Një çift u bënë prindër për herë të parë në ditëlindjen e tyre duke sjellë në jetë binjakë. Sipas statistikave, gjasat që prindërit dhe fëmija i tyre të kenë të njëjtën ditëlindje janë 1 në 133.000 ndaj shifra zvogëlohet edhe më tepër në rastin me binjakët.

Ka më shumë mundësi të goditesh nga rrufeja se sa të përjetosh diçka të tillë.

Jose Ervin, 31 vjeç dhe Scierra Blair, 32 vjeç e kanë ditëlindjen më 18 Gusht. Çifti nga Klivlend, Ohajo, nuk e besonte dot se binjakët erdhën në jetë 10 ditë përpara datës së caktuar dhe për ta ishte “dhurata më e bukur”.

Më 00:35 dhe 00:36 kur ditëlindja sapo kishte trokitur, Scierra solli në jetë djalin, Jose Junior dhe vajzën A-ria.

31-vjeçari shpjegon se më 17 Gusht ai ishte nisur për në punë, ndërsa bashkëshortja e tij duhej të takonte mjekun obstetër. Në kthim, ai e kishte telefonuar por Scierra nuk ishte përgjigjur. Mamaja e tij mori një telefonatë prej saj ku e njoftonte se po shkonte në spital për të lindur.

“Shkova dhe na thanë se meqenëse një prej foshnjave ishte në pozicion jo të përshtatshëm, duhej të kryhej operacion cezarian. Ishte ora 17:00 dhe bebet ishin të shëndetshme ndaj sugjerova që të prisnim edhe disa orë që të vinin në jetë për ditëlindjen tonë”, thotë Jose.

Kur vetë çifti u njoh 1 vit më parë, u habitën që kishin të njëjtën ditëlindje sa Jose mendonte se Scierra po tallej derisa i tregoi kartën e identitetit. Ai e konsideroi si shenjë që duhet të ishin bashkë dhe tani janë shumë të lumturi që këtë ditë e ndajnë edhe me fëmijët e tyre./tvklan.al