E propozuara e Trump për Shqipërinë raporton në senat

E propozuara e Trump për Shqipërinë raporton në senat

23:03 29/10/2019

Prioritet, zgjidhja e ngërçit politik dhe bllokimi i influencave ruse e kineze

Yuri Kim, diplomatja e  nominuar nga Presidenti amerikan, Donald Trump, për të qenë  ambasadore në Shqipëri shpalosi para Senatit prioritetet e misionit të saj të ardhshëm në Tiranë.  Ajo e vuri theksin  tek zgjidhja e situatës aktuale politike dhe mbështetja për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK-ut.

“Do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në terma të menjëhershëm, unë do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në një mënyrë që përforcon kërkesën e pranimit të Shqipërisë në BE. Shqipëria ka një reputacion për të ardhur keq për krimin e organizuar, sidomos trafiku i grave dhe narkotikëve.”

Teksa vlerësoi rolin e Shqipërisë si aleate e NATO-s, Kim garantoi mbështetjen e saj për të penguar çdo influencë që mund të vijë nga vende të treta si Rusia e Kina.

“Do të inkurajoj Shqipërinë të vijojë me kursin e qëndrueshëm për të arritur në 2% të investimeve të mbrojtjes deri në vitin 2024, që kështu Shqipëria të jetë edhe më e fuqishme dhe e aftë si aleate. Do të ndihmoj shqiptarët të forcojnë institucionet e tyre që të kenë më shumë rezistencë ndaj përpjekjeve ruse dhe Kinës që përpiqet të infiltrojë në ekonominë e tyre. Do të punojmë ngushtë për të zhvilluar kapacitetet si aleat i NATO-s.”

Yuri Kim ka shërbyer si asistente speciale e ndihmës sekretarit të shtetit për Azinë Lindore dhe Paqësorin, duke qenë pjesë e delegacionit amerikan në bisedimet shumëpalëshe mbi programin nuklear të Koresë së Veriut. Ajo ka qenë Konsulle Politike në Ankara dhe Bagdad. Nëse kandidatura e saj pranohet, Yuri Kim pritet të zërë vendin ambasadorit Donald Lu të larguar në Maj të 2018-ës.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi