#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Vajza përlotet, nëna mbyll veshët me duar, Ardit Gjebrea bën përpjekjen e fundit për t’i pajtuar

“Shihemi në Gjyq” i afrohet fundit, por Fatjona e përlotur nga situata, vazhdon të mbajë qëndrimin e saj ndaj nënës dhe të refuzojë  të jetojë me të. Arsyeja e saj kryesore është djali me spektrin e autizmit që nuk ndikohet keq nga sjellja e gjyshes. Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani përpiqet që ta bëjë Pieretën, nënën e Fatjonës të reflektojë mbi këtë fakt.

Piereta: Unë do iki në shtëpinë time, le të ikë Fatjona, le të më rrahin gjitonët.

Fatjona: Po s’është shtëpia jote.

Piereta: Edhe ju zoti Ardit e merrni si qesharake  këtë punë…

Ardit Gjebrea: Po kush po e merr si qesharake?

Piereta: Po më bëni tani që të bëj një krim ndaj vetes ose ndaj dikujt.

Eni Çobani: S’e marrim fare të atillë, ne do të të ndihmojmë deri në fund për të dalë e vërteta që ti të qetësohesh. Por themi në vazhdim, do jesh kështu në këtë situatë me fëmijët e Fatjonës apo do jesh më e qetë? Duhet të jesh e qetë zonjë. Duhet të jesh e qetë sepse kështu siç je e acaron fëmijën, po ta thotë vajza.

Piereta: E di.

Eni Çobani: Jo e di, po do jesh e qetë apo jo? Premtomë një gjë!

Piereta: E di se djali ia bën kështu (zë veshët me duar). E kam gjetur se unë nuk dëgjoj dhe nga veshët dhe unë e kam një çikë të madhe, e ngre zërin.

Eni Çobani: A po mirë, problem tjetër atëherë.

Piereta: Të më falni se nuk dëgjoj, jam e operuar nga veshët edhe djali kur dëgjon që unë ngre zërin “nëna, stop shouting” (mos bërtit). Por nëna nuk dëgjon mirë i them unë prandaj bërtas se edhe argumentojmë.

Duke qenë se situata mes nënë e bijë nuk po shkon drejt pajtimit, Ardit Gjebrea provon diçka të fundit. Ai shkon fillimisht pranë Fatjonës duke iu drejtuar Pieretës.

Ardit Gjebrea: Unë jam në këtë anë dhe lejomë të të them një gjë që për dashurinë, për atë që ke bërë për vajzat e tua gjithë jetën, mundohu që të rregullosh disa marrëdhënie. Mundohu të rregullosh atë që sot një pjesë e madhe e “Të Dielës Shqiptare”, publikut ka vënë duart kështu (zë veshët me duar). Të garantoj për këtë gjë. Të lutem, për dashurinë e fëmijëve mundohu që të evitosh që jo vetëm djali, por çdo njeri që ke përreth të vendosë duart kështu. Jepi vetes pak qetësi dhe bëje për dashurinë e vajzave dhe të  nipit tënd.

Gjebrea largohet prej saj dhe shkon te Piereta e këtë herë bën të anasjelltën, teksa Fatjona është me lot në sy.

Ardit Gjebrea: Ne prindërit nuk i zgjedhim. Janë ata që janë. Edhe në qoftë se ngrenë zërin, edhe në qoftë se kanë këtë mënyrë të shprehuri, të gjejmë një rrugë për zgjidhje. Nuk po them për t’i duruar, por për të gjetur një zgjidhje. E di që e ke shumë  të vështirë prej djalit, por në fund të ditës është nëna jote.

Piereta ngashërehet: Më akuzojnë se ndaj çiftet!

Fatjona nuk dëshiron që nëna e saj, Piereta të jetojë me të në shtëpinë në Vlorë, të cilën e ka dhuratë prej saj dhe as në Angli. Arsyeja është djali me spektrin e autizmit i cili nuk arrin të kuptojë reagimet shpërthyese të gjyshes së tij. Edhe pse ka 2 vajza të tjera, Piereta nuk ka asnjë kontakt me to, një situatë që vazhdon prej vitesh.

Një tjetër konflikt paralel janë debatet  me fqinjët në shtëpinë në Vlorë, që siç përmendi Fatjona gjatë “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ndodhin vetëm kur është nëna e saj. Për këtë arsye, vajza do që t’i largohet këtyre problemeve.

Ardit Gjebrea: Ti nuk do që as në Angli të jetosh me mamin?

