Rubrika “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e veçantë të Marinelës. Ajo prej vitesh jeton në Suedi dhe përmes një lidhje Skype tregoi lidhjen dhe marrëdhënien e veçantë me gjyshërit e saj. Ajo tregoi se ata e kanë rritur, për shkak se prindërit emigruan në drejtim të Greqisë.

Marinela shprehet se dashuria dhe përqafimet nuk i kanë munguar asnjëherë sepse xhaxhai me nusen e tij dhe gjyshërit janë kujdesur dhe i kanë dhuruar shumë dashuri.

Madje, ajo e ka mjaft të vështirë që të ndajë dashurinë që ka për prindërit dhe atë që ka për gjyshërit.

Marinela: Ishte një marrëdhënie shumë e veçantë mes meje dhe gjyshërve. Nuk e di ishim shumë të afruar me ta, madje çdo mëngjes mami që kishte shumë punë për të bërë, na merrte nga ora 5 ose 6, na vendoste në mes të krevatit të tyre dhe shkonte bënte punët dhe ne u rritëm me këtë aromën e gjyshërve. Për mua ka qenë shumë e vështirë që të ndaja dashurinë që unë kisha për prindërit, me dashurinë që unë kisha për gjyshin dhe gjyshen.

Ardit Gjebrea: Tani më trego pak momentin kur mami iku në Greqi?

Marinela: Ka ikur babi i pari në fakt, mesa duket plani që babi kishte, ishte që të shkonte në fillim, sigurisht ilegalisht dhe më pas të mundohej të bënte dokumentat.

Ardit Gjebrea: Qe të merrte dhe mamin?

Marinela: Dhe kjo ndodhi!

Ardit Gjebrea: Sa ndenji mami me babin?

Marinela: Dy vjet!

Ardit Gjebrea: Gjatë kësaj kohe ju rrinit me gjyshin dhe gjyshen?

Marinela: Po dhe me xhaxhain dhe familjen e tij. Në atë kohë nuk kishte as internet, as Messenger, as Skype, që ne mund te flisnim dhe e vetmja mënyrë që ne kishim për të parë fytyrën e njëri-tjetrit ishte duke regjistruar me kamera primitive, regjistronim me videokaseta dhe i dërgonim me xhaxhin ose me tezen.

Ardit Gjebrea: Kështu çmalleshit me mamin dhe babin?

Marinela: Po keshtu çmalleshim!

Ardit Gjebrea: Ndërkohë marrëdhënia me gjyshin dhe gjyshen forcohej akoma dhe më shumë!

Marinela: Gjatë këtyre dy viteve, marrëdhënia me gjyshërit është forcuar jashtëzakonisht shumë. Edhe pavarësisht se prindërit nuk ishin aty, ne dashuria nuk na ka munguar, as përqafimet, as puthjet nga xhaxhai dhe nusja e tij, edhe nga gjyshërit. Nuk e ndjemë asnjëherë faktin që ne jemi të vetmuar dhe nuk i kemi prindërit./tvklan.al