Nga Jozefina Topalli:

Dje ka qenë e premte e zezë për PD

Këshilli Kombëtar i PD u mblodh në fund të mandatit të tij për herë të parë (pas atij zgjedhor). Për herë të parë në historinë e PDSH ndodh që në Këshillin Kombëtar të PD të mos lejohet që të diskutohet për zhvillimet politike; Të mos lejohet të bëhet një analizë e situatës pas humbjeve të përsëritura dhe në veçanti pas humbjes katastrofale të 2017;

Asnjë demokrat nuk mund të imagjinonte se përveç kësaj do votohej që të mos flitej për politike, të mos diskutohej për situatën ku është katandisur PD, as për përgjegjësi të drejtuesve, as për emergjencën e nevojës të ringritjes së PD; as për qeverinë më të keqe të këtyre 30 viteve, e natyrisht as për dëshpërimin ekonomik të familjeve shqiptare.

LB vendosi që të mos flitej për politikë.

Se për çfare tjetër Parlamenti (Këshilli Kombetar) i një force politike mund të flasë, nëse jo për politikë, këtë vetëm Luli mund ta shpjegojë.

Këshilli Kombëtar (që nuk e thirrën siç e do statuti përgjatë këtyre 4 viteve asnjëherë) u thirr pa një rend dite politik; biles edhe pa patur draftin e Lulit për ndryshime statuore (sepse atë e shpërndanë me email vetëm pak orë më parë, gjë që nuk të jep mundësi për të bërë një vlerësim serioz); pa u diskutuar më parë me departamentet, pa u konsultuar me sekretariatin, pa u diskutur me degët e rretheve, siç është bërë në dekada në këtë forcë politike.

Për herë të parë, forumi vendos me i heq kompetenca vetes dhe për t’ia shtu Kryetarit. Duket surreale në fakt, por dje kështu ka ndodh dhe e gjitha kjo në çensurë të plotë, sepse as mediat nuk lejoheshin.

Thelbi i mbledhjes dhe i draftit Basha ishte mbrojtja e karriges së Lulit.

Që dje, me letra Luli do jetë i përjetshëm.

Ai mund të humbë të gjitha zgjedhjet edhe më zi se një vit më parë, por Luli aty do jetë me statutin e ri. Shqiptarët do vazhdojnë të ikin të pashpresë nga ky vend, por Luli me letra karrigen prap do e ketë; Shqipëria do vazhdojë të zhytet e të vuaje nga krimi, korrupsioni e varfëria, por tani që po bën letrat e tij, askush nuk do shqetësojë më “Kryetarin e përjetshëm”.

Si “Shkëmb graniti “ aty do qëndrojë-kështu e gënjen mendja Lulin, duke mos kuptuar se kryetar të përjetshëm nuk ka.

Aq poshtë dhe pa dinjitet ka qenë dje drejtimi i mbledhjes, sa as propozimin e vetë Lulit për mandat 2 vjeçar “nuk ia pranoi grupi”- dhe argumenti ishte se nëse hapet gara, pastaj mund të ketë njerëz që mund të konkurrojnë”.

– Kështu u shpreh një tjetër drejtues duke përseritur ça i kishte thënë LB. Dmth në PD nuk ka pse të ketë garë. Në këtë rast ai ishte i sinqertë, sepse vërtetë nuk ka më garë.

Në ‘mbledhje’, dje Lulzim Basha i dha vehtes të gjitha pushtetet duke vrarë edhe me letra demokracinë e brendshme.

Dhe për të mbuluar këtë turp, Luli bën kujdes të shpërndajë në media se po kthehet Jozefina në Këshillin Kombëtar, sepse Luli paska pranuar, që anëtarë të KK të jenë ish-Kryeministri, ish-Presidenti dhe ish-Kryetari i Parlamentit; Hileqar siç di të jetë vetëm ai, për të mbuluar çimentimin e tij dhe kapjen përfundimtare të PD.

Ky nen, në statutin e PD ka qenë në vite.

