Një e re nga Rusia, bashkëshorti i së cilës e çoi në një pyll e më pas i preu duart, ka folur për herë të parë për kohën që iu desh të rikuperohej dhe për betejën e vështirë për të pranuar trupin e saj pas kësaj ngjarjeje.

Margarita Grachyova ishte 25-vjeçe, kur ish-bashkëshorti Dimitry e çoi me makinë në pyll dhe i errësuar nga xhelozia dhe zemërimi i theu kyçet me sëpatë, i preu gishtat dhe më pas të dyja duart, duke i thënë se nëse ai nuk mund të ishte me të, atëherë ajo do të ishte sakate. Ai e goditi gjithashtu disa herë me sëpatë në këmbë.

Mjekët arritën që t’ia ngjisnin një prej duarve, por në dorën tjetër ajo përdor protezë.

Duke shkruar në faqen e saj VKontakte, Margarita tha se pas ngjarjes kishte nisur që të mos i dukej më vetja tërheqëse. Ajo tha se ende nuk kishte mundur që të pranonte veten, që prej sulmit të ndodhur në Dhjetor të 2017-s, duke shtuar se e bezdis pamja e duarve dhe këmbëve të saj. Megjithatë, duket se ngjarja e rëndë e ka bërë të renë që të nxjerrë mësime sa i përket tërheqjes dhe bukurisë.

“Të jesh seksi nuk ka të bëjë vetëm me pamjen e jashtme të një personi, apo me gjatësinë e këmbëve, flokëve, apo të pasurit një nishan në vendin e duhur. Është një ndjenjë e thellë, që fshihet diku brenda“, shkruajti Margarita. Sëbashku me shkrimin e saj, 27-vjeçarja postoi edhe imazhe të një sesioni fotografik.

Postimi tërhoqi me qindra komente pozitive dhe komplimente të shumta.

Dmitry Grachyov u dënua me 14 vjet heqje lirie në Nëntor të 2018-s dhe e vuan dënimin e tij në një prej burgjeve të sigurisë së lartë në Rusi. Ai u urdhërua gjithashtu nga gjykata që t’i paguante ish-bashkëshortes 35 mijë dollarë dëmshpërblim, ndërsa kjo e fundit fitoi kujdestarinë e dy fëmijëve. Në atë kohë, Margarita tha se priste një dënim më të ashpër për ish-bashkëshortin.

Krimi brutal i 2017-s tronditi Rusinë dhe çoi në shkarkimin nga puna të oficerëve të policisë për neglizhencë kriminale, pasi ata nuk i siguruan mbrojtje Margaritës nga bashkëshorti i saj i dhunshëm, ndonëse ajo kishte kërkuar disa herë ndihmë./tvklan.al