#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Nuk janë motra, por monstra”, testamenti fut vëllain në konflikt

Iliri ka ardhur posaçërisht nga Italia në “Shihemi në Gjyq” ku tregon konfliktin me motrën e tij. Në insertin e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan që na njeh me Ilirin, ai i quan motrat e tij monstra për shkak të një firme që Iliri nuk arrin ta marrë prej tyre.

Ilir: Ngelëm rrugëve, ç’është kjo punë kështu? Është e dhjeta herë që vij, nuk ka sens, nuk ka vend të qëndrojë kjo punë. S’e marr vesh, nuk e kuptoj.Nuk mbaj dot as nervat nuk mbaj. Vetëm lekë që kam harxhuar rrugëve dhe punët që kam lënë atje nuk ia vlen për aq pronë sa është ajo. Nuk e kuptoj, ajo është një monstër! Përveç vetes, ka mbajtur edhe dy motrat e tjera, ajo i detyron ato që mos të firmosin! Ato nuk janë motra, ato janë monstra! Kjo është hera e fundit që unë vij këtu! Di unë pastaj se si do ta zgjidh këtë problem!

Kur hyn në studio, Iliri thotë se nga tetë fëmijët e familjes, ai është më i vogli. Atij i duket se ky fakt e bën atë edhe më të dënuarin.

Ilir: Për sa i përket familjes tonë, jo për t’u mburrur, siç thoshte edhe nëna ime që të mirat bëji dhe harroji, të këqijat bëji dhe kujtoji. Tani unë vij nga Firence për një motiv. Është e dhjeta herë që vij në Shqipëri për një fakt që duhej kryer shumë kohë më parë. Kam një problem për sa i përket pronave që nëna dhe babai më kanë lënë dhe për atë kam testamentin. Tani me gojë motrat ma kanë lënë testamentin, ama nuk kanë ardhur të firmosin.

“Mafiozi i Italisë”, motra refuzon t’i japë firmën vëllait: Ka 4 vila e do akoma

Sadetja është motra e thirrur nga Iliri në “Shihemi në Gjyq” për t’i kërkuar asaj firmën për testamentin e prindërve. Në insertin prezantues në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Sadetja shprehet me deklarata të forta kundër vëllait.

Sadete: Ku është ai mafiozi i Italisë që më ka thirrur mua sot? Për çfarë më ka thirrur njëherë, ta di dhe unë? Ku e ka hallin ai? Kur desha unë atë që desha, ai më ktheu kurrizin mafiozi që ka katër vila edhe do hala. Do më shikojë sot mua ai kush jam!

Për këtë deklaratë të Sadetes, Iliri u përgjigj në studio se duart e tij janë “duar punëtori, jo mafiozi”. Kur moderatori Ardit Gjebrea fton Sadeten në studio, ajo refuzon të ulet dhe menjëherë shkon drejt të vëllait duke u përplasur verbalisht me të.

Sadete: Për çfarë më ke thirrur ti mua sot ore?

Ilir: Qysh për çfarë të kam thirrur?

Sadete: Për çfarë më ke thirrur?

Ilir: Ti e di shumë mirë për çfarë të kam thirrur unë.

Sadete: Pse më ke thirrur, çfarë kërkon nga unë?

Ilir: Firmën.

Sadete: Pak po vuaj me këto që kam në shtëpi?

Ilir: Nuk më intereson fare, unë kam familjen time.

Sadete: Jam pa shtëpi e pa fëmijë, jam rrugëve.

Ilir: Rrugëve? Nuk është faji im, nëna e baba të kanë dhënë burrë.

Sadete: Çfarë burri thua ti ore?

Ilir: Burrë pra, të kanë dhënë burrë. Unë do shikoj familjen time, jo tënden.

Sadete: Po mirë kështu më ndodhi mua, si t’ia bëj?

Ilir: Unë çfarë të të bëj ty? Unë i kam ndihmuar të gjithë…

Sadete: Më fëlliqe ti mua këtu, çfarë kërkon, çfarë do nga unë?

Ilir: Unë desha firmën.

Sadete: Thirri mendjes se na fëlliqe këtu, çfrë do, çfarë do nga unë?

 Ilir: Desha firmën tënde dhe shko ulu atje.

Sadete: Firmë unë ty s’të jap sikur në qiell të hipësh ti e unë të zbres poshtë.

Ilir: Unë do ta marr.

