Emisioni “Historia ime” në Tv Klan trajtoi këtë të premte historinë e fortë të një babai, i cili kërkon që të takojë vajzën e tij, por ish-bashkëshortja nuk e lejon. Mehmet Ibra është një burrë nga Luzi i Kavajës. Ai rrëfeu përballë moderatores Mirela Milori se në vitin 2011 lidh kurorë me një grua nga Tirana. Kjo ishte martesa e tij e dytë pasi më parë kishte qenë i martuar me një grua tjetër me të cilën ka edhe tre fëmijë të tjerë. Ai jetonte me gruan e dytë në një nga zonat e Tiranës në kohë kur edhe bëhet me një vajzë tjetër. 

“Jetonim në “Ali Dem”. Gjatë kohës që jetuam në “Ali Dem” si çdo familje shkoja në punë, ajo shkonte në punë. Pas një farë kohe mbeti shtatzënë dhe na erdhi në jetë vajza e vogël Sara. Është 9 vjeç. Kur ishte Sara, 6 muajshe filluan edhe ato problemet familjare”, tha Mehmeti.

Por edhe martesa e dytë shkoi drejt divorcit pasi Mehmeti rrëfeu se ish-bashkëshortja kishte filluar të kishte lidhje me dikë tjetër. Ai tregoi në “Historia ime”, problemet e para me të shoqen dhe si i kishte dhënë 20.000 euro vjehrrës për një shtëpi në Qytetin Studenti. 

“Pas disa kohësh pasi lind vajza te shtëpia në “Ali Dem” isha me qira. Zonja e kishte shtëpinë për të shitur. Kërkova ta blija. Kësaj nuk i kisha treguar që kisha lekë me vete. Kisha 8.000 euro në bankë, pjesën tjetër i kisha nga Italia. Kur erdhi i zoti i shtëpisë nuk ramë dakord sepse rriti çmimin e shtëpisë. Nuk e blemë shtëpinë, por në këtë kohë ish-gruaja ime me gjithë vjehrrë edhe më thotë “që jemi duke ndërtuar në Qytet Studenti një shtëpi”. Më tha “të keqen nëna pse do e marrësh qiranë këtu se është shumë e vogël”. Sa e mori vesh nuk më la rehat. Më tha pse do e marrësh qiranë kaq larg. Në Qytet Studenti qiraja është edhe më e lartë. “Nëna sido që të jetë, gocës do ia japë një shtëpi. Ti meqë i paske këto lekë, m’i jep edhe sido që të jetë puna ti mos të ngelesh në rrugë”, tha ajo. Unë nuk i dhashë fjalë, por thashë të pyesja nënën time. Ajo më tha që t’ia jap ato lekë edhe nuk është se do ngelja jashtë. I jap lekët, 20.000 Euro”, tha ai.   

Mehmeti rrëfeu se kishte pasur dyshimet e veta se bashkëshortja e tradhtonte kur kthehej nga puna. Më pas kishin qenë disa telefonata që ish-bashkëshortja bënte me të dashurin, ku vendosi të ndahej.

“Për të shkuar në punë kjo donte vetëm 20 minuta. Për të ardhur kjo vinte 3-4 orë me vonesë. Ne filluam problemet. Kisha dyshimet e mia. Shtatë herë i çonte kjo telefonatë, një herë ai, kur kjo dilte nga puna. Më rrinte si hu. Për hatër të fëmijës nuk mendon i thashë unë. Sido që të jetë më tha “lekët t’i kam marrë, gocën ta kam marrë”. Aty i flas vjehrrës dhe i them që nuk po na shkojnë punët mirë dhe foli gocës se nuk është problemi im. E merr në telefon kjo dhe i thotë hajde se nuk është në shtëpi. Këtu ia jap të vëllait telefonit dhe i them ja kush është motra. Vendosa dhe e lashë”, rrëfeu Mehmeti.

Pas shumë vitesh debatesh ai i kërkoi divorcin i cili u finalizua në vitin 2017. Por që nga viti i ndarjes, lind edhe drama e Mehmetit. Gjykata vendosi që vajza të jetë në ngarkim të nënës.

