Nuk kanë fund problemet në fshatin olimpik të Tokio 2020. Sikur të mos mjaftonin rastet pozitive me COVID-19, një ngjarje e shëmtuar është regjistruar në vendin ku do akomodohen sportistë nga e gjithë bota.

Sipas asaj që rapotojnë mediat vendase, policia metropolitane e Tokios ka arrestuar një burrë me kombësi uzbeke pasi akuzohet për përdhunim të një 20-vjeçareje në shtetin e ri olimpik të kryeqytetit.

I akuzuari, i identifikuar si Davronbek Rakhmatullaev, pjesë e stafit që punon brenda stadiumeve, dyshohet se sulmoi seksualisht një tjetër punëtor të përkohshëm. Ngjarja besohet të ketë ndodhur të premten. I arrestuari punonte në një kafene në mjediset e stadiumit dhe u takua me viktimën në të njëjtën ditë të ngjarjes.

Burri nga Uzbekistani i ka mohuar akuzat, teksa pretendon se gruaja nuk e refuzoi ngacmimin e tij.
Për këtë rast kanë reaguar dhe organizatorët e Tokyo 2020, ku e kanë cilësuar incidentin mjaft të rëndë, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.

Klan News