Vilson Tafçiu mbeti i vrarë me armë jashtë një lokali në zonën e Astirit në Tiranë më 20 Janar të vitit 2020. Ai u vra nga shoku i tij, Noel Dishi, pas një konflikti mes tyre. Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus sjell për herë të parë dëshmitë dhe rrëfimin e familjarëve të të ndjerit Vilson Tafçiu, si e mësuan ata lajmin për vrasjen e djalit të tyre.

Xhaxhai i Vilsonit: Më datë 19 Janar, Vilsonit i vdiq gjyshi i vetë në zonën e Maqellarës. Erdhi na mori, shkuam ditën e parë, bëmë varrimin, na përcolli na solli tek shtëpia.

Nëna e Vilsonit: Ne kemi pasur të tretat e gjyshit, në 4 pa çerek të darkës ka marrë nusen nga shtëpia e dajave, e ka çuar te babai i vetë edhe është nisur për Tiranë.

Kryeplaku i fshatit: Më njoftoi policia, më kërkuan emrin. Ky e kishte ndërruar mbiemrin, kishte vendosur mbiemrin e gruas, unë nuk e dija. Pas 10 minutash e mora vesh që është vrarë Vilsoni.

Xhaxhai i Vilsonit: Më 19, atë ditë që vëmë varrimin në darkë, ne na ndodhi një fatkeqësi tjetër dhe më telefonojnë, vdiq burri i një kushërirësnë Durrës, në Sukth. Dhe nuk arrita në ditën e 3 që të shkoj te gjyshi i Vilsonit. Dhe telefonova kunatën time, Fatmirën, i thashë kështu ka bërë vaki, jam i pamundur të vij nesër. Ika në Sukth të Durrësit, mora pjesë në varrim te miku sipas traditave që kemi, dhe u ktheva. Në orën 20:00 kam ardh në shtëpi nga Durrësi. 

Nëna e Vilsonit: Kur ka ikur për Tiranë, ka ardhur në Peshkopi, ka takuar ca shokë të vetët se djali e kishte në plan pas 3 ditësh të ikte për emigrim. Dhe kur ka ikur për Tiranë, djali ka kaluar nga rruga e Kukësit. Në Kukës i është bërë telefonata e fundit nga Noeli (autori i dënuar i vrasjes). Kam mësuar që veç e ka marrë në telefon, i ka thënë o Soni ku je. Soni i ka thënë ‘jam në Kukës duke ardh për Tiranë’.

Xhaxhai i Vilsonit: Në orën 20:20 telefonoj vetë Vilsonin unë personalisht. I them ku je. Më tha mua ku je të vijtë të marr. Unë jam në shtëpinë time i thashë. Ku je ti i thashë? Tha jam në Tiranë. Tha nga ora 16:00 pasi mbaruar mortin e gjyshit u ktheva, se kishte dhe një makinë të një shoku. Flasim tha se jam me ca shokë në kafe. 20:20 kam folur për herë të fundit, me mua ka folur.

Kryeplaku i fshatit: U sqaruam që ishte Vilsoni, ishte vrarë. Momentet e para nuk dihej kush e ka vrarë, nuk diheshin rrethanat se si, ku ka qenë. Vetëm morëm njoftim që është vrarë në Tiranë.

Nëna e Vilsonit: E kam telefonuar djalin, a arrite në Tiranë. Djali më tha sa kam arritur, jam duke hapur shtëpinë, do futem të bëj një dush dhe do iki të pi një kafe. Telefonata e parë që më ka ardhur mua për vrasjen e djalit, ka qenë xhaxhai i djalit. Më mori xhaxhai i djalit në telefon dhe më tha ku je. Unë i thashë jam te vëllezërit e mi. Më ka kërkuar vëllain e vogël në telefon. Më tha ma jep njërin nga vëllezërit se duhet të flas. Djai i vogël jashtë, foli me xhaxhain e Sonit, i sqaruan punët, u fut vëllai brenda dhe i thashë çfarë është. Tha paska bërë djali karambol.

Kryeplaku i fshatit: Kam komunikuar me xhaxhain e vetë. Ishte marrë vesh faktikisht, se kush e ka njoftuar nuk e di, por unë e njoftova, bëra punën time.

Xhaxhai i Vilsonit: Në orën 21:00, 20:55 më merr një i afërm i joni. Më tha mua, më vjen keq, por Vilsoni e ka mbiemrin Tafçiu? Po i thashë. Tha që është në gjendje kritike për jetën. U habita për momentin, se punë 20 minutash kisha folur me të ose gjysmë ore. Çfarë ka? Dhe ma mbylli kaq telefonin. I bie prapë telefonit dhe më thotë mua me keqardhjen më të madhe ka ndërruar jetë, e kanë vrarë. Është vrarë në Astir. Nuk mund të ta thoja që në fillim, bëhu i fortë më tha. Mua para 2 muajsh e gjysmë më kishte vdekur edhe vëllai.    /tvklan.al