Të ftuarit e panelit të sotëm në emisionin “Rudina” në “Tv Klan” folën për eventin futbollisitik më të rëndësishëm të kontinentit europian, “Euro 2020”.

Pas kufizimeve të pandemisë, gara e madhe europiane ka nisur në datën 11 Qershor dhe ka dhuruar emocione të forta që pritet të bëhen edhe më intense në duelin final që do të zhvillohet në 11 Korrik për të kurorëzuar ekipin kampion.

Olesia Leço, eksperte Bon Ton, ishte një nga të ftuarat në panel e cila ka arritur të jetë e pranishme si tifoze në ndeshjen hapëse të Euro 2020, atë midis Italisë dhe Turqisë në stadiumin “Olimpico” të Romës. Ajo tregon emocionet e eventit emocionues dhe detaje të organizimit të kampionatit të madh europian.

Olesia Leço: Ishte i mirëorganizuar i gjithë spektakli, shumë emocionues, pastaj ka edhe magjinë që vjen pas një viti vonesë, është një kampionat që do të mbahet mend gjatë edhe për rikthimin, edhe kënga, himni i Euro 202o “We Are People”, ndihej në stadium, ndihej dëshira e lirisë që mund të rrimë përsëri bashkë, që njerëzit mund të grumbullohen në këto evente dhe kanë nevojë. Pra, njerëzit kanë nevojë të ndajnë emocione pranë njëri-tjetrit, në grumbullime të tilla, kjo ndiehej.

Rudina Magjistari: Ishit të ulur në distancë në stadium me njëri-tjetrin apo jo?:

Olesia Leço: Ishte vetëm 20% e kapacitetit të stadiumit “Olimpico”. Ishte një përzgjedhje me distancë, një rresht po, një jo dhe nga 70.000 vende ishin vetëm 25%, shumë më pak. Ishte një rregull shumë i madh, të gjithë ata që do të ishin në stadium, duhet të kishin me patjetër një test 24 orë përpara ndryshe nuk hyje. Ishin oraret e përzgjedhura, fillonin në orën 18:00 pasdite dhe çdo gjysmë ore duhet të hynim, pra ishte diçka e super mirë organizuar, e menduar nga UEFA. Ajo që më bëri përshtypje, të gjithë stjuardët që të prisnin, shihnin publikun, tifozët dhe thoshin “Sa na keni munguar, sa na mungoni!”, pra mikpritja në stadium ishte një gjest më vete.

Rudina Magjistari: Ishte e lehtë për të siguruar biletën?

Olesia Leço: Biletat përzgjidhen me anë të një shorti. Ne në fakt aplikuam për biletat hyrëse dhe për finale në Wembley.

Rudina Magjistari: Ah, do të jesh edhe në finale?

Olesia Leço: Jo, nuk do të jemi në finale. Finalja është në Wembley në Angli.

Rudina Magjistari: Aty nuk iu ra shorti?

Olesia Leço: Jo, ndërsa këtu ishim me fat mund të themi dhe ishte kënaqësi e emocion shumë i madh. Për më tepër që rikthehet jeta pas një viti e gjysmë. Unë kështu e përjetova. Pastaj, spektakli i dritave dukej edhe nga ekrani, mendo magjinë drithëruese atje. Bocelli pastaj është tjetër gjë, por edhe miksimi “We Are People”, këngëtari i ‘’U2” dhe kitaristi i “The Age” ishte prapë emocionues. Njerëzit gëzonin mbledhjen bashkë dhe emocionin e këtij eventi kaq të rëndësishëm. /tvklan.al