Rezultonte i zhdukur prej 3 ditësh

Një person është gjetur i vrarë mëngjesin e kësaj të hëne në Shkodër. Endri Mustafa quhet i riu 32-vjeçar që u gjend i ekzekutuar me armë zjarri në zonën e Livadheve. Sipas të dhënave të para, viktima kishte 3 ditë që ishte deklaruar i zhdukur nga familjarët e tij.

Policia pas shumë kërkimesh e ka gjetur atë të vrarë me armë zjarri në zonën periferike të qytetit të Shkodrës.

Endri Mustafa është një person i njohur për policinë pasi ka precedent të mëparshëm penal. Ai dyshohet si pjesëtar i një prej bandave të qytetit verior.

Mustafa ka qenë i arrestuar së bashku me 5 të tjerë në vitin 2016 pasi atyre iu janë gjetur një arsenal i tërë me armë e municione luftarake.

Sipas policisë, gjatë kontrollit atëherë u sekuestruan 6 automjete të ndryshme, 2 antiplumba, 305 copë fishekë model 56, 5 krehra armë zjarri automatikë, etj.

Në të njëjtin operacion, mes të arrestuarve ishte edhe Astrit dhe Brahim Bilali. Këta të fundit u ekzekutuan në një atentat të mirëorganizuar në 2019-n, si pasojë e konflikteve të vjetra mes fiseve Lici dhe Bajri në këtë qytet. Njëri nga viktimat, Brahim Bilali, një ish-kampion i hipizmit ishte kryetar i Shoqatës 2 Prilli. Ndërsa Astrit Bilali ishte babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Astrit Bilali ishte një biznesmen i njohur në Shkodër pasi zotëronte një resort hipizmi në zonën e Livadheve. Pikërisht në këtë resort, në 1 Shtator 2018 u vra në një atentat Arjan Ferracaku, i cili ndodhej në shoqërinë e Astmer Bilalit, që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit.

Dyshimet e para janë që vrasja e Endri Mustafës ka të bëjë me përplasjen mes dy bandave më të fuqishme të Shkodrës, një përplasje që po vazhdon prej vitesh dhe që ka disa viktima mes të dyja palëve./tvklan.al