mbajtur në dhomë dhe vajza ime as e ka përqafuar, as e ka puthur fëmijën e vet kurrë! Prandaj kam ardhur këtu që t’i them edhe vajzës time për gabime! Lëre që i mori fëmijën e parë, të dytin, por i ka marrë edhe të tretin! Edhe vajzën e vogël 3-vjeçare, Sarën, që Sarën e kam rritur vetë që në moshën 4-muajshe ka ardhur Sara! Zonja Eni, çfarë t’i bëj vajzës time, e lajmërova! Kjo donte t’i jepte një mundësi burrit dhe familjes që kishte krijuar, por ata nuk janë njerëz! Me mënyrën më të keqe, morën dhe shkuan e vizituan Sarën dhe thanë që është e sëmurë dhe nuk e mban dot ti vajzën!

Arbiana: Çfarë të bëj moj mami?

Arjana: Çfarë të bëj zonja Eni, çfarë të bëj? Unë nuk e dua vajzën pa Sarën në shtëpi se e kam rritur vetë!

Arbiana: Çfarë të bëj moj mami, ku të vete unë? Vetëm juve ju kam, ty dhe babin, ku të vete unë?  Ato nuk më duan! Ma morën Sarën!

Arjana: Arbiana, unë të thashë që ata do të të marrin Sarën! Ata po të gënjejnë ty!

“Vjehrra s’më lejonte të ushqeja fëmijën!”, Arbiana në lot: Burri më tha që s’jam e aftë!

Arbiana ka ardhur në “Shihemi në Gjyq” për t’u përballur me nënën, Arjanën që nuk e pranon në shtëpi pa vajzën e vogël. Ajo ka tre fëmijë, por nuk ka asnjërin prej tyre sepse thotë që ia ka marrë familja e bashkëshortit, e cila jeton në Shkodër. Deri më tani nuk dihet si ka ndodhur e gjithë kjo situatë ndaj ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani i kërkon ta rrëfejë historinë nga fillimi. 27-vjeçarja nis të tregojë se është martuar në hyrje të vitit 2019 dhe dy muaj më vonë, ka  ardhur në jetë vajza e parë.


Arbiana: Nuk bëmë as dasmë, thjesht e morëm njëri-tjetrin me shkuesi dhe pas dy muajve u bëmë me fëmijën e parë, vajzën e madhe që sot është 5 vjeçe. Linda fëmijën dhe burri ma mori dhe ia dha vjehrrës dhe vjehrrit.

Eni Çobani: Si ia dha?

Arbiana: Ia dha. Më tha mua “nuk je e aftë ti për të rritur fëmijë”. Cila nënë di të rrisë fëmijë kur bëhet për herë të parë? Cila? Asnjë nuk di.

Eni Çobani: Patjetër.

Arbiana: Po. Më tha “do të të ndihmojë vjehrra për t’u kujdesur për fëmijën”. E merrja fëmijën për ta ushqyer me gji dhe vjehrra nuk më lejonte. As burri jo! “S’ke gji” më thoshte, unë kisha gji. Më fal për shprehjen, më kullonte qumështi.

Koha vetëm e përkeqësoi situatën. Historia me vajzën u përsërit edhe me ardhjen e djalit në jetë ku sërish Arbiana u pengua që të kujdesej për të birin.

Arbiana: Mua më lindi djali me problem dhe më tha doktoresha “ka nevojë djali të pijë sa më shumë gji që të shërohet” dhe nuk e lejuan këtë gjë! I dhanë fëmijës qumësht kutie! Si të parës, edhe të dytit.

Eni Çobani: Cili ishte pretendimi pra, thanë që gjiri ishte i infektuar apo jo?

Arbiana: Thanë që qumështi ishte i helmuar, po.

Historia e përsëritur: Vjehërrit ia merrnin fëmijën, ajo lindte tjetrin/Arbiana: Punët e Zotit…

Situata e Arbianës ka ngritur shumë pikëpyetje në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. 27-vjeçarja është martuar me shkuesi në vitin 2019 në Shkodër dhe nga kjo martesë ka 3 fëmijë, dy vajza e një djalë. Fëmijët janë të mitur, 3-5 vjeç dhe pranë saj sot nuk ndodhet asnjëri.

Arbiana dhe nëna e saj, Arjana e cila e ka thirrur në studio, kanë thënë deri në këtë moment se vjehërria dhe bashkëshorti nuk e kanë lejuar të kujdeset për fëmijët. Ata e kanë ndaluar t’u japë gji dhe ia kanë marrë përmes kërcënimeve.

