Valdrin Sahiti është një nga dizenjatorët e modës më të suksesshëm në Shqipëri e Kosovë, por jo vetëm, me mbi 20 vite karrierë. Ai ka veshur personazhe të shumtë shqiptarë e të huaj, përfshirë yje të muzikës botërore.

Së fundmi, të gjithë u mahnitëm kur në eventin Pre-Grammy Gala 2020, kur pamë që ylli i muzikës botërore, Beyonce, u shfaq e veshur me një fustan të kuq, dizajnuar nga Valdrin Sahiti.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Rudina” në Tv Klan, Sahiti tha se e kishte mësuar nga Instagram që Beyonce kishte veshur fustanin e tij, pasi nuk e dinte datën dhe eventin e saktë kur do ta bënte këtë.

 “Zakonisht, stafi i saj komunikon me departamentin e marrëdhënieve me publikun dhe marketingut në stafin tonë. Ata kanë dy vite që komunikojnë me e-maile për modele të ndryshme. Dërgojmë fustane, disa kthehen, disa qëndrojnë për fotosesione speciale, disa qëndrojnë për video, kështu që unë nuk kam qenë në dijeni ekzaktësisht për eventin dhe ekzaktësisht për datën. Ai fustan ka qenë njëra nga kërkesat nga stafi i saj, të cilën pastaj stafi e ka dërguar tek zyrat e tyre. E më pas unë vetëm jam zgjuar në mëngjes dhe e kam parë sikurse ju në Instagram. Do të thotë se nuk ka qenë e ditur data apo eventi për atë fustan. Normalisht e kam ditur se ajo posedon disa fustane tonat, ka kohë që i posedon, por se a do ta veshë dhe kur do ta veshë, nuk e dija.

/tvklan.al