Holanda kishte lajmëruar Belgjikën për të shkuarën radikale të vëllezërve El Bakraui, 5 ditë përpara atentateve në Bruksel.

Në fjalën e tij para Parlamentit holandez, ministri i Drejtësisë Ard Van Der Steur deklaroi më 16 Mars se kishte marrë një raport nga FBI-ja, lidhur me precedentët kriminalë dhe radikalë të Ibrahim dhe Kalid El Bakraui.

Ministri holandez shtoi se paralajmërimi u është transmetuar autoriteteve belge një ditë më pas, më 17 mars, gjatë një takimi dypalësh mes krerëve të policisë së dy vendeve.

Nga ana tjetër policia federale belge e mohoi pretendimin e holandezëve, duke thënë se në takimin dypalësh të 17 Marsit, nuk u përmendën vëllezërit kamikazë. Këto zhvillime vijnë në një kohë kur forcat belge të sigurisë janë vënë në qendër të vëmendjes dhe akuzohen për nënvlerësim të rrezikut terrorist.

Ndërkohë autoritetet në Belgjikë konfirmuan se bilanci i viktimave është 32 të vdekur, të gjithë të identifikuar dhe mbi 300 të plagosur. Të hënën u njoftua për 35 të vdekur, por zyrtarë belg njoftuan se 3 nga viktimat ishin me dyshtetësi dhe janë numëruar dy herë.

Tv Klan