Ada ka ftuar bashkëshortin e tezes së saj, e cila ka ndërruar jetë, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, sepse dëshiron ta ftojë të shpërngulet së bashku me dy vajzat e tij pranë tyre në Fushë-Krujë, pasi kushtet e tyre jetësore në fshatin ku jetojnë janë shumë të vështira. Por Ada ka ftuar edhe të ëmën e saj, Vajdien, për t’i kërkuar që ta çojë amanetin e tezes së saj deri në fund dhe të përkujdeset për vajzat e saj, Sarën dhe Zamirën.

Ada është 20 vjeç dhe vjen nga qyteti i Fushë-Krujës. Ajo tregon se para një muaji tezja e saj 50-vjeçare ka ndërruar jetë, e cila la pas dy vajza, Sarën 16-vjeçare dhe Zamirën 12-vjeçare. Familja e tezes jeton në një fshat të Krujës, Verjon, me kushte shumë të vështira ekonomike dhe në mungesë të ujit dhe dritave.  Ada rrëfen se tezja e saj ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital, ku e shoqëronte motra e saj, e ëma e Adës, ndaj i ka lënë asaj amanet vajzat. Familja e Adës i ka ofruar bashkëshortit të tezes, Fadilit, të shpërngulet pranë tyre në Fushë- Krujë, por ai nuk ka pranuar, pasi nuk ka si t’i mbulojë shpenzimet si shtëpinë me qera, ushqimin dhe çdo gjë tjetër që do t’ju nevojitet. Të gjithë i kanë ofruar përkrahjen e tyre, por ai zgjedh të qëndrojë në fshat, ku nuk kanë asgjë.

Sara, e cila qëndron “e fshehur” për të ndjekur çfarë do të ndodhë, rrëfen se nuk shkollohet, por punon në Fushë-Krujë, ndërsa motra e saj, Zamira shkon në shkollë. Ajo shprehet se i ka kërkuar të atit të shpërngulen aty, por atij nuk i mbushet mendja.

Fadili ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion e “E Diela Shqiptare”, ku shikon në ekranin e murit ndarës Adën, mbesën e bashkëshortes së tij të ndjerë.

Ada – Xhaxhi, unë i di shumë mirë vuajtjet e tua, i përjetoj ashtu siç i përjetojnë vajzat e tua. Ti e di shumë mirë që unë të kam bërë një kërkesë, para se tezja ime të ndërronte jetë dhe në fakt përgjigjia jote ka qenë gjithmonë “Jo”. Unë të kam thënë që merri dy vajzat dhe hajde jeto në Fushë-Krujë. Të kemi thënë që shpenzimet dhe qiranë do e paguajmë ne, ti nuk do mundohesh për këto. Ti e di shumë mirë që edhe vajza jote në Fushë-Krujë punon, punën do e ketë më afër, Mira do të shkollohet më mirë aty dhe ne do të na kesh krahë gjithmonë. Ti e di shumë mirë që atje ku jeton ti nuk ka jetë për dy vajzat sepse nuk ke as ujë as drita, pastaj ti e di që është një varfëri e madhe atje, nuk ke kushte, nuk ke asgjë!  Prandaj të kam thirrur sot këtu, të paktën publikisht të marrësh mundimin ta provosh që të vish të jetosh atje.

Fadili

Njeriu është mësuar gjithmonë në vend të vetë, ku ka lindur kokën.

Arditi –  Po njeriu sakrifikon për vajzat!

Fadili

Njeriu i bën të gjitha, ndryshon çdo gjë.

Arditi – Pse nuk provoni të shkoni në Fushë-Krujë, të paktën 1 vit? Të mos harrojmë që bashkëshortja jote i ka lënë amanet mamit të Adës të kujdeset për vajzat, kështu që ajo do të ishte nënë e dytë për to dhe ti do të kishe mundësi të tjera. 

Fadili

Babi për fëmijët lë jetën. Po e provoj dhe unë një vit në Fushë–Krujë. I thonë një fjale të vjetër “le të bëhet deti kos”, do shkoj. Kam patur hallin të mos më iki toka dhe lopa, por po i hedh në kanal.

Fadili përqafon Adën dhe të dy së bashku do t’i bëjnë surprizë të ëmës së Adës, Vajdies. Ajo pranon ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në “E Diela Shqiptare”. E pyetur nga Arditi se kush mund t’ia ketë bërë këtë surprizë, ajo shprehet se vetëm vajzat e saj mund ta kenë bërë. Ajo tregon ndarjen e motrës së saj nga jeta dhe amanetin që i ka lënë, duke u shprehur se tanimë ka katër vajza.

Ada – Mami, unë e di shumi mirë se sa ke vuajtur ti derisa je martuar me babin, i di shumë mirë hallet e tua, por ti gjithmonë ke qenë e fortë. Ke kaluar sëmundje, të mira, ke bërë edhe shtëpi vetë, pa djalë dhe burrin në krevat të sëmurë. Fatkeqësia që të ra, unë e di shumë mirë që e ke përjetuar shumë keq sepse nuk e prisje, por po të shoh të mërzitur, qan e vajton. Unë nuk dua të të shoh me lot në sy, lotët nuk e kthejnë më atë, por nëqoftëse ti do që t’ia lehtësosh shpirtin asaj dhe që ajo të shohë atje lartë e të jetë e lumtur, dua që ti të mos dorëzohesh kurrë mami! Dua që vajzat t’i mbështesësh, t’i duash ashtu si na ke dashur dhe na ke mbështetur gjithmonë neve. Siç e the dhe vetë,  ke dy vajza dhe u bëre me katër. Nuk dua të dorëzohesh, dua të jesh e fortë dhe të përballesh me çdo sakrificë, me çdo të mirë e çdo të keqe që jeta të ka rezervuar.

Vajdia

Vdektë mami për ju! Ju dua shumë të katërta.

Arditi – Çfarë do t’i thoje Fadilit dhe vajzave?

Vajdia

Unë do t’i them Fadilit amanetin që më ka lënë motra, kam qejf që të vijnë në Fushë-Krujë, ta provojë një herë. Dy gocat t’i mbaj në gjirin tim, do fejohen e do martohen, nuk kanë njeri pranë përveç meje, motrave dhe vëllezërve të mi. Ata i duan shumë. 

Vajdia shprehet se nëse Arditi do të fliste me Fadilin, 90% atij do t’i mbushej mendja të shpërngulet në Fushë-Krujë, por 10%-in Arditi ia ka rezervuar në ekranin e murit ndarës.

 Fadili – Babi për fëmijët bën çmos dhe shkon ku është më mirë. Nëqoftës kalamajtë kanë qejf, s’po ua prish, do vij një vit ta provoj.

Vajdia

Rrofsh!

Sara përqafon tezen e saj dhe më pas i bashkohen dhe Ada me Fadilin, duke na treguar kështu sa mund të sakrifikojnë prindërit për fëmijët dhe se shpirti i pasur i njerëzve mund të lumturojë sado pak njerëzit e tyre të zemrës. Amaneti i të ndjerës u përmbush!/ tvklan.al