Sadete: Fare! Shtëpinë njëherë nuk ke gjë ti gjallë në botë

I kërkoi vëllait një fëmijë, Sadetja: Certifikata e shtëpisë më ka lënë pa të

Sadetja hyri në studion e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan shumë e revoltuar ndaj Ilirit, vëllait të vogël që e ka thirrur në “Shihemi në Gjyq”. Vëllai i kërkon firmën e një testamenti të lënë nga prindërit, por Sadetja nuk ia jep. Ajo ka si kusht marrjen e një certifikate shtëpie e cila ka lidhje me një fëmijë që ajo ka kërkuar nga një tjetër prej vëllezërve.

Ardit Gjebrea: Sadete, pse je e mërzitur me vëllain?

Sadete: Jam e mërzitur zoti Ardit se kur kisha unë hallin më të madh për një certifikatë shtëpie unë kam ngelur sot pa fëmijë, pa shtëpi, asnjeri s’më ndihmon, pa gjendje. Jam në këtë moshë sot, po punoj grua plakë atje në rrobaqepësi.

Ardit Gjebrea: Më fal Sadete, çfarë lidhjeje ka certifikata e shtëpisë me fëmijën?

Sadete: Ka lidhje se unë më përpara disa viteve, unë i kam kërkuar këtyre një fëmijë.

Ardit Gjebrea: Kujt?

Sadete: Jo këtij, po vëllait tjetër.

Ardit Gjebrea: Si, domethënë doje që t’ia merrje vëllait?

Sadete: Po, doja që të kisha edhe unë një fëmijë. Kur unë humba shpresat e mia, s’kisha më shpresa.

Ardit Gjebrea: Doje që familja e vëllait të bënte një fëmijë dhe të ta jepte ty?

Sadete: Po.

Ardit Gjebrea: Ta adoptoje ligjërisht?

Sadete: Po. Kurse unë pengesë kisha certifikatën e shtëpisë, s’e kisha.

Eni Çobani: Një nga kushtet e birësimit është të kesh një banesë, një banesë në emrin tënd dhe detaj edhe sot, unë i thërras Dete se kemi krijuar aq afrimitet me njëra-tjetrën,  edhe sot e kësaj dite nuk ka shtëpi, edhe atje ku ajo është martuar prej 44 vitesh, nuk ka banesë. Për arsye të tillë, ua ka kërkuar këtyre.

Vëllai që ka pranuar t’i japë Sadetes fëmijën i ka thënë se vetëm kaq mundet të bëjë për të, por certifikatë nuk ka. Megjithatë, vjehrrit e kanë kundërshtuar këtë dëshirë të Sadetes dhe i kanë thënë ta marrë fëmijën në jetimore e ajo nisi të ndiqte procedurat.

Sadete: Ai kishte tre fëmijë dhe më tha një për ty do ta jap. Edhe nisi të katërtin për ta marrë unë. Unë shkova kam bërë seanca atje në… e harrova, ndërkohë iu thashë pleqve që kisha në shtëpi, isha bashkë me vjehrrin dhe me vjehrrën edhe i thashë këtyre unë desha të birësoj një fëmijë nga vëllai im. “Jo”, thanë ata, “jo te vëllai jot po ik merre aty ku kanë ikur të gjithë”. Edhe unë shkova atje.

Eni Çobani: Pra nuk donin ta merrnin nga familja, e donin të huaj komplet.

Ardit Gjebrea: Kuptova.Dhe ti vajte në befotrof.

Sadete: Vajta atje. Ato, pasi bëra 6 muaj seanca ik e hajde që isha pa punë edhe më thanë në fund që ne duam certifikatën e shtëpisë, unë s’e kisha.

“Jepi firmën Ilirit”, Eni Çobani arrin ndërmjetësimin e vështirë mes motrës e vëllait

Sakrificat dhe përpjekjet e Ilirit më në fund u shpërblyen në  “Shihemi në Gjyq”. Emocionet e forta, përjetimet e vështira dhe konflikti mes tij e motrës, Sadetes ka  mbërritur në një rrugëzgjidhje në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

Duke qenë se kushti i Sadetes për t’i dhënë Ilirit firmën që ai të vazhdojë përpara me testamentin e prindërve është një ndihmë që ajo të përfitojë certifikatën e pronësisë së shtëpisë bashkëshortore, Eni Çobani ka një propozim tjetër.

Eni Çobani: Shpirtërisht, e ndien që t’ia japësh dokumentin vëllait? Shpirtërisht, të lutem.