Përsëritja e historisë tri herë rishtazi është pikëpyetja më e madhe në këtë histori. Arbiana thotë se është rikthyer në atë shtëpi për hatër të fëmijëve, por çdo herë që ka ndodhur kjo, ka mbetur shtatzënë.


Ardit Gjebrea: Ti e linde fëmijën e parë, e pe se çfarë ndodhte në atë familje, edhe të dytin, edhe të tretin bëre që të kishin fatin e të parit. Tani, pse ti dhe prindërit lejuat këtë gjë?

Arjana: Më fal zoti Ardit, ti ke shumë të drejtë të thuash, por ne çdo gjë kemi bërë për këtë vajzë. E mori vesh burri që këta e trajtonin keq dhe bëri denoncim në polici dhe vajti policia atje, por vajzën ma kishte kërcënuar i shoqi.

Arbiana: Po, e vërtetë. Më ka detyruar burri që të deklaroj e të them që nuk kam gjë, as me burrin, as me vjehërrinë se përndryshe “vajzën s’e shikon më me sy” më tha dhe “dhuna do të vazhdojë te ty po the ndonjë gjë kundër meje”.

Ardit Gjebrea: Arbiana, pse bëre fëmijë tjetër, pyetja ime? Se një njeri që kërcënohet, që nuk sheh fëmijën etj, nuk bën edhe dy fëmijë të tjerë. Ata si i bëre?

Arbiana: Ato Ardit mund të them se janë punët e Zotit, e ke parasysh? Se ne mendonim të bëheshim me një fëmijë, me dy, ama jo në këtë formë,e ke parasysh?

Ardit Gjebrea: E  di, unë jam dakord me ty që thua që janë punët e Zotit sepse çdo gjë e bën Zoti, por ti vetë, e kupton, nuk pate në një moment fuqinë që t’i thoshe okej, ti  po më kërcënon, unë do të rri por mos të bëj edhe dy fëmijë të tjerë se ti po vuan, ti nuk po i shikon ata apo jo?

Arbiana: Po, ashtu është.

Arjana: Zoti Ardit, më fal, por vajza ime donte të ndahej nga ai por ai i mbante fëmijën peng dhe për hatër të fëmijëve u kthye prapë atje.

Ardit Gjebrea: Të kuptova, më fal, atëherë keni ndërmend të bëni edhe të katërtin?

Arbiana: Jo.

Ardit Gjebrea: Këtë jo pse nuk ma thua që kur linde të parin dhe tek i dyti të kishe thënë jo? Kjo është pyetja ime. Mirë ndodhi edhe me të dytin, dakord, por të tretin pse?

Eni Çobani: Pra janë bërë shumë shpejt fëmijët Arbiana dhe kjo është çudia e të gjithëve ne.

Arjana: Fëmijët i ka në krye të vitit se ai mbante peng fëmijën tjetër edhe kjo kthehej për hatër të fëmijës në atë shtëpi. Kjo është e vërteta.

Eni Çobani: Ka ngelur shtatzënë shumë shpesh pra.

Arjana: Në krye të vitit pra se s’i ka lënë as për t’i dhënë gji fëmijëve, as të parit, as të dytit. Helbete,se gruaja kur s’i jep gji fëmijës, ngelet shtatzënë. Është diçka e vërtetë.

Eni Çobani shpjegon se është e mundur që gruaja të mbetet shtatzënë nëse ndërpret gjidhënien, teksa Arbiana shton se “sigurisht, janë edhe punët e Zotit”.

“Ajo është e mbaruar!”, vjehrri flet rëndë për nusen/ Çobani s’u beson veshëve, i kthehet keqazi

Nazir Selimi, vjehrri i Arbianës iu bashkua rubrikës së “Shihemi në Gjyq” përmes një telefonate gjatë transmetimit. Deri më tani, Arbiana dhe Arjana, nënë e bijë që janë të pranishme në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan kanë thënë se familja Selimi ka marrë tre fëmijët e mitur përmes kërcënimeve.

Gjatë lidhjes telefonike, Naziri thotë se Arbiana i ka lënë fëmijët sepse nuk ka mundësi të kujdeset për ta. Ai i përshkallëzon deklaratat duke u shprehur se “është e mbaruar”, çka ndez një debat të nxehtë me ndërmjetësen Eni Çobani.


Nazir: Ajo s’mund ta  mbajë se është e mbaruar, kupton?

Eni Çobani: Kush është e mbaruar more?

Nazir: Ja ajo.

Eni Çobani: Po nuk të vjen rëndë ty që flet kështu në këtë formë?

Nazir: Jo,  jo.

Eni Çobani: Po kush je ti që flet për nusen e djalit është e mbaruar? Ç’është kjo gjuhë more? Gjyshërit të flasin në këtë formë!

Nazir: Arbiana e  ka shkruar vetë!

