Në emisionin “Historia Ime” nga Mirela Milori në “Tv Klan” u trajtua historia e Aida Hekuranit nga Lushnja. Aida është nënë e dy fëmijëve, e divorcuar prej dy vitesh nga një bashkëshort i dhunshëm. Ajo jeton nën të njëjtën çati me të, por për dy muaj, rrezikon të mbetet në qiell të hapur së bashku me fëmijët e saj për shkak të kërcënimeve të tij.

Marrëdhënia e tyre ka nisur për shkak se kanë patur secili një martesë të mëparshme dhe pas divorcit të secilit, ndodhi martesa e tyre. Pas martese, Aida kuptoi se nuk kishin komunikim midis tyre dhe iu shtua dhuna e alkooli. Pas 15 vjetësh, ai i kërkoi divorcin dhe e bëri në mungesë të saj pasi ajo ndodhej në Itali dhe mori kujdestarinë e fëmijëve. Pas kthimit nga Italia, bashkëjetuan edhe për një vit, edhe pse të ndarë dhe gjërat shkuan mirë deri në momentin që historia e dhunës nisi të përsëritej. Për të rifituar kujdestarinë e fëmijëve, Aida hapi gjyqin pasi ai kishte dhunuar të birin dhe kjo i siguroi kujdestarinë e menjëhershme.

Aida ka marrë një dhomë me urdhër mbrojtjeje në vilën ku ka jetuar gjithnjë, por afati po mbaron dhe për dy muaj duhet të dalë nga shtëpia. Urdhri i mbrojtjes vlen edhe për familjarët e tij, pasi tentonin të rrihnin fëmijët për t’i detyruar të largoheshin.

Në atë dhomë të vogël, Aida nuk ka asnjë mundësi për të jetuar së bashku me fëmijët. Ish-bashkëshorti refuzon të paguajë pensionin ushqimor për ta duke thënë se nuk ka të ardhura.

Mirela Milori: Ke jetuar gjatë gjithë kohës atje apo ka patur momente që ke ikur te prindërit e tu?

Aida Hekurani: Në Dhjetor të këtij viti shkova te prindërit sepse nuk ia dilja dot në një dhomë. S’kishim drita, ai nuk i paguante.

Mirela Milori: Po fëmijët a i shikonte? Në kuptimin për të larë, për ushqim, për veshje?

Aida Hekurani: Fare, asgjë.

Mirela Milori: Po njerëzit e tij?

Aida Hekurani: As ata, pasi kam marrë edhe një urdhër mbrojtjeje për ta. Më ngacmonin fëmijët, donin t’i rrihnin. E bënin që unë të largohesha prej aty.

Mirela Milori: Ke bërë ndarje pasurie?

Aida Hekurani: Jo, nuk e kam bërë.

Mirela Milori: Megjithatë, një pension duhet ta paguajë në muaj?

Aida Hekurani: Me ligj po, duhet të paguajë 20.000 lekë.

Mirela Milori: I paguan?

Aida Hekurani: Jo, asnjëherë s’i ka paguar./tvklan.al