Një emigrant i jashtëligjshëm shqiptar i cili ishte deportuar nga Britania pasi u kap me kokainë, u rikthyer sërish në këtë shtet, për të bërë të njëjtën punë.

R.Zani ishte arrestuar fillimisht në Tetor të 2019-s, pasi policia e ndaloi teksa udhëtonte me makinë në Bournemouth, Dorset. Atij iu gjetën me vete disa qese me kokainë. Ndaj 22-vjeçarit nuk u ngrit akuzë, pasi do të deportohej drejt Shqipërisë.

Por oficerët e policisë do të takoheshin sërish me të riun, këtë herë në Prill të 2020-s kur shkuan për kontroll në një apartament ku dyshohej se kishte drogë, po në zonën e Bournemouth. Zani po ngjitej nga shkallët kur oficerët po trokisnin në derë. Sipas asaj që shkrun DailyMail, ai u detyrohej një borxh prej 15 mijë paundësh trafikantëve që e kishin çuar në Britani, për këtë arsye punonte për ta në shitjen e drogës së klasit A.

Prokurori Graham Gilbert para gjykatës tha se Zani kishte pranuar se ishte apartamenti i tij dhe kishte ngritur duart lart duke thënë “më merrni”. 22-vjeçari u arrestua fillimisht nën dyshimin se ishte i jashtëligjshëm në Britani.

Por kur policia kontrolloi apartamentin e tij, gjeti dy çanta me kokainë, peshore dhe një listë kontaktesh të cilëve i riu u shiste drogën, ashtu sikurse edhe një kartë identiteti greke që Zani përdorte.

Në përfundim, shqiptari u dënua nga gjykata e Bournemouth me 3 vite burg. Avokati mbrojtës i 22-vjeçarit tha në gjykatë se ai ishte kthyer sërish në Britani për shkak të borxhit që u kishte trafikantëve./tvklan.al