Një qytetar nga Miloti i është drejtuar emisionit “Stop” për të zgjidhur një problem që kishte me një pagesë gjobe nga Policia Bashkiake.

Më në 25 Janar 2019 ai është gjobitur nga Policia Bashkiake e Tiranës me një gjobë në vlerën e 20 mijë lekëve të vjetra. Po atë ditë qytetari e ka paguar gjobën në postën e Laçit, duke ruajtur edhe mandatin për këtë pagesë.

Por këtë vit ai është ndaluar nga policia rrugore, ku i kanë bërë me dije se ka një gjobë të papaguar në sistem, që i takon datës 25 Janar 2019.

“Unë i nxjerr mandatin dhe i them që e kam paguar këtë gjobë në postën e Laçit. ‘Ti e ke mandatin, por në sistem del e papaguar, më thonë”, shprehet qytetari.

Gazetarja e emisionit “Stop”, pas denoncimit të qytetarit, i është drejtuar postës së Laçit.

Pas komunikimin me punonjësen, ajo e fundit i shpjegon se hedhja e gjobës është bërë manualisht në sistem dhe rezulton një seri tjetër nga ajo që ka paguar qytetari.

Pas komunikimit me punonjësen e postës, gazetarja ka kontaktuar shefin e qarkullimit në Tiranë, Gentian Vocaj, për t’i kërkuar informacion për këtë gjobë që qytetarit i kërkohet që ta paguajë për herë të dytë me një vlerë të shtuar, prej 32 mijë lekësh të vjetra.

Vocaj është shprehur se pas interesimit të emisionit “Stop” u bë verifikimi në sistemin e gjobave, nga ku rezultoi se ishte një gabim nga punonjësja e postës.

“Në momentin që kanë hedhur pagesën e gjobës në sistem, kanë gabuar në një nga numrat e serisë dhe në vend që të hidhnin pagesën për gjobën me numër serie 4328782, kanë hedhur si pagesë gjobën me numër serie 4328872. Pasi u konkludua kjo si problem, u zgjidh bashkë me punonjësit e postës dhe tani në sistem gjoba del e paguar për qytetarin”, u shpreh  Gentian Vocaj. /tvklan.al