Eno Mata 32 vjeç mbeti i plagosur në gjendje të rëndë në një atentat të ndodhur ditën e sotme në fshatin Poro të Vlorës. Ai njihet edhe me emrin Aleksandro Mata, identitet të cilin e përdor në Greqi. 32-vjeçari ka një histori të errët në shtetin grek, ku kërkohet nga autoritetet për grabitje dhe si i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e avokatit Mixaleis Zaferiropoulos, ngjarje e ndodhur në Tetor 2017 në Athinë.

Vrasja e avokatit Zafeiropoulos:

Policia greke publikoi në Nëntor 2017 fotografitë e dy vrasësve të dyshuar të avokatit të njohur grek Mixaleis Zafeiropoulos. Ata janë Mikela Brahimas dhe Eno Mata. I pari është arrestuar tashmë nga autoritetet greke dhe ka pranuar krimin. Ndërsa Eno Mata ka qenë gjatë gjithë kohës i shpallur në kërkim. Ai përdor edhe emrat Aleksandro dhe Aleksandros. Dyshohet se 32-vjeçari ka kaluar disa herë ilegalisht kufirin greko-shqiptar në harkun kohor të 1 viti e gjysmë. Edhe pse ka qenë në kërkim si i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e avokatit, ai vazhdimisht ka mohuar që të ketë lidhje. Tvklan.al mëson gjithashtu se nga pala greke nuk ka pasur më herët asnjë dhënie informacioni drejtuar palës shqiptare për Eno Matën.

Grabitjet në Greqi:

Më 31 Janar 2019, Eno Mata kishte marrë pjesë në grabitjen e një argjendarie në lagjen “Ambelokipi” të Athinës. Nën kërcënimin e armës, ai dhe bashkëpunëtori i tij grabitën disa bizhuteri dhe goditën vajzën e pronarit të argjendarisë duke i shkaktuar dëme të lehta. Kamerat e sigurisë së biznesit kanë filmuar Eno Matën duke hyrë në argjendari. Ndërsa në Qershor të vitit 2018, kishte marrë pjesë në një tjetër grabitje ku kishte lënë një shënim për policinë me mbishkrimin “Maradona fluturues”, dhe thoshte se nuk është i përfshirë në vrasjen e avokatit Zafeiropoulos.

Atentati në Vlorë:

Mbrëmjen e së dielës (26 Maj), Eno Mata dhe shoku i tij Sotiraq Mëhilli ranë pre e një atentati me armë në fshatin Poro të Vlorë. Ata udhëtonin me motorçikletë dhe po shkonin drejt banesës së tyre kur iu bë pritë nga persona të armatosur. Nga të shtënat me armë, Sotiraq Mëhilli 22 vjeç humbi jetën rrugës për në spital, kurse Eno Mata ndodhet në gjendje të rëndë. Dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë 32-vjeçari Mata për shkak të problemeve në Greqi. Ndërsa për viktimën mësohet se nuk ka pasur asnjë procedent penal. /tvklan.alvlore