Dy ngjarje të rënda kriminale të njëpasnjëshme, një në Tiranë dhe një në Elbasan, ka bërë drejtuesit e Policisë së Shtetit që të nxjerrin në terren të gjithë forcat e tyre në mënyrë që të mbajnë nën kontroll situatën dhe rendin publik. 73 pika kontrolli janë ngritur në akset rrugore nacionale, në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale, ku janë ushtruar kontrolle në dhjetëra mjete, banesa, lokale apo ambiente të ndryshme.

“Në zbatim të planit operacional janë angazhuar të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, forca e posaçme “Shqiponjat”, FNSH-ja, RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit”, njoftoi policia këtë të shtunë.

Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë 21 persona, janë proceduar penalisht 4 të tjerë dhe janë ndaluar 7 persona të shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, për përdorim të dozave me kanabis e deri tek drejtimi i mjetit pa patentë apo në gjendje të dehur.

Në Peqin, gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga A.Gj., 63 vjeç, banues në fshatin Përparim, Peqin, të cilit në automjetin tip “BMW” me të cilin qarkullonte iu gjet një armë zjarri pistoletë tip TT, 3 krehëra dhe 21 fishekë.

Në Vlorë, gjatë kontrolleve në banesa e ambiente, në zbatim të planit të masave u kap dhe u arrestua në flagrancë Y. S., 63 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesë policia i gjeti 12 kg lëndë narkotike dhe disa kubikë bimë të dyshuara kanabis sativa.

Po gjatë kontrolleve, shërbimet e policisë së Vlorës kanë bërë shpalljen në kërkim të shtetasit B. M., 51 vjeç, banues ne fshatin Velçë, Vlorë, pasi policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri gjysmë automatike model 56 dhe municion luftarak.

Në Tiranë janë vënë në pranga 4 shtetas të cilëve iu janë gjetur me vete doza me lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Në Korçë e Berat janë proceduar 4 persona, për kundërshtim të punonjësve të Policisë. Për shkak të drejtimit të mjetit pa patentë apo në gjendje të dehur janë vënë në pranga 15 shoferë.

Të martën kryeqyteti u trondit nga një atentat mafioz, ku ndaj makinës së Preng Gjinit shpërtheu një sasi tritoli. Dy ditë më vonë, në Elbasan u vra Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës i dyshuar si i përfshirë në grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit dhe disa ngjarje kriminale në këtë qytet. Deri më tani për këto dy ngjarje të rënda nuk ka asnjë të arrestuar. /tvklan.al