Duka: Të shmangen penalizimet dhe problemet
E drejta sportive. Një fushë pak e njohur në Shqipëri, por mjaft e zgjeruar dhe e rëndësishme në Europë. Jo më kot kontratat e futbollistëve me klubet, parashikojnë një mori klauzolash, nenesh, detyrime dhe të drejta për të mos i lënë asgjë rastësisë, si dhe për të shmangur penalizimet.
Sa i takon këtyre të fundit, klubet shqiptare të futbollit kanë vuajtur në shumë raste, ndëshkime nga UEFA dhe FIFA.
“Komuniteti i futbollit në Shqipëri ka patur probleme me drejtësinë sportive që kanë cënuar futbollistët dhe klubet për moskorrektësi të marrëdhënies kontraktuale. Qëllimi është si t’i parandalojmë që futbolli të ketë sa më pak probleme”, tha Duka.
Fjala e Dukës erdhi në një workshop të organizuar nga federata për t’u ardhur në ndihmë pikërisht avokatëve apo juristëve të klubeve në fushën e drejtësisë sportive me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të UEFA-s dhe FIFA-s ku u trajtuan tema të ndryshme si transferimi i lojtarëve, kontratat, rregullorja e agjentëve të FIFA-s, jurisprudenca e BE-së dhe ajo e gjykatës së futbollit.
Tv Klan