“Problemin më të madh e kam me vajzën. Nuk kemi lind me lekë. Në gjykatë kërkova, duke qenë se jam babai i saj dhe të mos më harrojë si babë ma jepni gocën një herë në javë, të dielën, dy orë. Kam një pension për të paguar. M’i hedh lekët surratit dhe thotë pa 200 mijë lekë mos të të shoh në derë”, tha Mehmeti.

Gjyqi i ka dhënë të drejtën ta takojë fëmijën, por për herë të fundit Mehmeti e ka takuar para 2 vitesh vajzën e tij.

“Kam shkuar disa herë që ta takoj mirëpo meqenëse ky zotëria punon në polici, mund të shkojë atje dhe mua jo që nuk më japin të drejtë, por nga dera e shtëpisë më çojnë në polici”, tha Mehmeti.

Mehmeti tregoi se është kërcënuar nga ish-gruaja dhe vëllezërit e saj që të firmosë një prokurë sepse ajo kërkon të largohet bashkë me vajzën në Itali. Ai tregoi se nuk e firmosi sepse nuk kishte parë asnjë dokument shëndetësor.

“Thotë për kurim. E ka shtruar dy javë gocën këtu, por nuk ka gjë goca për Itali. Mjekët i kanë thënë që të rrijë këtu, por ata nuk kanë lënë gjë pa luajtur për ta nxjerrë. Nëna thotë se vuan nga mushkërinjtë. Kam folur me mjekët dhe që kur pashë që letrat e shëndetësisë mungonin thashë që nuk e jap firmën. Më ka marri malli për vajzën saqë sido të jetë fëmija im është gjaku im. Këta janë aq të pushtetshëm saqë unë rrihem me vëllezërit e kësaj, kanë paguar dëshmitarë”, rrëfeu Mehmeti përballë Mirela Milorit.

Me lot në sy, babai i Sarës tregoi edhe një nga momentet më prekëse kur ka takuar vajzën.

“Unë shkoj të takoj vajzën ata më sjellin policinë. I bie ziles më del vajza. E pa motra e madhe. Në këtë moment i çojnë mesazh vëllait. I them vajzës hajde të jap një akullore. “Nuk vij”, më tha goca. Në momentin që ky vjen nga mbrapa me më gjuajtur vajza qan dhe thotë “Babi po të vret daja”. Ika, por e dija që fëmija më do”, tregoi mes lotësh Mehmeti.

Stafi i “Historia Ime” u mundua që të kontaktonte me ish-bashkëshorten e Mehmetit. Edhe pse një ditë më parë ajo kishte konfirmuar se do fliste, këtë të premte nuk e hapi telefonin.

Avokati Ilir Korbi tha se, “Një nga të drejtat që jepet në gjykatë është që prindit që nuk i është caktuar kujdestaria ka të drejtë të kryejë vizita me fëmijën. Prindi që nuk i është ngarkuar fëmija ka të drejtë të kalojë pushime me vajzën si në periudhën dimërore dhe në periudhën e verës”.

Korbi tregoi se për zbatuar vendimin e gjykatës Mehmeti duhet t’i drejtohet Përmbarimit së bashku me një psikolog.

“Kjo i jep mundësinë prindit që të takojë fëmijën. Jemi para kushteve të ndryshme. Nuk janë më të njëjtat kushte që kanë qëndruar në dhënien e këtij vendimi. Gjykata duhet t’i drejtohet gjykatës. Gjykata ndryshon vendime”, tha avokati.

E pranishme në studio ishte edhe psikologja Lorela Garuli, e cila shpjegoi pasojat që mund të ketë kjo çështje tek një fëmijë.

“Krijohen trauma që nuk trajtohen, mbahen gjithë jetën me predispozitën për t’u përsëritur. Ajo edhe nëse do ta takojë babain është e pafuqishme për të ngritur zërin ndaj “pushtetit” të nënës. Jo vetëm konfliktet, dramat, por ndrydhja e emocioneve sepse tashmë i mungon figura e babait është e dhimbshme. Besoj se është nëna ajo që duhet t’i bëjë një thirrje ndërgjegjes për të mirën e vajzës”, tha psikologia. /tvklan.al