E ftohura nxit imunitetin kundër Covid-19?


E ftohura nxit imunitetin kundër Covid-19?

19:52 07/08/2020

Mund të jetë arsyeja pse disa të infektuar nuk kanë simptoma

Ftohja e zakonshme mund ta përgatisë trupin e njeriut për të luftuar COVID-19. Në këtë përfundim arrin një studim i kryer nga një grup shkencëtarësh nga universitete të ndryshme në Gjermani, Britani të Madhe, Holandë e Singapor.

Studimi arrin në përfundimin se imuniteti i krijuar për shkak të ftohjeve ka potencial të madh për të luftuar infektimin nga COVID-19. Shkencëtarët kanë analizuar mostrat e gjakut të marra nga persona të ndryshëm që kanë kaluar të ftohurën e zakonshme.

Ata u surprizuan kur zbuluan se mes shumë viruseve që sistemi i tyre imunitar kishte neutralizuar për shkak të reagimit ndaj të ftohurës, kishte edhe nga ato viruse, struktura e të cilëve ishte e mbuluar nga e njëjta proteinë e COVID-19.

Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë ngjashmëritë që ka koronavirusi që aktualisht ka alarmuar mbarë globin duke prekur mbi 19.3 milionë njerëz në mbarë globin dhe viruseve të tjera të lidhura me të ftohurën.

Sistemi imunitar ka vetinë që të krijojë memorie në bazë të të cilës lufton infeksionet nga viruse të ndryshme. Sipas shkencëtarëve, këto veti mund të ndihmojnë pacientët të ndërtojnë një reagim të fortë imunitar dhe të luftojnë COVID-19. Po ashtu,kjo mund të shpjegojë arsyen përse disa të prekur nga koronavirusi kanë më pak ose aspak simptoma.

Tv Klan




Të ngjashme