Vrasja e një 21-vjeçareje greke në ishullin e Rodosit më 28 Nëntor tronditi mbarë komunitetin ku ajo jetonte. Por edhe më tronditës është mënyra sesi studentja Eleni Tofaloudis u vra. Mediat greke shkruajnë këtë të martë se autorë të ngjarjes së rëndë janë dy të rinj, një 21-vjeçar nga Rodosi dhe një 19-vjeçar shqiptar.

Dy të rinjtë u ndaluan nga policia dhe u morën në pyetje gjatë gjithë natës. Në fund pranuan krimin, megjithatë ata mësohet se kanë tentuar t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit.

Dyshimet e autoriteteve greke janë se kemi të bëjmë me një krim seksual. Dy autorët e dyshuar dhe 21-vjeçarja ndodheshin në shtëpinë e njëri prej dy djemve, kur këta të fundit e goditën me një objekt metalik në kokë, pasi Eleni i refuzoi.

Pas kësaj, ata e futën trupin e studentes në një makinë dhe e hodhën nga lartësia në ujërat e detit, në zonën e Lindos. Ajo që e bën edhe më makabër këtë krim, është fakti se e reja dyshohet se ishte gjallë kur u hodh në det. Ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi ujë në mushkëritë e saj, që do të thotë se 21-vjeçarja vdiq si pasojë e mbytjes. Bashkë me trupin e saj, autorët hodhën në det edhe sendet personale të viktimës.

Policia e Rodosit ra në gjurmët e të rinjve fillimisht pasi kamerat e sigurisë pranë shtëpisë së saj kishin fiksuar momentin kur ajo futej në makinën e njërit prej autorëve. Gjurmët e ADN-së së saj u gjetën si në automjet ashtu edhe në apartament.

/tvklan.al