#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #Gezimi#Kristaqi#zyre#banese#ndertues#prokurori#avokate

“Shihemi në Gjyq” zhvendoset në zyrën e Eni Çobanit: Ndërmjetësimi vazhdon!


Seanca e ndërmjetësimit të kësaj jave nuk po zhvillohet në studion e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, por në zyrën e Eni Çobanit. Përpara se të shpjegojë rastin, ndërmjetësja e “Shihemi në Gjyq” uroi të gjithë shqiptarët për vitin 2024 dhe i falenderoi që vazhdojnë ta përkrahin rubrikën në misionin e saj 12-vjeçar
Eni Çobani shpjegon se zotëria përballë saj ka disa muaj që është paraqitur pranë zyrës në përpjekje për të gjetur një zgjidhje përmes ndërmjetësimit.
Eni Çobani: Pse kemi ardhur deri sot? Sepse kemi pritur që ndërmjetësimi të bëhet me ato personazhe dhe protagonistë që zotëria ka kërkuar që të jenë përballë. Meqenëse i kemi pritur gjatë dhe jo vetëm gjatë, por jemi takuar me ta, kemi konsumuar me ta biseda, na kanë sjellë dokumentacion dhe në fund na kanë kërkuar që mos të vijnë dhe mos të jenë përballë zotërisë.
Këtë sigurisht që ne do ta diskutojmë në vazhdim, por dua t’ju them vetëm një gjë: ndërmjetësimi vazhdon. Ndërmjetësimi do të bëhet në vazhdim kryefjala e çdo shqiptari. Përpara se ju të vendosni për konfliktet tuaja, ju lutem nga zemra, shikoni mundësinë e ndërmjetësimit. Nuk ka zgjidhje më të mirë se ndërmjetësimi dhe komunikimi, kështu që prandaj jemi sot për të dhënë këtë mesazh të madh, edhe pse ata nuk kanë ardhur, ne ndërmjetësimin do ta vazhdojmë.

Gjyqi i shoqërisë së ndërtimit me pronarin e truallit i bllokon apartamentin qytetarit


Kristaq Qiqi është një qytetar që i është drejtuar për ndihmë rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Ai thotë se ka blerë një apartament në vitin 2012 dhe ka jetuar aty për 3 vite pa asnjë problem përpara se të emigronte bashkë me familjen për në Londër.
Në vitin 2020 ai ka legalizuar banesën dhe ka marrë certifikatën e vërtetimit të pronësisë duke menduar se ishte kthyer në pronarin e apartamentit të cilin e kishte blerë për 68 mijë euro. Në vitin 2021, pasi kthehet nga Londra Kristaqi gjen në derën e apartamentit letrën e përmbaruesit ku thuhej se prona ishte bllokuar.
Rezulton se shoqëria ndërtimore ka një gjyq të hapur me pronarin e një trualli pranë pallatit ku ndodhet një vilë trekatëshe.
Eni Çobani: Shoqëria Alba flor me administrator Gëzim Cekën dhe ky është një dokument i dhënë nga Gëzim Ceka, më kupton, lidhur me Bashkim Pasmaçiun në cilësinë e pronarit të truallit ka një kontratë sipërmarrjeje që në 2003-in, si çdo ndërtues në Republikën e Shqipërisë shkon i ofron një kontratë sipërmarrjeje, ku në këmbim thotë këtu të truallit prej 120 metër katrorë dhe ndërtim 98 do merrte 450. Pra ai do jepte edhe vilën, edhe tokën dhe do merrte në pallat 450 metër katrorë. Shumë bukur, sipas specifikimeve ka thënë dyqan në katin e parë 70 metra, pjesën e mbetur prej 310 banimi në katin e gjashtë që i përgjigjet apartamenteve që i ka vënë këtu dhe me pretendimin se shoqëria Alba flor nuk kishte përmbushur detyrimet e përmbushur në aktmarrëveshje dhe kontratën e sipërmarrjes, në 2007-ën pronarët e truallit Pasmaçiu i janë drejtuar gjykatës. Pra gjyqi ka filluar që në 2007, ti e ke blerë 5 vjet më vonë ndërtimin dhe normalisht është përfunduar në ’19-ën se kështu shkojnë gjyqet, shkojnë gjatë, kuptohet ajo.
Në ’19, ka një vendim gjykate dhe normalisht vendimi i gjykatës që duhet edhe ky respektuar, kuptohet, pastaj si është marrë, tek është marrë, nuk jemi ne të dy për ta diskutuar se janë instancat kompetente.
Kristaq: Emri im aty nuk figuron.
Eni Çobani: Në 27.05.2019, pikërisht ky ka qenë konflikt i truallit me shoqërinë, jo me ju si qytetar që keni blerë nga shoqëria, prandaj unë nuk kuptoj, pse është bllokuar apartamenti yt? Pra është bërë përcaktim në këtë vendim që apartamenti juaj duhet bllokuar për llogari të shoqërisë Alba flor? Se këtu është i gjithë problemi.
Kristaq: Në faqen 20 të vendimit të gjykatës thotë gjykata nuk përcakton ambientet e banimit, e ka të specifikuar te faqja 20.
Eni Çobani: S’e ka përcaktuar gjykata, por e përcakton përmbaruesi sepse sigurisht, kur i çohet një vendim, do të dijë 450 metra ku t’i marrë. T’i japim gjithsecilit atë që ka bërë.
Veç të tjerash, Kristaqi shton se nuk ka marrë asnjë njoftim paraprak nga zyra e përmbarimit.
Kristaq: Kam qenë në Londër, kanë qenë rrugët e bllokuara, në 2021-shin kam ardhur unë.
Eni Çobani: Pra ty s’të është bërë asnjë njoftim nga zyra përmbarimore?
Kristaq: Asnjë lloj njoftimi. Në 19 është liruar që u hap nga pandemia, më 13 gusht kam ardhur unë të ‘21-shit dhe gjej shtëpinë mbyllur.