Sadete: Shpirtërisht unë ia kam dhënë me vakt.

Eni Çobani: Atëherë, meqenëse ju vini një kush që kërkoni një ndihmë për bërjen e një dokumenti në qytetin e Kavajës, unë si ndërmjetëse po ju them zonjë, bëni kalimin e pjesës tuaj në emër të Ilirit dhe unë po ju premtoj publikisht që do ta çoj deri në fund bërjen e certifikatës së familjes tuaj, tëndes dhe të Bilalit dhe nëse kjo gjë nuk do bëhet, unë prapë publikisht, bashkë me Arditin  do të vazhdojmë ta trajtojmë deri ditën kur ju të dy bashkëshortët, edhe pa fëmijë, sikundër fati ju la por shyqyr ka njerëz të mirë dhe ja erdhët këtu dhe prapë të solli ky Iliri, letrat e shtëpisë do t’i bëjë Eni Çobani, jepi firmën Ilirit!

Sadete: Kam hequr torturë zonja Eni. Ai më ka mbajtur peng që nuk më la të marr fëmijë, ai po më mban peng certifikatën që të marrë pronësinë vetë, ai po më shan nëpër shtëpi, ai më ka dhunuar, më ka prurë policinë vakt pas vakti.

Eni Çobani: Do t’ia japësh firmën Ilirit?

Sadete: Po, ia jap kështu në vend!

Motra mban peng vëllain: Më jep para që të bëj certifikatën e shtëpisë sime!

Iliri është djali më  i vogël mes 8 fëmijëve i cili është kujdesur për prindërit e tij derisa kanë ndërruar jetë dhe për këtë ata i kanë  lënë një testament. Në këtë testament, sqaron ai në “Shihemi në Gjyq”, përfshihet shtëpia dhe një pjesë toke. Iliri ua ka lënë motrave e vëllezërve tokën duke mos marrë asgjë për vete dhe duke kërkuar vetëm shtëpinë.

Përballë tij në rubrikën e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është Sadetja, njëra prej motrave e cila refuzon t’ia japë firmën për këtë shtëpi. Ajo thotë se nuk ka asnjë mundësi financiare dhe arsyeja që e mban peng Ilirin është certifikata e pronësisë së shtëpisë së saj. Duke pretenduar t’i shesë Ilirit pjesën e shtëpisë së prindërve, ajo mendon të sigurojë paratë për të marrë certifikatën e banesës bashkëshortore.

Sadete: Unë kërkoj hall, strehim koke. Jam jashtë pa shtëpi. Ti mua më do firmë që ke katër copë.

Ilir: Moj motër, unë kam shkuar ditën e tretë të operacionit se kam bërë dy operacione. Ditën e tretë kam shkuar në punë moj të ngisja ekskavatorin. Duhej të shkoja moj se duhej të haja. Moj ç’është kjo moj zonja Eni, të lutem?

Sadete: Më kanë poshtëruar.

Eni Çobani: Tani është e vërtetë që ke katër vila se thonë ke katër vila, ti paç dhjetë xhanëm…

Ilir: Moj zonja Eni çfarë vilash? Kam të tria vajzat, unë kam hyrë garant që të blejnë shtëpi.

Sadete: Edhe 700 metër që ke te shtëpia e vjetër aty. Ore unë nuk do marr shtëpi në varr, unë desha sa të strehoj kokën, ta gëzosh ti shtëpinë. Por unë nuk të jap firmë ty kurrë pa marrë certifikatën e shtëpisë time, të qetësohem edhe unë një ditë, të qetësohem edhe unë si gjithë njerëzit. Jam pa asnjë kusht në këtë moshë! Jam pa sallon, kam bërë një copë shtëpi shtesë.

Eni Çobani: Tani më fal zonja Sadete, me gjithë dhimbjen që na përcollët me faktin që ti nuk ke pasur fëmijë dhe kjo është një fatkeqësi që s’e keni pasur vetëm ju, por ka shumë gra. Tani ky kusht që ju vini, po s’mora unë certifikatë banese, unë s’të hedh firmën, tani çfarë lidhjeje ka ky me banesën tënde se tani më vjen keq? Tani ti kërkon para nga zotëria se duhet ta thuash troç tani që ta dëgjojë publiku, kërkon para apo jo?

Ilir: Dil hapur!

Eni Çobani: Kërkon t’ia shesësh vëllait atë pjesë toke që ti të marrësh lekë që të bësh certifikatën se kështu i bie!

