#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
Vëllai i vogël e akuzon për vjedhje, Ferjati i tund dokumentet para fytyrës: Të të vijë zor!
Gramosi mendon që vëllai i tij i madh, Ferjati ka vjedhur. Kjo është arsyeja pse ai e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq”. Në një shpjegim të përmbledhur që bën kur hyn në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Gramosi thotë se kishin një pronë katër vëllezërit dhe sot nuk figuron asnjëri.
Sipas tij, Ferjati e ka shitur këtë pronë, por ky i fundit kundërshton. Sapo fillon seanca e ndërmjetësimit, ai revoltohet ndaj vëllait dhe i shkon te tavolina me një tufë dokumentesh për t’i provuar se nuk ka vjedhur.
Gramos: Në ‘92-shin na blen babai një pronë të katërve së bashku. Siç e bëri, me letra e të tëra, figurojmë të katërt. Sot nuk figurojmë jo ne, por edhe ai. Sot ky byrazeri ynë i madhi, e ka shitur a çfarë ka bërë me pronën, me atë pronarin tjetër që e ka marrë. Mua nuk më duhet. Mua më duhet me letra, siç e ka bërë babai, siç deklarohej në letër, ashtu e dua unë, me letra edhe sot.
Ferjat: Unë nuk kam grabitur pronat e vëllezërve se i kam në dosje! Shikoje! Di të lexosh apo nuk di?
Gramos: Nuk më interesojnë!
Ferjat: Këtë letrën që kemi bërë këtu, shikoje se çfarë thotë!
Gramos: Nuk më intereson!
Ferjat: Duhet t’i lexosh se unë nuk marr pronën e babait dhe vëllait! Të kam marrë 14 vjeç dhe të kam rritur!
Gramos: Ku e ke?
Ferjat: Ja ku e ke, ta lexojë kamera këtu! Ja edhe lekët që kemi derdhur, 900 mijë lekë! Ja edhe planvendosja! Të të vijë zor!
Gramos: Nuk më vjen zor mua, të të vijë ty që na mashtrove! Jo vetëm mua, por mashtrove edhe dy vëllezërit e tjerë!
Ferjat: Nuk kishe mundësi ti që të më thërrisje te shtëpia, të pinim një kafe me baba, nënë atje e me vëllezër por më bie që atje këtu?! Të të vijë zor! Të kam rritur! S’e ha pronën tënde e të babait se mezi më ka rritur babai e vëllezërit!
As e vjedhur, as e shitur! Kushëriri shuan konfliktin mes dy vëllezërve
Gramosi ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” vëllain e madh, Ferjatin me pretendimin se ai ka vjedhur dhe shitur pronën që u përkiste 4 vëllezërve. Në vittin 1993, bëhet një deklaratë mes familjarëve, babait të djemve, Nasibiut, Ferjatit, kushëririt të tyre, Myzaferit dhe hallës. Në deklaratë ndahet në mes mensa e lumit në Mallakastër ku punonte Myzaferi dhe sipas ligjit të kohës, punonjësit kishin të drejtë të parët të privatizonin godinat ku kishin punuar.
Gjysmën e shumës së privatizimit e dha Nasibiu ku kishte pjesë edhe Ferjati. Sot vëllezërit thonë se nuk dinë se ku ka shkuar prona sepse janë të bindur që vëllai i madh dhe Myzaferi e kanë shitur. Për të shpjeguar gjithë situatën, në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan realizohet një lidhje telefonike me Myzaferin.
Ai shpjegon dy gjëra kryesore që qartësojnë pretendimet e Gramosit se Ferjati ka vjedhur: prona është ndarë në 3:2, ku 3 pjesë i takojnë kushëririt dhe 2 vëllait të tyre. Ferjati nuk figuron pasi vetë Myzaferi nuk ka ende një certifikatë pronësie, por premton se sapo ta bëjë, do t’ua kalojë pjesën.
Eni Çobani: Kush ka paguar privatizimin 880 mijë lekë të reja?
Myzafer: Asnjëri s’ka paguar 880 mijë lekë, unë kam paguar 1 milionë lekë. Se çfarë a gjetur Ferjati, i kam këtu unë shkresat, do të takohemi kur të vij aty në zyrë, ta llafosim goja-gojës.
Eni Çobani: Ka dhënë para Nasibiu apo jo?
Myzafer: Nasibiu ka dhënë 400 mijë lekë.
Eni Çobani: Po pra, ka dhënë 400 mijë lekë.
Myzafer: Ato i kam marrë si biçim hua unë, por s’ka problem fare ajo punë, unë i dhashë pjesë atij. 3 pjesë unë dhe 2 ai.
Eni Çobani: Ku është kjo pjesë që i keni dhënë se për këtë po flasim?
Myzafer: Atje është.
Eni Çobani: S’ka asnjë letër Ferjati, nuk ka asnjë dokument.
Myzafer: Unë ia kam dhënë një personi tjetër.
Eni Çobani: E kam deklaratën noteriale këtu. Ia ke dhënë z.Edmir Canaj apo jo?
Myzafer: Po.
Eni Çobani: Ia ke dhënë këtë pjesë për ta shfrytëzuar ai dhe ka pasur disa cisterna.
Myzafer: Pjesën time.