Fatjona: As në Angli. Mua më qepen problemet nga pas. Tha ai kështu, bëri ai kështu, policia kështu. Nuk kam më fuqi.

Ardit Gjebrea: Po motrat e tjera ku jetojnë?

Fatjona: Në Londër. Ia gjej unë motrat.

Eni Çobani: Jo, motrat e thua thotë.

Fatjona: Po, po ia gjej unë motrat. E çoj unë.

Piereta: Po kush do më pranojë mua moj?

Fatjona: Rregullo marrëdhëniet, si e prishe me mua.

Ardit Gjebrea: Pse nuk të pranojnë vajzat e tjera?

Piereta: Po ashtu kanë ardhur o zoti Ardit se iu duk atyre, se është bërë një çikë kapitali keq. Nuk di ça të të them nëna. Kjo u nda nga burri, ato janë me burra. Edhe unë u mundova që ta ndihmoja këtë sepse ngeli me dy fëmijë dhe një të sëmurë, nuk e kisha idenë e autizmit.

Eni Çobani: Dhe atyre iu ngeli hatri që ti u ndave dhe shkove te Fatjona?

Fatjona: Të gjithë pretendonin se unë i merrja pasurira kësaj dhe prandaj e kam mbajtur dhe i ka ngelur hatri…

Piereta: Mendojnë se kam pasur kapital e ti dhashë ty! Të bleva shtëpi në Birmingam!

Fatjona: Po edhe unë kam bërë.

Piereta: Ke bërë për sëmundjen time.

Eni Çobani: Pra blerja e banesës në Angli të futi në konflikt me dy vajzat e tjera?

Piereta: Ato s’flasin tani se ia kam dhënë kësaj me demek.

Fatjona: Ato nuk duan t’ia dinë. Ato edhe të vdesë kjo, larg qoftë, nesër se nuk e dua në shtëpi por jetën e ka nga Zoti dhe të vdesë kjo, nuk i shkojnë në varrim.

Fatjona shpjegon se biseda e fundit me motrën e saj të madhe ka ndodhur 7 vjet më parë. Kjo përkon me të njëjtën periudhë që Piereta është në konflikt me fqinjët që e akuzojnë se prish familjet. Konflikti është për shkak të disa fotove që Pieretës dhe disa prej mikeshave të saj iu kanë mbërritur në celular, por tashmë akuzohet se është Piereta ajo që i ka shpërndarë.

Piereta: 7 vjet ka kjo bisedë, 7 vjet. Edhe 7 vjet është gjithë kjo historia. Ti merresh me njerëzit, ti i ndan nga burrat. S’kam ndarë njeri, unë kë të bashkoj korba!

Eni Çobani: Pra për këtë akuzoheni, që ju ndani njerëzit?

Piereta: Po!

“Doja të flisja shqip me dhëndrin”, vajza: Vjehrra s’më merrte në telefon, mori shqiptarin kjo!

Mentaliteti e ka shtyrë  Pieretën që mos të pranojë të dashurin e huaj të vajzës së saj, Fatjonës dhe të pranonte mblesërinë me një djalë shqiptar. Nga biseda mes tyre në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan kuptohet që Fatjona ende nuk e ka përtypur këtë situatë pasi nga burri që zgjodhi e ëma është ndarë sepse ai e donte për pasaportë duke qenë se ajo jeton në Angli.

Ardit Gjebrea: Shiko Piereta, ti çfarë kishe kundër të dashurit që kishte Fatjona?

Piereta: Po ishte i huaj.

Ardit Gjebrea: Po ishte i huaj edhe çfarë pastaj?

Piereta: Doja që të flisja unë shqip.

Ardit Gjebrea: Doje të flisje shqip me dhëndrin.

Piereta: Po, po. Po mentaliteti, unë po e tregoj.

Ardit Gjebrea: Po mentaliteti, ja pra, nuk është më.

Piereta: E bëra.

Ardit Gjebrea: Nuk është më me dhëndrin.

Piereta: Tani duhet të më vrasë?

Fatjona: Pa ardhur andej, i tha “mirëmëngjes, natën e mirë” të gjitha ia thoshte ai. Vinte atje, në telefon ai. Njëherë nuk më merrte vjehrra në telefon, isha për të lindur. Mori të thoshte “gëzuar ditën” se ishte ortodoks dhe i thoshte “gëzuar ditën e emrit” ish-burrit tim dhe unë ditën për të lindur e kisha në të njëjtën datë, në datën 2 Dhjetor dhe s’më thoshte “moj Fatjona, linde apo jo?”

Eni Çobani: Vjehrra.

