Etleva Kupsi është moderatore radiofonike në një stacion radiofonik në Lushnje dhe ka shkruar 2 libra, të cilët kanë në qendër gruan, të drejtat e saj.

Duke marrë shkas edhe nga rastet e abuzimeve seksuale me të mitur, rrëfen se në vitin 1997, ajo vetë në moshën 5-vjeçare ka qenë dëshmitare e një tentative abuzimi me shoqen e saj 2 vite më të madhe.  

Rudina: Pra ti ke qenë 5 vjeçe, mikesha jote ka qenë 7-vjeçe. Çfarë ka ndodhur, në cilin vend ka ndodhur ngjarja?

Etleva Kupsi: Në vitin 1997 ka qenë koha e trazirave, kisha rreth 2 muaj që isha shpërngulur në qytetin e Rrogozhinës, në një provincë dhe si gjithë fëmijët krijova shoqëri me një vajzë dhe po luaja me të. Mirëpo një ditë, ndodhi që po luaja në shtëpinë e saj, rreth 50 metra larg shtëpisë së saj…ishte kohë trazirash dhe prindërit shpesh na thoshin që nëse dikush i panjohur ju ofron një ëmbëlsirë apo një çokollatë, apo ju thotë që të vini në makinën time, ju mos pranoni sepse ndodh që do ju marrin zemrën dhe organet e brendshme dhe pak apo shumë e kisha përgatitur veten që duhet të ruhem. Ndodhi që ne po mblidhnim lule bore dhe isha rreth 20 metër larg saj. Dëgjoj një bori makine dhe të bërtiturat e vajzës, së cilës nuk mund t’ia përmend emrin. Në atë moment vrapoj për tek shtëpia e saj dhe gjej gjyshin.

Rudina: Çfarë ndodhi në atë moment, ti dëgjove frenimin e makinës dhe çfarë pe?

Etleva Kupsi: Vetëm dëgjova që bërtiti vajza, po qante. I kam ato imazhe si ëndrra tashmë sepse është një moshë që aq ishte logjika ime ta kuptoja. Vrapova për tek gjyshi i vajzës dhe i thashë që po rrahin mbesën tënde. Gjyshi erdhi në kohën e duhur dhe ndaloi një përdhunim.

Rudina: Pra, d.m.th., makina ndaloi, dikush zbriti nga ajo makinë…

Etleva Kupsi: Zbritën 2 djem, në atë moshë mund t’i përcaktoja si 20-vjeç dhe e morën vajzën dhe e shtrinë përtokë, ishte rrugë.

Rudina: Dhe po e godisnin?

Etleva Kupsi: Thjeshtë mundoheshin të kryenin aktin.

Rudina: Në mes të rrugës?

Etleva Kupsi: Po ishte provincë, ishte një fshat. Nuk kishte njerëz. Nuk arritën ta kryenin aktin për fat të mirë dhe gjyshi arrin në kohë dhe e ndalon një akt të tillë.

Rudina: Arrin aty dhe çfarë ndodh?

Etleva Kupsi: Ai i gjuan me gurë ata të dy hipin në makinë dhe largohen. Vajza sigurisht e tromaksur, po qante, një fëmijë 7 vjeç sigurisht nuk arrin ta kuptojë se çfarë po ndodh. Deri më parë mendoja se isha vërtetë një frikacake që nuk kam mundur ta shpreh qoftë edhe me veten time me zë të lartë këtë histori, mirëpo sot mendoj se tani që jam rritur…

Rudina: Po pse ke pasur frikë ta thuash?

Etleva Kupsi: Nuk kisha guximin me veten time, nuk e merrja dot guximin, ishte një ëndërr që unë e shihja shpesh, çdo ditë, me sy hapur mund të them.

/tvklan.al