Rubrika “Ligji i rrugës” në programin Rudina në Tv Klan, pasditen e kësaj të enjteje bashkë me avokaten Margarita Kola u ndal në përdorimin e fotove ose videove personale. Duke sjellë për publikun shembuj të shkeljes së privatësisë nga të tjerët, moderatorja e programit në sajë të temës ndau një histori personale të disa viteve më parë. Rudina Magjistari tregoi se si një frazë e saj në program u përdor nga një faqe për reklamimin e një kremi kozmetik.
“E kam jetuar nën lëkurë! Po flisnim për një përbërës të kremrave kozmetikë shumë të rëndësishëm dhe po flisnim për benefitet e këtij elementi të këtij kremi kozmetik. Për të mirat e tij dhe për efektet që kishte në lëkurë sepse ishte vërtet shumë i mirë. Ndërkohë çfarë kishte bërë dikush tjetër që praktikisht duhet të jetë një mashtrues dhe është e vështirë që t’i gjesh këmbët ndonjëherë, kur e kërkon më pas. Kishte shkëputur këtë pjesë të videos nga programi kur ti flet për të mirat e këtij elementi dhe ia bashkëngjiste kremit të vet, të cilit ai ia kishte vënë po të njëjtin emër dhe dukej sikur unë po i bëja reklamë kremit dhe po flisja pikërisht për këtë krem. Ishte skandaloze. Kur e kam parë jam munduar që të komunikoj, nuk shkova deri në denoncim, por e kisha bërë denoncim nëse nuk do e kishte hequr. Por, më erdhën shumë “screenshots” nga njerëz të ndryshëm dhe dashamirës, të cilët gjej rastin edhe një herë që t’i falenderoj. Ka kohë që ka ndodhur kjo histori”, tregoi Rudina Magjistari.
Për temën dhe rastin që moderatorja tregoi, avokatja Margarita Kola tha se të tilla ngjarje kalojnë kufirin moral apo etik dhe klasifikohen si shkelje të ligjit. Në të tilla raste është Departamenti i Sigurisë Kibernetike që merret me hetimin e personave që kanë përdorur foto apo video të dikujt tjetër.
“Kjo padyshim që nuk është as situatë etike dhe është në kundërshtim me ligjin. Nuk i lejohet askujt që të marrë profilin e dikujt dhe ta vërë në shfrytëzim të një pune që do të kryejë ai, qoftë ky dhe një reklamim. Absolutisht kjo është e paligjshme. Kemi ngritur dhe ne Departamentin e Sigurisë Kibernetike, e cila është pranë Drejtorisë së Policisë dhe këto janë krime me natyrë kibernetike, të cilat mund të denoncohen dhe pastaj është divizioni i krimit kibernetik i cili ndjek rastet dhe shkon deri tek gjetja e adresës se nga ka ardhur ky material dhe si përdoret”, sqaroi avokatja Margarita Kola./tvklan.al