Eni Çobani: Pjesën tënde, jo të Ferjatit?
Myzafer: S’kam punë me Ferjatin, Ferjati e ka të ndarë pjesën atje.
Eni Çobani: Nga këto cisterna është djegur edhe banesa e Ferjatit.
Myzafer: Nuk di çfarë ka pasur, unë di që duhet të nxjerr certifikatën dhe s’e kam nxjerrë akoma. E kanë bërë në e-Albania, unë jam burrë 71 vjeç dhe nuk e përdor dot celularin. Nasibiu nuk ka pjesë atje, ka marrë vetëm Ferjati.
Eni Çobani: Pra vetëm Ferjati ka, nuk ka Nasibiu?
Myzafer: Ferjati, atje ishin bashkë me Nasibiun e çunat.
Eni Çobani: Këtë pjesë juve si do t’ia jepni se dokumentacioni është i tëri në emrin tuaj, ju si do t’ia kaloni?
Myzafer: Problemi është këtu, ajo është ndarë se unë kam skicat e projektit që janë bërë, 3 pjesë unë e 2 Ferjati.
Eni Çobani: Këto pjesë të Ferjatit si do t’i kalojnë atij sepse privatizimi është bërë në emrin tuaj, dokumentacioni është në emrin tuaj. Juve premtoni sot që në momentin që merrni certifikatën e pronëësisë të këtij objekti, këto dy pjesë të cilat ju thoni që janë të Ferjat Hodajt, do t’ia kaloni atij?
Myzafer: Po.
Eni Çobani: Do t’ia kalosh pra?
Myzafer: Po, nuk bëhet llaf ajo punë!
Një qytet i dashur për të, Eni Çobani zbulon lidhjen e veçantë me Mallakastrën
Telefonata me Myzaferin sqaroi konfliktin e dy vëllezërve në studion e “Shihemi në Gjyq” për konfliktin e mensës në Mallakastër. Por telefonata me Myzaferin zbuloi edhe një kuriozitet lidhur me jetën personale të Eni Çobanit. Ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan tha se qyteti i Mallakastrës ka një rëndësi të veçantë për të për shkak të nënës së saj.
“Për të thënë një të vërtetë tjetër, pse e dua unë kaq shumë Mallakastrën? Sepse mamaja ime sapo e diplomuar pranë Universitetit të Tiranës në degën Biokimi, mësuese për herë të parë ka qenë në Ballsh. Kështu që Mallakastra është një pjesë shumë e dashur jona ku ma kanë respektuar edhe me çmim të veçantë qyteti i Mallakastrës! Faleminderit Ballshit, ju dua shumë!”, tha Çobani.
“Më fal që të akuzova!” Gramosi i shtrin dorën e pajtimit vëllait të madh
U desh telefonata me kushëririn, Myzaferin që Gramosi të bindej se vëllai i madh, Ferjati që deri më tani e kishte akuzuar për vjedhje, është i pafajshëm. Sipas sqarimit që u mundësua falë “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ferjati dhe vëllezërit nuk rezultojnë ende pronarë në mensën e lumit në Mallakastër sepse as kushëriri i tyre s’ka certifikatë pronësie.
Dokumentet e tjera janë në emrin e tij dhe siç premtoi, sapo të bëhet certifikata, do t’i dhurojë Ferjatit pjesën që i takon. Eni Çobani i drejtohet Gramosit për ta pyetur nëse është dakord me këtë dhe ai s’ka kundërshtime. Ai kërkon vetëm që të marrë pjesën e tij, ndërsa i nxitur edhe nga ndërmjetësja, shkon t’i kërkojë falje vëllait të madh.
Eni Çobani: Je dakord ti t’ia dhurojmë Ferjatit?
Gramos: Jam!
Eni Çobani: Po do kërkosh më gjë ti apo jo? Kërkoji ndjesë tani!
Gramos: Jam dakord që do të njihet ai dhe ne e duam pjesën! Ne e duam pjesën se ia fal unë po s’ia falin ata dy të tjerët se babai na e ka dhënë të katërve.
Ferjat: Ore nuk dua që të më falësh pjesë! Pjesën tënde e ke ti dhe dy vëllezërit e tjerë. Ju e keni pjesën tuaj!
Eni Çobani: Gramos, mos i fal asgjë vëllait ë? Por jemi ditë Bajrami sot, duhet të falësh, të dhurosh dashuri! Unë nuk dua, 50 metër që kam ndërtuar shtëpi që më ka dhënë babai i kemi të barabarta.
Eni Çobani: Ato 50 metra i do!
Gramos: Po të kishim më shumë do t’i dhuronim, ne ia bëmë atë të mirë, nuk i kërkuam asgjë.
Eni Çobani: Po 50 metrat i do! Do t’i marrësh ato të 50-ta! Dorën do t’ia japim vëllait apo si e ke? Është natë Bajrami sot!
Gramos: S’paska pasur shumë faj, por… do më falësh se të akuzova kot?
Ferjat: Jo po fol kot!
Gramos: Do më falësh se të akuzova kot se tani që foli Myzaferi i ndau gjërat se deri tani isha i bindur…
Eni Çobani: Gramos, ti 50-shen e do?
Gramos: E dua 50-shen!