Autoritetet ndalojnë lëvizjet nga një qytet në tjetrin

Prej kësaj të marte, Italia është e gjitha në gjendje të jashtëzakonshme. Kryeministri italian Giuseppe Conte vendosi natën e të hënës të shtrijë masat e ashpra kundër përhapjes së koronavirusit jo vetëm në veri por në gjithë vendin, teksa numri i viktimave arriti në 463, ndërsa ai i të infektuave në afro 8 mijë.

Masat e reja të qeverisë parashikojnë ndalimin e udhëtimeve nga qyteti në qytet. Kryesisht në veri, të gjithë udhëtarët nëpër stacionet e trenave kontrollohen me rreptësi për destinacionin e tyre. Lejohet kalimi vetëm i atyre që kanë arsye të forta për të udhëtuar, siç janë rastet e sëmundjeve apo çështjeve emergjente të punës.

Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të shmangin sa më shumë daljet nga shtëpitë. Kush mundet punon nga shtëpia. Kjo ka çuar në boshatisjen e rrugëve nëpër qytete. Në Romë e qytete të tjera, të prekura së fundi nga masat e ashpra, qytetarët janë dyndur për të blerë në supermarkete nga frika e mungesës së ushqimeve.

Në Greqi numri i të prekurve ka arritur në 89. Bilancit i shtohen 5 të infektuar të rinj gjatë orëve të fundit.

Ndërsa në Gjermani, rajoni federal i Zaksen Anhaltit është i fundit që infektohet dhe tashmë i gjithë vendi konsiderohet i prekur, me një bilanc prej 2 viktimave dhe mbi 1200 të infektuarish. Masa të ashpra kundër përhapjes po merren edhe në këtë vend, siç është ndalimi i të gjitha grumbullimeve. Edhe në Spanjë janë mbyllur shkollat për një periudhë të pacaktuar.

Rastet e para të infektimit janë shënuar edhe në Qipro, çka tregon që i gjithë Bashkimi Europian është prekur nga koronavirusi.

Mbi 4 mijë janë të vdekurit në gjithë botën dhe mbi 114 mijë të infektuarit. Ndërsa mbi 64 mijë janë shëruar.

Tv Klan