Dallëndyshja është tezja e Donatelës dhe e ëma e Eneidit, por mbi të gjitha dashuria e tyre e përbashkët. Prej vitesh ata jetojnë të gjithë në Londër dhe jeta dinamike e përditshme i bën që të mos i kushtojnë shumë kohë njëri – tjetrit. Ata kanë ardhur enkas në program për t’i dhënë një premtim Dallëndyshes por t’i bëjnë dhe një “kritikë” të vogël gjithashtu.

Donatela: Ne jemi rritur në Londër që të vegjël dhe deri diku ka qenë falë mamit të Enit, sepse ajo ka qenë iniciatorja që edhe ne pas familjes së tezes të shkojmë në Londër. Aty kemi jetuar bashkë, kemi ndarë shumë gjëra bashkë të mira, të këqija dhe deri diku është mami im i dytë atje duke qenë se në familjen e mamit vetëm unë dhe motra jemi vajza të tjerat kanë të gjithë çuna, kështu që unë për fat të mirë kam pesë mama dhe e menduam bashkë me Enin si t’ja shprehim deri diku mirënjohjen dhe dashurinë prandaj jemi edhe këtu sot.

Eneidi: Thjesht donim të bënim një gjë të bukur që e ka pasur dëshirë mami që herët dhe na ka bërë shumë gjëra jo vetëm neve, por çdo njeriu dhe ka vuajtur shumë me mua që në fëmijëri me sëmundje pastaj pak më vonë me shkollën që bënim budalliqe.

Ardit Gjebrea: Më tregoni pak si keni shkuar në Angli se e di që historia juaj nuk është kaq e thjeshtë.

Donatela: Si shumë shqiptarë në atë kohë në mënyrë ilegale, viti ’99-të, shumë njerëz, shumë probleme në Shqipëri dhe jo vetëm edhe ne u nisëm në atë rrugë të frikshme deri diku që me shumë kujtime edhe pse kam qenë shumë e vogël i mbaj mend ato periudhat e vështira, unë kam qenë 5 vjeçe me motrën binjake, ndërsa vëllai tre. Tezja që e përjetonte shumë në Londër. Ne u nisëm nga Vlora me gomone deri në Itali, aty qëndruam dy javë tek tezja tjetër. Nga Italia u nisëm për në Belgjikë, nga aty në Londër. Një nënë me tre fëmijë ishte shumë situatë e vështirë, na ndaluan policët, por ata për t’u siguruar që jemi mirë na lejuan të qëndronim aty dy ditë dhe më pas do shkonim në Londër. Atje na ka pritur babai i Enit dhe aty pastaj jemi rritur atje, kemi kaluar shumë kohë, por të dyja familjet jemi lidhur shumë, sepse kemi patur njëri–tjetrin për çdo gjë. Pa tezen unë nuk do isha këtu sot dhe të kem jetesën që kam. Kam përfunduar shkollën e lartë për Kriminalistikë dhe Juridik, fillova punë në profesionin tim në polici, ndërsa tani punoj në Bashki dhe suportoj familjet dhe femra që janë të trafikuara ose që kanë kaluar situata të vështira. Jam shumë mirë, ndihmoj edhe njerëz të tjerë siç më kanë ndihmuar mua dhe mamin tim kur kemi ardhur në Angli, jo të marrin prapë gomone, i sugjerojmë gjithmonë rrugën e drejtë dhe të sigurtë. Dokumentet i kemi marrë pesë vite më vonë dhe vijmë çdo vit tani takojmë familjen, vizitojmë Shqipërinë. Si çdo familje, ne na kritikojnë, na pyesin pak tepër nga ana sentimentale për jetën personale, si mami dhe tezet kanë shumë dëshirë për Enin një nuse…

Gazetari i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkon për t’i dhënë mesazhin Dallëndyshes e cila ka ardhur nga Anglia tek të afërmit e saj në Durrës. Ajo pranon ftesën dhe vjen në studion e programit “E Diela Shqiptare” të cilin e ndjek gjithmonë dhe ka një simpati të veçantë për moderatorin Ardit Gjebrea. Në ekran shfaqet mbesa dhe djali, njerëzit më të dashur që emocionuan Dallëndyshen.

Donatela: Si fillim duam të kërkojmë të dy pak ndjesë për mungesën e kohës nga angazhimet nga punët, e dimë që ti ke shumë qejf qoftë gjërat më të vogla, më sentimentale edhe duam të tregojmë që kërkojmë falje për këtë aspekt për këtë mungesë kohe. Të duam jashtëzakonisht shumë të dy, edhe kemi një kërkesë të vogël, që për nuse dhe dhëndër mos të na ngacmoni më. Në këmbim të kësaj surprize dhe këtij mesazhi që kemi për ty, Eni ka edhe një premtim për ty.

Eneidi: Premtimi im është që do gjejmë kohë çdo javë të dalim bashkë vetëm unë edhe ti, vetëm ne të dy. Ju jeni kënaqësia më e madhe. “Love you mom”, “Të dua mami”.

Dallëndyshja: “Këtë premtim nuk e realizojmë dot, që mos t’i ngacmojmë më për t’u bërë familjarë. Më vjen keq, por po e them publikisht që nuk e realizojmë dot”.

Është vërtetë bukur kur vlerat pozitive dhe traditat shqiptare siç është uniteti i familjes trashëgohen edhe jashtë atdheut. Tani mbetet vetëm të urojmë që partnerin/en e jetës Donatela dhe Eneidi ta zgjedhin, por prapë shqiptarë që Dallëndyshja të jetë plotësisht e lumtur. /tvklan.al