Fatjona: Vjehrra. Edhe mori shqiptarin kjo, jo se janë të gjithë njësoj po resmen që kisha me resmen që më dhanë këta.

Deshi të huaj, e ëma e martoi me shqiptar: Donte të pinte kafe në mëngjes me dhëndrin

Fatjona ka sjellë një “Shihemi në Gjyq” nënën e saj, Pieretën. Ajo merr fjalën e para për të shpjeguar konfliktin që i ka sjellë në rubrikën nga “E Diela Shqiptare”  në Tv Klan. Fatjona jeton në Angli së bashku me nënën dhe dy fëmijët e saj.

Rreth 3 vite më parë, Piereta i dhuron shtëpinë në Vlorë dhe Fatjona e rregullon dhe mobilon që të mund ta përdornin. E çuditshmja është se çdo herë që Piereta shkon në këtë shtëpi, ka zënka e debate me fqinjët, diçka që s’ndodh me Fatjonën. Piereta ndërpret Fatjonën duke ndryshuar kursin e bisedës dhe duke shfaqur edhe konflikte të tjera mes tyre.

Piereta: Moj si nuk të vjen zor që më bie mua këtu, që u ndave me burrin, të martova, të rrita fëmijët.

Fatjona: Jo, burrin ma keni gjetur ju, s’e kam gjetur vetë. Burrin ma kanë bërë me lajmësi. Burri im pasi  ka ardhur në Angli, kam bërë fëmijën e parë, vajzën, kam rënë shtatzënë me fëmijën e dytë, më deklaron që më ka marrë për pasaportë. U ndava. Lajmësinë ma ka gjetur gjitonia e famshme që kemi ne ballë për ballë. Tani, mua më ke ndarë ti me ata përderisa ju ma keni dhënë.

Piereta: Po ku e dija unë, xhaxhi Pandin ti e kishe si vëlla moj.

Fatjona: Ju e keni gjetur, ju ma keni dhënë, unë s’e njoha fare, ju besova.

Eni Çobani: Po si e pranove ti Fatjona se ti vajzë e re… se edhe sot ta akuzosh mamanë për diçka që ti e ke pranuar vetë, ke sjellë në jetë dy fëmijë, pra është një çikë akuzë e rëndë kjo për nënën tënde.

Fatjona: Kultura, edukata, çdo gjë janë zhvilluar në Shqipëri, por jo edhe aq shumë. Mamaja ime është një gjeneratë komplet ndryshe nga gjenerata ime.

Eni Çobani: Po pra, ju si e pranuat këtë?

Fatjona: Unë jam njohur me një njeri në Angli, mamaja ime nuk ka qenë dakord.

Eni Çobani: Ah, kishit një njohje tjetër?

Fatjona: Po.

Lajmësi ishte fqinji i tyre dhe Piereta i dhuroi 1500 Paund për këtë lidhje që kishte realizuar. Ajo pranon se e kundërshtonte lidhjen që Fatjona kishte në Angli sepse djali ishte i huaj, një fakt që e konfirmon edhe e bija.

Fatjona: Mamaja ime donte shqiptar me idenë që kur të zgjohet në mëngjes t’i thojë “mirëmëngjesi, hajt pimë kafe”, kjo ishte ideja.

Piereta: Të vija të mbaja lagjen në gojë, për atë e doja se ça më bëri, s’më bëri nder veç se më ka shkatërruar edhe me këtë.

Fatjona: Edhe prishi shtëpinë, thotë s’kam faj unë që u ndave ti..

Ardit Gjebrea: Po pse nuk e binde ti mamin për atë që dashuroje?

Fatjona: Nuk bindet kollaj, nuk e kuptoni, mamaja ime nuk bindet kollaj. Për faj të saj unë nuk flas me motrat, nuk flas me tezen, nuk flas me dajën, nuk flas me asnjeri.

Ardit Gjebrea: Pse?

Piereta: Po pse moj të kam ndarë moj të keqen nëna, po ato u bënë me burrin tënd më pas moj, që nga tezja bënte barbekju, që nga motra jote, burri i motrës tënde punonte në lavazh. Pse?

Fatjona: Po të flisnin me mua nuk do bëheshin. Më ndave ti.

Piereta: Më shkatërruat ju mua që ju duhet të më mbanit mua kështu se ju mora një copë mish, ju çova në mes të Londrës, jam gjymtuar nga vetja ime.

Fatjona: Kanë ikur ato histori, ajo ka ikur.

Piereta: Po të rris edhe fëmijën autik.

Fatjona: Faleminderit për aq, tani ku jemi?/tvklan.al