Eni Çobani: Ku e ka shkruar? Edhe vajza ta shkruajë vetë, ti je baba, ti je gjysh, ti s’mund të thuash ajo është e mbaruar, ti nuk mund ta thuash këtë fjalë! Ty duhet të të vijë rëndë që i thua një vajze 27 vjeç është e mbaruar! Është e mbaruar o zotëri se ta rrahësh, të mos i japësh bukë, të peshojë kjo 1.80 e gjatë, peshon 50 kile, patjetër që kjo është e mbaruar! Patjetër o zotëri! Prandaj po të them edhe njëherë, dorëzo vajzën e tretë! E ke me ligj që do ta mbajë Arbiana, për dy fëmijët e tjerë do të hapësh zgjidhje martese dhe kush ta vendosë gjykata, do të mbajë fëmijët. T’ju vijë rëndë që flisni dhe komunikoni publikisht në këtë formë, prandaj ndahen fëmijët se kanë prindër si ju!

Çobani e bën familjen përgjegjëse për gjendjen e traumatizuar të 27-vjeçares ndërsa u kujton se janë të dënuar penalisht sipas vendimit të gjyqtari Sokol Shehu. Ndërsa ajo vijon duke i përmendur Nazirit çfarë shkruhet në vendim, ai mbyll telefonin dhe Çobani bën një thirrje të fortë.

Eni Çobani: Kjo nuk është më Shqipëria që duam ne! Shqipëria që duam ne është të respektojë vendimin e Sokol Shehut, vendimet e gjykatave shqiptare që fëmijët të shkojnë te nëna, t’i lejojë gjyshja dhe gjyshi të rriten fëmijët e qetë. Çfarë është kjo ndërhyrje e gjyshërve deri në këtë formë? Si mundet? Lejoni fëmijët të prindërojnë. Nëse nuk arrijnë dot të prindërojnë, këto gjëra i ndan ligji dhe gjykata.

“1.80 e gjatë dhe 50 kg”, Çobani shpjegon gjendjen e 27-vjeçares: Post-partumi ka lënë një traumë

Pas përfundimit të telefonatës me Nazirin, vjehrrin e Arbianës ku ky i fundit tha për nusen se “është e  mbaruar”, Eni Çobani sqaroi gjendjen e 27-vjeçares. Edhe gjatë telefonatës që u zhvillua në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, ndërmjetësja e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan përmendi përcaktimin e mjekëve për gjendjen e Arbianës.

Çobani shpjegon se për shkak të marrjes së dy fëmijëve nga vjehrrit duke mos lejuar Arbianën që të kujdeset e t’i ushqejë dhe më pas, marrjes së vajzës së tretë kur ishte 3 vjeçe, 27-vjeçarja ka kaluar një traumë të rëndë psikologjike.


Eni Çobani: Doktorët që përmenda unë kanë thënë që kjo vajza ka kaluar një post-partum shumë të rëndë që ka lënë një traumë psikologjike. Mosdhënia e gjirit fëmijëve të dy të parëve ka qenë shumë e rëndë dhe e ka çuar këtë vajzë në depresion të thellë por jo të shkaktuar për shkaqet që do Naziri, por për shkakun që nëna nuk është lënë t’i japë gji fëmijës, që nëna nuk është lejuar të mbajë fëmijët në krahë, që është mbyllur gjyshja me fëmijën në dhomën e saj dhe këtë vajzën e nxirrte nga dhoma dhe i thoshte nuk je në gjendje ti të rrisësh fëmijë dhe ndërkohë kjo vajza vazhdonte dhe bënte fëmijë.

Ardit Gjebrea: Nëse ata konstatuan që kjo vajzë është me këto probleme, përse duhet ta përdornin për të lindur fëmijë se kjo është ta përdorësh tjetrin. Në momentin që ti kupton që kjo vajzë ka probleme, atëherë si vazhdon? Nuk di çfarë fjale të gjej se nuk dua të them ato që më vijnë në mendje.

Eni Çobani: Po, shumë të rëndë, edhe psikologjike kjo vajza, edhe fizike. Po ta shikosh mirë Arbianën,  Arbiana sot bashkë me rrobat në trup mund të peshojë deri në 50 kg dhe është 1.80 e gjatë, është e paushqyer dhe po kalon një traumë shumë të madhe psikologjike. Kjo nuk duhet shfrytëzuar nga këta njerëz, por në qoftë se kjo ka nevojë për ndihmë, duhet çuar, duhet mjekuar, duhet dhënë ajo ndihmë me një psikolog që dhe kjo vajzë të rikthehet në gjendjen e shëndetshme dhe të rrisë tre fëmijët e saj.

/tvklan.al