Pal Gjelaj, një qytetar nga Lezha tregon në emisionin “STOP” se, që prej vitit 2006 kishte një armë gjahu me leje në shtëpi. Pas një incidenti banal në vitin 2011, djali qëllon në ajër dhe detyrohet të dorëzojë armën në polici. Që nga ajo kohë, ai u end 3 vjet nëpër gjyqe, për të marrë mbrapsht armën me leje.

“Iu drejtova emisionit “STOP” për një padrejtësi që më është bërë. Në vitin 2006 unë bëra lejen e një çifteje. Në vitin 2011, duke gjuajtur për rosa, djali tjetër që ishte me mua merr çiften dhe gjuan në ajër për të trembur disa peshkatarë që kishin lëshuar rrjetat. Ata lajmëruan policinë, të cilët më erdhën në shtëpi dhe më pyetën për armën. Unë u thashë që do t’jua sjell nesër armën se jam burrë që e mban fjalën dhe faktikisht ua çova. Vazhduam seancat gjyqësore 2 javë për të rimarrë armën e gjahun. Kam shkuar 3 vjet nëpër gjykata. Kur fitova gjyqin, shkova në komisariat për të marrë armën, por ajo nuk u gjend. Nuk kam lënë shef policie, komisariati e krimesh pa kapur”.

Të ka munguar arma gjatë gjithë kësaj periudhe?

“Të them të drejtën kam kaluar shumë strese. Mbrëmë që në orën 02:20 nuk kam fjetur më, mendoj më të keqen! Arma është blerë 320 mijë lekë, por për atë kohë kur është blerë kanë qenë shumë. Atë armë e kam përdorur për gjueti, për qejf”.

 

Gazetarët e emisionit “STOP” iu drejtuan Gjykatës së Rrethit Lezhë për të marrë një përgjigjë për këtë çështje.

Kancelarja e Gjykatës Lezhë, Sonada Ndoka tregon se janë në vënë në dijeni të problematikës së z.Pal Gjelaj.

“Nga verifikimi i dosjes rezulton se është vendosur që arma e gjahut së bashku me dokumentacionin përkatës të kthehen. Në këtë dosje ndodhet një procesverbal i datës 05.02.2015, i nënshkruar nga prokurori Gjergj Rudi, kancelarja e mëparshmë Ela Nikaj, kryesekretari i mëparshëm Ilirjan Jaku, si dhe nga vetë z.Pal Martin Gjelaj ku i janë dhënë leja e armës dhe dokumentet e tjera. Për sa i përket armës, ato nuk mbahen ne gjykatë, por në komisariatin e policisë, të cilët duhet të rikthejnë armën në bazë të urdhrit që lëshon prokurori”.

Gazetarët iu drejtuan Drejtorise Vendore të Policisë Lezhë për të pyetur se ku ndodhet arma. Pas 5 orësh pritjeje nuk morrën asnjë përgjigje dhe ende nuk dihet se ku ndodhet arma! /tvklan.al