Studioja e emisionit të dashur të pasdites, “Rudina” në Tv Klan, priti sot një mikeshë shumë të ve çantë dhe të ngushtë. Bëhet fjalë për këngëtaren e mirënjohur dhe të admiruar, Silva Gunbardhi.

Gjatë sezonit veror, ajo dhe partneri i saj në punë e në jetë, Dafi Derti, realizuan një projekt muzikor, një baladë të titulluar “Sa t’kam prit”. Të dy u shfaqën ndryshe nga këngët lozonjare që jemi mësuar gjithnjë t’i shohim, por ndërsa na rrëfen për bashkëpunimin e tyre të radhës, Silva nuk anashkalon përmendjen e një momenti gazmor të jetës së tyre të përditshme.

Këngëtarja tregon se ndonëse këngët e tyre së bashku janë të shumta dhe Dafi është tekstshkruesi kryesor pas tyre, ajo ende nuk ka marrë një poezi nga ai. Megjithatë, herë pas here, partneri i dedikon një këngë të veçantë me një pseudonim special.

Rudina Magjistari: Po ty vetë të ka bërë ndonjë poezi kështu në intimitet, di çka vetëm për ty, jo me qëllimin për ta bërë publike?

Silva Gunbardhi: S’e di, jo nuk më kujtohet, por më këndon ndonjëherë këngën: “O pupuruth moj pupuruth, o të ka Dafi top lambuth”.

Rudina Magjistari: Këto janë fjalët me të cilat të përkëdhel Dafi? “Pupuruth”, nga ka ardhur?

Silva Gunbardhi: Po, me “puthi-puthi”, “pupuruthi”. Kështu, më këndon ndonjëherë kur është me të vetat.

Ajo tregon se në këtë këngë ka hyrë shumë rastësisht, pasi ajo ishte e konceptuar për një artist tjetër. Kënga ishte përgatitur prej dy vjetësh dhe ishte kënduar si demo nga një tjetër këngëtare. Silva tregon se duke qenë se ka kënduar baladat, e ndiente që kënga i shkonte, por nuk guxonte t’i thoshte Dafit.

Silva Gunbardhi: Unë, duke qenë se i kam kënduar baladat, në Festivalin “Kënga Magjike” etj, e ndieja që ajo këngë më shkonte, por kisha frikë t’i thosha Dafit.

Rudina Magjistari: Pse?

Silva Gunbardhi: Po kisha frikë se mos më linte në tako, mos më thoshte “jo”. Nuk i kisha thënë fare, këngën nuk e kisha mësuar, thjesht e këndoja me vete si vijë melodike, nuk kisha guxuar të merrja as tekstin, asgjë. Një ditë kthehem nga një koncert nga Italia, shkoj direkt në studio dhe i them Alsked Rrënjës “A ta provoj njëherë atë këngën e Dafit ta këndoj?” Ai më tha: “Po pse jo o Silva, provoje”. Sapo e këndova që për herë të parë, domethënë me “la la la” sepse tekstin nuk e dija mirë, ai tha: “Sa të shkon kjo kënga”. “Atëherë Dafit tregoja ti”, i thashë “unë nuk ia tregoj dot se s’kam guxim”. Ai ia tregoi, i pëlqeu shumë dhe ramë dakord që të bëhet kënga./tvklan.al