Eni Çobani rendit shkeljet ligjore, qytetari i bie ballit me dorë: Hajde dallavere që kanë bërë!


Prej vitit 2021, banesa e Kristaq Qiqit të cilën e ka blerë në pallatin e ndërtuar nga shoqëria Alba flor është e bllokuar. Kjo është arsyeja pse ai i është drejtuar “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me shpresën për t’u përballur me palët që kanë shkaktuar këtë konflikt.
Administratori i shoqërisë nuk ka pranuar dhe seanca po zhvillohet në ambientet e zyrës së Eni Çobanit. Kristaqi e ka blerë banesën në vitin 2012, por rezulton se shoqëria ndërtimore ka nisur një gjyq me pronarin e një trualli pranë vite më parë se të ndodhte kjo.
Pronari i truallit ku ndodhet një vilë trekatëshe, Pasmaçiu pretendon 450 metra katrorë nga pallati dhe ndër to, përmbaruesi ka bllokuar edhe banesën e Kristaqit. Eni Çobani zbulon edhe të tjera shkelje në këtë proces.
Eni Çobani: Nuk ka gjyq vetëm Pasmaçiu me Alba florin. Ti nuk di tjetrën, Pasmaçiu është në gjyq me Lundrën sepse zotërinjtë e kanë blerë nga vetëm një pjesëtar i familjes Lundra këtë vilën dhe janë ngritur bashkëpronarët e tjerë me të drejtë duke thënë prit ore se këtë vilën e kemi të tërë ne dhe janë në gjyq. atëherë këtu përveç zotit Pasmaçiu, zotëri në këtë vilën nuk ka jetuar vetëm Pasmaçiu, e ka pasur Lefter Maliqi, i nderuari dhe Xhevrie Allajbej. Pra nuk e di ç’është bërë me Lefter Maliqin dhe Xhevrien,  por familja Lundra që rezulton ish-pronare e vjetër e kësaj prone ka hedhur në gjyq Pasmaçiun dhe tani, sot që ti nuk e di fare dhe këtë gjë nuk ma ka thënë Gëzim Ceka.

Çobani shpjegon se më 11 janar 2023, 3 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë kanë kanë vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga pala  e paditur Bashkim Pasmaçiu kundër vendimit  të gjykatës së apelit, revokimin e vendimit të pezullimit. Ndërmjetësja vijon t’i drejtohet në fjalën e saj administratorit të shoqërisë Alba flor, Gëzim Cekës.

Eni Çobani: Familja Lundra është bërë pronare e kësaj prone me vendimin e Gjykatës së Lartë. Pra Bashkim Pasmaçiu ka  humbur përfundimisht pronën. Mirë këtë, por në gjyqin që ju keni kryer gjë të cilën unë nuk e di, a i keni vënë në dijeni të nderuarit e Gjykatës së Apelit në vitin 2019 që familja Pasmaçiu ka një gjyq pranë Gjykatës së Lartë dhe pa mbaruar gjyqi i Gjykatës së Lartë, Gjykata e Apelit nuk mund të jepte vendim?

Kristaq: Hajde dallavere që kanë bërë!

Eni Çobani: E kanë bërë apo s’e kanë bërë nuk e di se nuk kam qenë palë, por logjika më shkon që Gjykata e Apelit Tiranë nuk do të jepte vendim pa përfunduar Gjykata e Lartë dhe në momentin që Gjykata e Lartë do jepte këtë vendim, jam plotësisht e bindur që Gjykata e Apelit do të pushonte çështjen se nuk ka çështje më sepse Pasmaçiu nuk është më pronar.

