11.000 firma për të riun

Samet Mata, 18 vjeç, aplikoi për azil në Britaninë e Madhe, por kërkesa e tij u rrëzua nga Zyra e Emigracionit. Megjithatë, qytetarët e Bristolit janë ngritur në këmbë për të kundërshtuar këtë vendim.

Ata kanë nisur një peticion për të ndaluar deportimin e 18-vjeçarit shqiptar dhe deri më tani janë mbledhur plot 11.000 firma. Fushatës për qëndrimin e tij në Angli po i bashkohen edhe yje të televizionit. Një prej tyre është edhe aktori Joe Sims, i cili është përfshirë në këtë fushatë.

Ai i kërkoi qytetarëve që të firmosin peticionin dhe të bindin qeverinë që të ndryshojë mendje për Sametin.

“Do t’i lutem të gjithëve që ta ndihmojnë këtë djalosh, i cili është përballur me shumë vështirësi. Ai meriton që të realizojë ëndrrat e tij dhe të qëndrojë këtu për të vazhduar trajnim për t’u bërë marangoz”, u shpreh ai.

I riu po mëson zanatin e marangozit. Sipas asaj që shkruajnë mediat, ai u trafikua në Britaninë e Madhe në moshën 15-vjeçare.

Por fatmirësisht arriti të arratisej. Ishte John Strokes, personi që ka nisur edhe peticionin, i cili e mori në kujdestari. Por pasi mbaroi shkollën dhe shkoi në kolegj, Sametit i thanë se kërkesa e tij kundër deportimit u rrëzua.

Kjo pasi Zyra e Emigracionit lejon fëmijët si Sameti që të qëndrojnë në Britani deri në moshën 18-vjeçare. Mirëpo pasi e kalojnë moshën ata deportohen.

Ndërkohë, John Strokes tregoi se duhet të bëhet kujdes me fëmijët, sidomos ata shqiptarë, pasi në këto kohë po shfrytëzohen shumë nga bandat kriminale dhe skllavëria moderne.

“Djemtë “ushtarë” si Sameti janë të lodhur, të traumatizuar, të harruar”, tha Strokes, i cili prej dy dekadash ka marrë në kujdestari të paktën 70 të rinj.

Ndërkohë rasti i Sametit ndjek atë të një tjetër djaloshi shqiptar. Kujtojmë se disa kohë më parë edhe Stiven Bregu rrezikonte deportimin. Por pas një fushatë të madhe të mësuesve kundër këtij vendimi atij iu lejua qëndrimi dhe tani po ndjek praktikën në një firmë finance./tvklan.al