Në mesin e Janarit emisioni “Stop” trajtoi rastin e tenderit të autobusëve në bashkinë e Durrësit. Bashkia kishte skualifikuar pa të drejtë kompaninë “Vata trans”, ndërsa Gjykata Administrative Durrës në 5 shkurt kërkoi rishikim të procedurës së tenderit.

Pas rastit të publikuar në emisionin “Stop” për sa i përket tenderit të linjës së autobusëve Manëz-Durrës-Manëz, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës më datë 5 Shkurt 2019  del me këtë vendim: I pranon pjesërisht kërkesë-padinë shoqërisë “Vata Trans” si dhe detyron palën e paditur, bashkinë Durrës të rishikojë konkursin e hapur për kryerjen e shërbimeve të rregullta të transportit në linjën Manëz-Durrës-Manëz.

Klodian Vata thotë për mikrofonin e Tv Klan se për të dhe për familjen e tij ky është një lajm shumë i madh, shumë i gëzueshëm. “

Që pas ndërhyrjes së emisionit “Stop” gjithçka po merr rrugën e duhur. Gjatë kësaj kohe, sipas verifikimeve të mija, Nënkryetari i Bashkisë, Zhulien Varfaj, i cili ka qenë edhe anëtar i komisionit vlerësues në tenderin me datë 27.9.2018 ka bërë shumë shkelje, duke ndryshuar licencën e linjës Manëz-Durrës-Manëz, duke firmosur në vend të kryetarit të bashkisë dhe duke certifikuar një mjet, i cili nuk ka qenë i futur në tender. Për mjetin me targë 583 TP. Megjithatë unë pata një ballafaqim me nënkryetarin e komisionit, i cili ka edhe postin e nënkryetarit të Bashkisë Durrës, Varfaj, i cili më thotë: ne e kemi mbyllur këtë pjesë, ti mund të presësh edhe 20 vjet, mund të bëhesh edhe me mjekër, për më tepër shikoni videon:”

Nënkryetari Zhulien Varfaj – E mbyllëm neve historinë me juve. S’kemi as nerva, as qejf, që të ashtu…

Qytetari – Ore zotëri, ti dakord s’ke nerva, po unë kam ja 2 vjet që po pres.

Nënkryetari Zhulien Varfaj – Atëherë, mund të presësh edhe 22 vjet, mund të bëhesh edhe me mjekër edhe pastaj kjo pjesa është e jona!

Klodian Vata falënderon emisionin “Stop” dhe i bën thirrje Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë të marrë vendimin e drejtë nëse Bashkia e Durrësit apelon çështjen.

Unë e falënderoj shumë “Stop”-in për këtë vendim që ka marrë gjykata, por kjo nuk është zgjidhje përfundimtare për mua. Nëse Bashkia Durrës e ankimon këtë vendim të marrë nga Gjykata administrative e shkallës së parë Durrës, vendimi do të shkojë në Gjykatën administrative të Apelit Tiranë. I bëj thirrje Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë të mbajë qëndrimin e duhur dhe të vendosë vetëm të drejtën.

/tvklan.al