Shkrimtarja dhe përkthyesja e njohur Rezarta Reso jeton prej vitesh në SHBA së bashku me familjen. Nëse mbiemri i saj ju tingëllon i njohur, kjo nuk është pa shkak sepse është edhe vajza e shkrimtares Ivoni Reso. Nëna e saj i injektoi dashurinë për librin me të cilin Rezarta vijon të jetë një mikeshë e ngushtë edhe sot.

Mes disa fotove që shfaqen në programin “Rudina” në Tv Klan, gjenden edhe fragmente shkrepjesh me nënën e saj. E pyetur nga Rudina Magjistari për shkrimtaren e njohur për fëmijë,  Rezarta Reso ndan momentet e vështira të nënës së saj.

“Mami është 85 vjeç, por fatkeqësisht mami kaloi sëmundje të rënda. Dy herë pati kancerin e gjirit dhe mbijetoi. Ka kaluar edhe disa sëmundje të tjera”, shprehet ajo duke e ndërprerë paksa fjalën për të  shpjeguar fotot  e më pas vijon: “Nuk është në formën që do të dëshironim  të ishte, ka filluar një demencë, është rënduar shumë. E ka më tepër problemin me të tashmen, shumë gjëra të së tashmes nuk i mban mend, i harron në moment. Mban mend gjëra të së kaluarës.

Megjithatë, për sa kohë keni prindërit që bisedoni me ta, bisedoni sa më shumë se jeta është me shumë të papritura dhe vjen një moment që ti do të bisedosh me nënën tënde, do të ndash edhe emocionet e ditës, emocionet e jetës së përditshme dhe shikon vështrimin e zbrazur, ajo do ta kuptojë, por nuk e kupton dot deri në fund. Prandaj them dhurata më e madhe që të kesh prindërit për një kohë të gjatë dhe ta ushqesh dëshirën për të biseduar me ta se një ditë thjesht zhduket, sikur venitet pak nga pak dhe mbetet diçka bosh, diçka pa jetë. Megjithatë prapë dashuria është aty”.

Lidhur me sëmundjen e demencës, Rezarta shprehet se kërkon shumë dashuri e durim. Tendenca është përsëritja e së njëjtës bisedë dhe më pas mund të ndodhë që pacienti bezdiset, ndaj përkujdesja është çelësi. Gjithashtu Ivoni Reso ka mposhtur dy herë kancerin e gjirit, madje herën e parë iu shfaq në të njëjtën moshë si nëna e saj që kishte ndërruar jetë prej sëmundjes.

Rezarta Reso: Ishte 58 vjeç kur iu shfaq kanceri i gjirit për herë të parë dhe gjyshja ime kishte vdekur 58 vjeç. Kjo ishte një tronditje e madhe për familjen tonë sepse unë mndova që më iku mami dhe unë sa kisha shkuar në Amerikë, kisha dy vjet që kisha shkuar. U gjendëm para një momenti të frikshëm sepse nuk ishte në fazë fillestare. Mami kishte neglizhuar të bënte mamografinë, gjë që ua këshilloj të gjitha grave mbi 40 vjeç dhe vajzave të fillojnë mamografinë sepse është shumë e rëndësishme. Vëllai  im është doktor dhe mami në atë kohë gjendej në një qytet të Nju-Jorkut ku vëllai po bënte rezidencën si anesteziolog. Mami e preku, po zhvishej në darkë dhe sikur iu realizua ajo që e dija që do të vinte dhe erdhi se kishte pritshmërinë nga nëna e saj. Mosha 58 vjeç ishte tromaksëse se 58 vjeç vdiq nëna e saj.

Kuptohet që shërbimi mjekësor ka bërë avancime shumë të mëdha në kancerin e gjirit prandaj them sa më herët të kapet, aq më e lehtë është për ta luftuar. Megjithëse mami s’e kishte në fazë të lehtë, por me ndërhyrjet, bëri kimioterapi shumë të gjatë, 6 muaj, pas kimioterapisë bëri rrezatim, pastaj e kaloi. Kaluan 15 vjet që pas 5-10 vjetësh je komplet i çliruar dhe i pastruar. Kaluan 15 vjet, mami ishte 75  vjeç dhe asaj iu përsërit në gjirin tjetër që nuk kishte lidhje me kancerin që kishte pasur para kaq shumë vitesh. Në moshat e mëdha është më e lehtë për t’u luftuar, nuk është aq agresiv sa është në moshat e reja. Mami bëri vetëm rrezatimet, nuk bëri kimioterapi, i hoqën tumorin dhe është gjallë edhe sot e kësaj dite./tvklan.al