Sot në emisionin Rudia në Tv Klan ka qenë një çift i njohur i ekranit. Edhe pse ende shumë të rinj në moshë ata kanë krijuar emrin e tyre, përkatësisht në botën e televizionit dhe politikës. Fabiola Hoxha është një gazetare dhe spikere mjaft profesioniste.

Sot për herë të parë në një dalje në ekran, ajo nuk do të jetë vetëm si në studion e lajmeve por me shokun e saj të jetës, Indrit Hoxha anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ata janë njohur para tre vitesh rastësisht ku të dy po bënin punën e tyre.

Takimi i parë ka qenë në 2015, në periudhën e protestave të PD-së. Indriti ka qenë prej vitesh i angazhuar në PD me babain i tij, Fatmir Hoxha ( kreu i Shoqatës të të Përndjekurve Politikë) i cili është ndarë nga jeta para 2 viteve. Në një nga protestat e 2015, Indriti, pjesëmarrës në protestë, shoqërohet nga policia së bashku me shumë figura dhe deputetë të PD-së në Komisariatin Nr 1.

Fabiola gazetare terreni, ishte në pritje të deklaratave në këtë komisariat. Pas disa orësh pritje del Indriti dhe aty e sheh dhe nga ai moment nuk i ndahet më. Pas dy vitesh dhe pas insitimit të fortë nga Indriti, dalin një ditë në kafe dhe aty filloi historia e tyre. 

Rudina Magjistari: Si ka qenë njohja juaj?

Fabiola Hoxha: Kur më pyesin shoqet ku e njohe Indritin ia kthej me shaka në burg, por në fakt nuk është kështu e vërteta se njerëzit keqkuptohen nga kjo fjalë se është pak e rëndë. Unë kam qenë gazetare që mbuloja sektorin e policisë dhe kronikën e zezë dhe sa herë që ka protesta mbulohet qoftë nga ana sociale, qoftë nga ana politike, por është edhe sektori i kronikës së zezë ku gazetari duhet ta mbulojë. Pikërisht shoqërimet që janë bërë në polici, nëse është marrë lejë në polici për të zhvilluar protestën etj.

 Unë kam qenë prezente në çdo protestë që nga viti 2014 që zhvillohej në Tiranë. Në atë kohë, Indriti ka qenë krahu i djathtë i babait të tij i cili nuk jeton më, ka qenë kreu i Shoqatës së të Përndjekurve Politik, plus angazhimi politik tek e djathta. Atëhere ishte prezenca e domosdoshme në çdo protestë dhe unë isha në kontakt të vazhdueshëm me babain e Indritit për protestat. Para se të njihesha me Indritin, unë jam njohur me babain e tij. Ndërkohë që unë komunikoja me atë, i merrja intervista, Indriti si krahu i djathtë i babait ishte gjithmonë aty prezent, aty ka nisur dhe njohja jonë, por gjithmonë në kuadër të punës, nuk ka patur një njohje dashurie në atë kohë.

Indrit Hoxha: E kam njohur nga ekrani më herët, pastaj pjesa e njohjes nga afër ka qenë në një intervistë pasi kam dalë nga komisariati i policisë dhe si të them, njeriu dashurohet edhe në ato kushte dhe me shikim të parë. Pas asaj interviste ka qenë këmbëngulja ime e madhe për të dalë, për ta parë, për gati 2 vite.

Rudina Magjistari: 2 vite insistim?

Indrit Hoxha: Po si i thonë asaj, dashuria është vuajtje.

Fabiola Hoxha: Unë kam pritur me orë të tëra në komisariat që prisja të dilnin personat e Partisë Demokratike të shoqëruar në polici, isha e rraskapitur, e lodhur, mezi prisja që ata të dilnin që dhe unë të mbaroja turnin se ishim përtej orarit zyrtar të punës dhe në ato momente del Indriti dhe unë thashë ok shyqyr doli një të pyes se çfarë do bëjnë dhe sa kanë ngelur brenda. Ndërkohë që Indriti drejtohet për të tjera qëllime, kurse qëllimi ishte vetëm profesional. /tvklan.al