Pak ditë më parë emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi një denoncim në Cakran të Fierit, sipas të cilit mjeku i përgjithshëm i familjes, Ylli Muçelli, punonjës i qendrës shëndetësore, në orarin e punës kryen vizita të ndryshme eko, për organe të brendshme në një ambient të përshtatur si klinikë përbri qendrës shëndetësore.

Qytetarja u ankua për dhimbje veshkash dhe mjeku Muçelli la qendrën shëndetësore dhe i bëri ekon, duke i dhënë edhe recetë, pasi e nxori me infeksion veshke.

Mjeku nuk është fare i specializuar për këtë dhe në një vizitë në Tiranë, qytetarja rezultoi pa asnjë problem me veshkat. Drejtori i qendrës shëndetësore Cakran, Tonin Xhelaj, refuzoi të japë shpjegime.

Qytetarë të ndryshëm kanë komentuar të tjera problematika për këtë çështje e këtë mjek. 

“Kam edhe unë një rast nga ky zotëri që i ka bërë vizitë babait tim. Babai im vuan nga këmba dhe ai i ka dhënë ilaçe, pasi babai i piu kemi shkuar me urgjencë në Fier dhe kemi vajtur në çastin kur s’kishim se çfarë të bënim më. Babi bëri serum dhe qëndroi dy ditë në spital, më pas vazhdoi ilaçet e sakta,” ka shkruar një qytetar.

“Mirë ja bëtë Yllit, se aty është gjithashtu një zonjë që mashtron njerëzit për analizat. Ajo i merr aty në atë ambient të përshtatur si një klinikë private dhe i dërgon në Fier,” komenton një tjetër.

Mjekja Brunilda Shiroka shprehet se duke bërë një punë që nuk i takon, mjeku shkakton pasoja serioze në shëndet.

“Realisht jam pa fjalë në atë që pashë dhe dëgjova. Nuk e di dhe nuk mund ta mendoj dot që brenda një kuadri profesional që një mjek ka një kuadër mundësish apo hapësirash ku duhet ta ushtrojë profesionin. Tejkalimi qoftë edhe vetëm i një elementi, qoftë i ditur apo i paditur nga ana e mjekut, por që ende i pavërtetuar me dokumentacione, pra me një licencë të vërtetuar nga Urdhri i Mjekut për profesionin në fjalë, pra për ushtrimin e profesionit të ekografistit, tejkalimi i kësaj kompetence është tejet i rrezikshëm nga ana profesionale, përtej anës ligjore. Të tejkalosh kompetencat apo të marrësh kompetenca të cilat nuk i përfiton apo nuk të takojnë është tejet e gabuar në mjekësi, kudo është e gabuar, por në mjekësi mund të dëmtojë shumë. Dëmi më i vogël është nëse jep një mjekim që nuk është i nevojshëm, por nëse nuk vlerëson si duhet një element diagnostik patologjik prezent në organizimin e një pacienti të ofruar për ta marrë këtë shërbim atëherë mund t’i riskohet jeta. Çdo medikament është një helm më vete, le të themi, pra çdo bar ka një efekt pozitiv për të cilin ne e përdorim, por sigurisht ka dhe shumë efekte të tjera të padëshirueshme, e vlerësuar nga mjeku balanca e këtyre dy efekteve anon në anën efektive të tyre, jo vetëm që është dëmi që i bën pacientit, po është dëmi të cilit i bën shoqërisë,” tha për mikrofonin e “Stop” mjekja, Brunilda Shiroka.

Urdhri i Mjekëve i Këshillit Rajonal të Fierit ka konsideruar menjëherë këtë rast, ku në shkresën e dërguar për emisionin “Stop” thuhet se ka nisur procedura e verifikimit mbështetur në rregulloren e gjykimit disiplinor të këtij urdhri. Ylli Muçelli është pajisur nga ana e këtij urdhri me licencë për ushtrimin e profesionit vetëm si mjek i përgjithshëm.

Rovena Kolici, sekretare e UM Fier, thotë se kjo strukturë i është drejtuar prokurorisë për rastin e transmetuar.

Rovena Kolici, sekretare e UM Fier: Nga momenti që u shfaqën pamjet, ne i quajtëm se zëre se na i keni dorëzuar. Dhe çfarë bëmë? Menjëherë i jemi drejtuar prokurorisë dhe presim përgjigjen e prokurorisë. Nëse nuk është bëtë regjistrim penal, vazhdojmë ne.

Avokati Gylsen Zhllima avokat kërkon ashpërsim të Kodit Penal për mjekët, që neglizhojnë.

“Së pari unë e kam parë si emision dhe të them të vërtetën u habita. Neglizhenca mjekësore nënkupton jo vetëm mënyrën se si një mjek trajton pacientin, por është edhe mënyra se si ai e rekomandon pacientin. Mjekët në tërësi duhet patjetër të kenë një disiplinë penale. Pse? Sepse ato trajtojnë qenie njerëzore, organi i akuzës gjatë hetimeve paraprake ka mundësi që në fund fare të ndryshojë akuzën, por mund të mbetet akuza ‘shpërdorim i detyrës’, sepse ‘shpërdorimi i detyrës’ kërkon shkelje të ligjit, pra në rastin konkret Urdhri i Mjekut zbatohet në një ligj. Kemi të bëjmë me një vepër penale të dyshuar si ‘shpërdorimi i detyrës. Patjetër duhet të bëjmë një ndryshim radikal që do të jetë ashpërsimi i masave, ndaj çdo mjeku që shpërdoron betimin e tij,” tha avokati Gylsen Zhllima./tvklan.al