Vrasja në mënyrë mizore e studentes greke Eleni Topaloudi më 28 Nëntor 2018 në ishullin Rodos, nga shqiptari 21-vjeçar Aleksandër Luca dhe greku 23-vjeçar Manolus Koukouras, padyshim shkaktoi një reagim të fortë dhe tronditje të opinionit publik.

Një histori nga e cila në vazhdën e hetimeve për gati 2 vite, dolën detaje të rënda për mënyrën si e vranë 23-vjeçaren, por dhe për ngjarje të tjera në të cilat ata të dy bashkë kishin qenë të përfshirë.

Mediat greke kanë bërë publike sot detajet e rënda nga një tjetër përdhunim, ku sërish autorë kanë qenë Aleksandër Luca dhe greku Manolus Koukouras, të cilët pak ditë më parë u dënuan me burg përjetë nga Gjykata e Athinës.

Në verën e vitit 2017 në ishullin grek Rodos, Luca dhe Koukouras kishin përdhunuar një shtetase angleze, në atë kohë 26-vjeçe.

Anglezja punonte së bashku me shqiptarin në të njëjtin lokal dhe kishin krijuar bashkë një lidhje dashurie. Sipas mediave greke, një natë, pasi kishin ngrënë darkë jashtë, çifti kishin shkuar në banesën e shqiptarit.

Ndërsa ndodheshin në momente intimiteti, nga njëra prej dhomave kishte dalë shoku i shqiptarit, Manolus Koukouras, i cili kishte veshur vetëm të brendshme.

Aleksandër Luca

Vajza ishte stepur duke e pyetur të dashurin e saj shqiptar se ç’po ndodhte, ndërsa ai i kishte kërkuar që të puthte Koukouras. Por 26-vjeçarja kishte refuzuar, e në këtë moment të dy ata e kishin lidhur dhe e kishin përdhunuar.

Pas përfundimit të aktit të rëndë, shqiptari e kishte marrë të dashurën e tij dhe kishin shkuar në një tjetër dhomë. Vajza e shkatërruar nga ç’kish ndodhur, i kishte kërkuar arsyen se përse ia kishin bërë këtë kurth.

E meritove sepse paralelisht me mua ke pasur dhe një tjetër lidhje”, ishte përgjigjja që ai i kishte dhënë.

Sipas mediave greke, pasi e reja kishte shkuar në banesën e tezes së saj në Rodos, aty ku dhe jetonte në muajt e verës, i kishte treguar ngjarjen dhe të dyja ishin drejtuar në rajonin e policisë ku kishin bërë denoncimin.

Pas arrestimit të të dyve, gjatë dëshmisë ata kishin deklaruar se në fakt vajza kishte pranuar vetë për të kryer marrëdhënie intime me ta.

Në dëshminë e tyre, ata kishin pohuar se të tre ndodheshin në të njëjtën banesë pasi ishin miq dhe pasi vajza kishte bërë dush, kishte dalë nga tualeti thuajse e zhveshur, duke kërkuar lojëra seksuale.

Pas hetimeve, policia i la të lirë më kusht dy të rinjtë. /tvklan.al