Sadete: Po ashtu desha se unë jam pa gjendje.

Eni Çobani: Motrat që flasin në këtë formë unë nuk i kuptoj dot se jemi motra vetë, e kupton.

Sadete: Të më ndihmojë se unë nuk kam gjendje.

E dhunuar nga kunati, Sadetja e ngashëryer rrëfen detajet tronditëse

Firma e testamentit që Sadetja nuk pranon t’ia japë vëllait të saj, Ilirit, ka pasoja më të thella se sa vetëm  zvarritja e çështjes. Siç sqaron ndërmjetësja e rubrikës “Shihemi në Gjyq” Eni Çobani, nëse Sadetja ndërron jetë përpara bashkëshortit të saj, atëherë ky i fundit ka të drejtë të kërkojë pjesë nga shtëpia dhe toka e familjes së Sadetes dhe Ilirit, që prindërit e tyre kanë lënë trashëgimi.

Jo vetëm bashkëshorti i Sadetes, por edhe familjarët e tij dhe të gjithë brezat fitojnë këtë të drejtë në një rast të tillë. Gjatë seancës në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan Sadetes iu shpjegua disa herë se Ilirit i takon me të drejtë kjo firmë sepse prindërit ia kanë lënë atij trashëgimi, pavarësisht se ai ua ka lënë tokën motrave e vëllezërve duke mbajtur shtëpinë.

Sadetja pranoi se e vetmja arsye që ajo nuk ia jep firmën është tentativa për të përfituar para nga Iliri që të marrë certifikatën e pronësisë së banesës së saj bashkëshortore. Në këtë pikë të rubrikës, Sadetja shpërthen në lot dhe nis të tregojë të gjithë dramën e saj familjare duke denoncuar publikisht dhunën e ushtruar ndaj saj nga kunati.

Sadete: Vjehrri me vjehrrën më çoi në gjyq, më tha “do t’i jap letrat me gjyq”. Më çoi dy herë në gjyq, nuk ma dha.

Ilir: Po s’të kam çuar unë në gjyq.

Sadete: Kunati shkon, më del përpara me gjithë çun, thotë “mos i jepni këtij se s’ka fëmijë”, ç’e drejtë ish kjo? Ku të shkoj unë? Ai ka pushtet, ne s’kemi, ne jemi punëtorë të thjeshtë. Çfarë t’i bëj unë Qemal Veizit? E ka blerë pushtetin, na ka vrarë, na ka dërrmuar, e di gjithë Kavaja. Thotë unë ty “o do të të çmend, o do të të ndaj”, më thotë mua nëpër shtëpi, shan të zezat e më të zezat. “Qen bir qeni”, shan edhe prindërit e mi në varr, “qen bir qeni thotë, ti më ke zënë vendin më të mirë”. Aty ku na lanë, aty ndenja. Çfarë të bëj unë, ai më shan prindërit e mi në varr?

Moderatori Ardit Gjebrea i shkon pranë dhe e pyet nëse ajo ka kryer denoncim për këtë rast.  Sadetaj thotë se po, por nuk ka marrë kurrë trajtim dhe mbështetje nga institucionet.

Sadete: Kam denoncuar, por nuk flas dot se kam siklet. Kam denoncuar, kam shkuar në polici. Më vrau, më dërrmoi, kam fotot aty. Shkova te mjeku ligjor, shkoi e bleu, nuk u bë asgjë. Unë shkova atje, thoshte ka ikur me pushime, dy javë rrugëve të Durrësit.

“Ajo zonja mban dhe turpin” / Revoltohet Ardit Gjebrea: Nuk ka turp për të kërkuar të drejtën tënde

Gjatë “Shihemi në Gjyq” Sadetja u shpreh se nuk ka fëmijë, mbështetje e përkrahje dhe gjithmonë ka qenë e shtypur nga familja e burrit. Ajo tha se bashkëshorti i saj nuk ka dashur kurrë të punojë dhe ajo ka qenë e vetmja që e bënte.

Nga ana tjetër, vëllai i saj Iliri, i përmend të gjitha rastet kur ai i ka zgjatur dorën për ta ndihmuar. Duke qenë se Iliri jeton në Itali, ai i ka bërë garancinë si Sadetes, edhe bashkëshortit  të saj për të shkuar atje dhe ajo nuk ka shkuar për shkak të këtij të fundit. Gjithashtu ai është ofruar t’i gjejë punë dhe Sadetja sërish e ka refuzuar.