Jozefina nuk ka ik kurrë nga bindjet e parimet e saj. As ka nevojë për karrige si ai. E kisha karrigen dhe e bëra të qartë publikisht se me LB kam diferenca të mëdha; E kisha karrigen dhe i dola kundër vendimit për shkrirjen e strukturave të PD me urdhër të tij që në 2014; e kisha karrigen kur e kundërshtoja sepse ai nuk kundërshtonte Ramën; E kisha karrigen kur protestoja se ai nuk përballej me Ramën dhe nuk bënte opozitë të fortë: E kisha karrigen kur i thashë se ti nuk mund të sulmoje ashtu perëndimin, sepse është PD forca që ka hap vendin drejt tij; e kisha karrigen kur dola publikisht kundra bojkotit të zgjedhjeve që çonte vendin në destabilizim; Unë nuk kam nevojë për asnjë karrige.

Asnjë në këtë botë, as më heq as më ven në PD. Sepse në PD-në e ëndrrave të viteve ’90, unë kisha hyrë që para se të lindja, por këtë Luli nuk e kupton.

Natyrisht nuk hesht kur shoh vendin tim të rrëshqasë, kur shoh e dëgjoj se kryetari i opozitës është miku i kryetarit të qeverisë; nuk hesht kur shoh se kreu i opozitës kontrollohet nga qeveria, sepse e di që një vend pa opozitë është një vend pa shpresë; aq më shumë për ne, e kemi provuar shumë gjatë dhe me kosto shumë të lartë diktaturën;

Refuzoj të hesht kur shoh rreshqitjen e PD drejt një partie autokratike.

Por nuk çuditem që Luli propozon shfuqizimin e 20 Shkurtit, apo njerëzit e tij votojnë Gramoz Ruçin. Nuk zhgënjehem kur shoh si dëbon demokratët… Unë nuk zhgenjehem prej tij, sepse e njoh më mirë se ç’kujton ai se e njoh.

Për karrigen e vet ai e ktheu PD si një karrige me rrota, që herë e shtyn me Ramën, herë me LSI, por kurrë me demokratët. Jozefina nuk pajtohet kurrë që për demokratët të vendosë Rama me të tjerë.

Jozefina nuk pajtohet kurrë me frymën e përcarjes së PD dhe të gjuetisë së shtrigave të përdorur në vitet e fundit;

nuk pajtohem kurrë me rreshqitjen drejt një mentaliteti komunist që po i bën LB forcës që rrëzoi komunizmin; Jozefina nuk pajtohet kurrë me LB që ditën flet për oligarkë e ndërkohë ndan interesa të mëdha me ta:

Është më mirë që Luli të dorëhiqet e t’i japë mundësi PD të ngrihet për t’i dalë zot vendit; Lul Basha duhet të dorëhiqet për rezultatin katastrofal që i ka dhënë PD; Ai duhet të largohet për marrëveshtjen e tradhëtisë me Ramën; për shpartallimin që i ka bërë strukturave, për rreshqitjen majtas e mbi të gjitha për moskryerjen e misionit si opozitar.

Ai duhet të çlirojë nga pengmarrja PD-në, që është e demokratëve dhe jo e familjes dhe e kunatit; Luli duhet larguar për dëmin e pallogaritshëm që jo vetëm i ka bërë PD, por mbi të gjitha vendit.

Partia Demokratike duhet të ribëhet; Ajo duhet të bashkojë çdo kontribut e vlerë të saj dhe mbi të gjitha të faktojë se është e besueshme për të patur besimin e të rinjve, të atyre të mirë e që e duan vendin.

Partia Demokratike ka detyrë me i dal zot çdo qytetari: demokrat, socialist apo i pa parti. Partia Demokratike ka nevojë për një fillim të ri, rindërtim, bashkim, rithemelim. Ajo ia ka borxh shqiptarëve që i falën ëndrrën e tyre vite më parë.

*Marrë nga faqja zyrtare në Facebook e Jozefina Topallit