E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Lejla Moses- Ones, ka zhvilluar sot paradite një takim me kreun e shtetit Ilir Meta. Diplomatja amerikane ka shkuar në mëngjes në zyrën e Ilir Metës në Presidencë. Ky takim mbahet në një situatë të tensionuar politike në vend.

Shfuqizimi nga kreu i shtetit i datës së zgjedhjeve vendore nuk ka gjetur mbështetje nga mazhoranca, e cila vijon fushatën elektorale dhe deklarohet prerë se zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor.

Për maxhorancen, çdekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës është antikushtetues, ndaj grupi parlamentar i PS-së ka ndërmarrë një nismë në Parlament për shkarkimin e presidentit.

Ndërkaq kreu i shtetit një ditë me parë nisi konsultimet me partitë politike për caktimin e një date të re për zgjedhjet vendore, edhe pse nga dy kampet politike nuk ka asnjë sinjal për ulje në dialog dhe për një marrëveshje politike. Po ashtu, ky takim ndodh në ditën kur parlamenti diskuton  mocionin e paraqitur nga PS-ja për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti dhe pak orë para se ky i fundit të publikojë qëndrimin e tij përmes një konference shtypi në orën 17.00./ABC News