Pavarësisht këtyre, ajo e akuzon si “mafioz” dhe i thotë se nuk ia jep firmën për testamentin e prindërve që i takon Ilirit me të drejtë duke e mbajtur peng vëllain. Në momentin e votimit, publiku shpreh mbështetje për Ilirin, përveç një vote të drejtuar tek Sadetja.

Ky detaj nuk i shpëtoi moderatorit Ardit Gjebrea, i cili u drejtua menjëherë për te publiku i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të biseduar me zonjën që është në krah të Sadetes.

Zonja: Unë jam tiranase dhe kam pasur edhe unë dikur toka dhe tokën ia kam falur vëllait. Sot vëllai mua nuk më jeton për arsye të tokës por duke menduar që kjo zonjë ka shumë probleme me burrin sepse burri është dembel, nuk punon dhe janë ca gjëra që ndodhin në familje dhe duke menduar këtë vëllai duhet t’i japë një dorë.

Pavarësisht se ne gjithmonë kemi menduar te djemtë, thonë gjithmonë pasuria të shkojë te djali, ashtu siç i kanë lënë prindërit pasuri atij por edhe për motrat duhet të kujdesen pak pasi ajo është në një  moshë shumë të madhe, është pa fëmijë, pa përkrahje, ka një burrë dembel në një kohë kur ajo nuk ka me çfarë jeton dhe është 62 vjeçe dhe akoma punon. Unë prandaj gjithmonë kam mbajtur anën e asaj zonjës gjatë gjithë kohës që zotëria fliste, ai është i siguruar, është jashtë shtetit, punon, ka gjithë të ardhurat, është punëtor, por duhet të kthejë një çikë kokën mbrapa dhe të mendojë një çikë edhe për motrën që e ka me aq probleme.

Ardit Gjebrea: Ai e ka menduar për motrën gjithë jetën, i ka thënë hajde,hajde, hajde.

Zonja: Po çfarë t’i bëjë burrit që nuk do? Tani ai thotë hidhe burrin në lumë. Nuk hidhet burri në lumë në këtë moshë, 44 vjet martesë dhe ta hedh burrin unë në lumë? Jo, unë nuk e hedh.

Ardit Gjebrea: Edhe ditën e fundit të jetës mund ta hedhësh në momentin që ai nuk të jep asgjë në jetë.

Zonja: Po ç’ti bëj unë tani në pleqëri?

Ardit Gjebrea: Ilir, ti e merr motrën në Itali po të vijë sot tek ti?

Ilir: Ore e marr edhe që tani.

Ardit Gjebrea: Urdhëro!

Zonja: Po nuk do ajo pra.

Ardit Gjebrea: Ah, nuk do ajo? Por nuk është faji i Ilirit dhe ti ia jep votën asaj se s’do ajo. Burrin s’do ta lërë, burri nuk punon, nuk i jep pronat, thotë më kanë shfrytëzuar gjithë jetën, vëllai ta ndihmojë, si qenka kjo punë?

Zonja: Mos të raftë! Çfarë t’i bësh, të kesh një fatkeqësi…

Ardit Gjebrea: Fatkeqësi? Jo! Njeriu e ka vetë jetën në dorë, këtë duhet të kuptojnë gjithë shqiptarët.

Zonja: Tani në këtë kohë po, por më përpara nu ishte kjo, sidomos nëpër fshatra.

Ardit Gjebrea: Po sot ajo ka mundësi, ajo ka një vëlla që e merr në Itali, po flasim për sot.

Zonja: Ajo zonja ka edhe turpin tani se s’mund ta lërë burrin tani e të ikë në Itali.

Ardit Gjebrea: Cilin turp? Nuk ka më turp! Për të kërkuar të drejtën tënde nuk ka më turp sot dhe asnjë shqiptar s’duhet të ketë më turp! Në momentin që i ndodhin fatkeqësi të tilla, duhet të tregojnë veten, është i lirë… pse nuk je dakord me mua?

Zonja: Jo, dakord jam.

Ardit Gjebrea: Ah, mendova që nuk je dakord. Po nuk jetojmë më në ato kohë, jemi në kohëra të tjera. Çfarë lidhjeje ka, në momentin që në shtëpi nuk ka të drejta të barabarta, qoftë nga ana e burrit, qoftë nga ana e gruas, jepini drejtim! Nuk mund të qëndroni, sikur 5 ditë jetë të kenë mbetur, jetojini të lumtur me ata që ju duan dhe që ju respektojnë!/tvklan.al