Mirë kjo, kalojmë tani te Urbanistika e bashkisë Tiranë. Vila e Pasmaçiut të nderuar është e paprishur ndërkohë që lejen e ndërtimit ia keni dhënë edhe  për familjen Pasmaçiu, pra ky ka bërë pallatin dhe nuk e ka përfshirë sipërfaqen e Pasmaçiut dhe Pasmaçiu vazhdon gjyqet, do të marrë pjesën e Kristaqit në pallat! Ore zotëri, vila e Pasmaçiut nuk është prishur!

Çobani evidenton sërish shkeljet e procesit në një rend kronologjik.

Eni Çobani: Kemi ish-pronarë familjen Lundra që ka filluar gjyqet me Pasmaçinjtë shumë vite përpara se të fillonin Pasmaçinjtë me shoqërinë Alba flor. Gjyqi ka përfunduar në 2023-shin me Lundrën dhe në 2023-shin jo vetëm është mbaruar ndërtimi dhe janë shitur apartamentet, por po bëhen edhe ca gjyqe të tjera me Alba florin dhe me Pasmaçinjtë. Pra shikoni se çfarë zvarritjeje kemi në kohë që nuk përkojnë gjyqet me njëri-tjetrin dhe që tani ne kemi një situatë komplet ndryshe. Shtëpia është ndërtuar, sipërfaqja e Lundrës është përfshirë apo jo kjo duhet patjetër, matur, por të paktën vila e Pasmaçiut që pretendohet që është e Lundrës është e paprishur. Si është e mundur që vjen familja Pasmaçiu kërkon sipërfaqe? Dhe mbi këto sipërfaqe merr banesën e Kristaq Qiqit?

Eni Çobani apel Dallëndyshe Bicit: Ku qëndron ligjshmëria e ASHK-së për të anuluar lejen e legalizimit?


Përveç shkeljeve ligjore që janë kryer në banesën e Kristaq Qiqit, qytetarit që ka ardhur të zgjidhë rastin e tij në “Shihemi në Gjyq”, në skandal përfshihet edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Në vitin 2020, ai ka legalizuar dhe ka marrë certifikatën e pronësisë së baneës që ka blerë në 2012-ën, por në tetor të po atij viti, leja e legalizimit i është anuluar.

Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani i drejtohet drejtoreshës së ASHK-së, Dallëndyshe Bicit, e cila asokohe nuk ka qenë në këtë detyrë për t’i kërkuar një sqarim mbi gjithë këtë situatë.

Eni Çobani: Tani ka mundësi të më thoni ju ku qëndron ligjshmëria e ASHK-së për të hequr dhe anuluar lejen e legalizimit sikundër e lexova më sipër kur në bazë të ligjit, ASHK-ja nuk mund të zhveshë nga pronësia asnjë person në Republikën e Shqipërisë, maksimumi që ASHK-ja mund të bëjë, vendos kufizime mbi pronë dhe në bazë të gjyqit që natyrisht do të marrë përparësi për regjistrim pronari që ka regjistruar i pari dhe regjistruar i pari është Kristaq Qiqi, nuk mund të vendoset nga asnjë zyrë e Republikës së Shqipërisë për t’i hequr pronën Kristaq Qiqit. Tani zonja Bici, ju lutem, merreni këtë urdhër, studiojeni, interpretojeni dhe ne do flasim edhe zyrtarisht së bashku për të marrë një përgjigje sepse ky vendim, ky anulim ka çuar zyrën përmbarimore dhe ka ardhur tek ju, kjo është pra!

Ndërmjetësja kërkoi gjithashtu ndërhyrjen e organeve kompetente për të zgjidhur problemin e qytetarit i cili ka mbetur pa të drejtë jashtë shtëpisë së tij.

Eni Çobani: I kërkoj organeve kompetente, ju lutem të vini në vend këtë padrejtësi, të hapet dera e këtij zotërisë, të marrë banesën, banesa është e Kristaq Qiqit, ky është bërë pronar që në vitin 2020 dhe unë nuk e kuptoj si mund të shkojë në gjyq një pronar që i ka marrë të tërë letrat nga Republika e Shqipërisë, nuk i ka bërë privatisht zotëri, i ka marrë nga zyrat e Republikës së Shqipërisë, pra këtu e japim dhe këtu e marrim,  po me të njëjtët njerëz dhe po me të njëjtat zyra. Atëherë kjo është e papranueshme!

I drejtohem edhe njëherë zonjës Bici, marrjen në dorë të këtij urdhri, parjen në mënyrë të saktë këtë vendimmarrje dhe më pas ne do të bëjmë patjetër dhe gjithë diskutimet zyrtare së bashku se si do të vendosim për rivënien në vend të kësaj padrejtësie./tvklan.al