Në emisioni “Historia ime” në Tv Klan ka qenë një grua 31 vjeç e cila jeton në një fshat të Cërrikut. Ajo është martuar me mblesëri që kur ishte ende adoleshente me bashkëshortin e saj, i cili ishte nga një fshat i Gramshit. Kur ishte vetëm 16 vjeç e gjysmë, u bë nënë për herë të parë. Sot është nënë e katër fëmijëve, ku fëmija më i madh është 14 vjeç dhe më i vogli 5 vjeç.

Viti i parë i martesës shkoi mirë, më pas bashkëshorti filloi të shfaqte dhunë fizike dhe psikologjike shumë të fortë ndaj saj. Ajo duroi për 12 vite këtë martesë.

Së pari, për shak të papjekurisë se ishte ende shumë e re dhe së dyti për arsye të fëmijëve. Gruaja jetonte me shpresën se ai do të ndryshonte, por nuk ndodhi aspak kështu. Ai jo vetëm e dhunonte 31-vjeçare, por e mbante mbyllur në një dhomë shumicën e kohës. Kjo dhunë ndodhte vetëm kundrejt saj, jo ndaj fëmijëve të tyre.

Nuk ishte një baba shëmbullor, por të paktën nuk tregonte dhunë ndaj tyre. Sipas gruas, i shoqi kishte çrregullime psikologjike, madje ka qenë dhe i shtruar në spitalin psikiatrik. Megjithatë një moment ajo ia doli të  lajmëronte policinë dhe të iku nga ajo shtëpi. Mbasi iku, u strehua për 6 muaj dhe tek Qendra e Grave të Dhunuara dhe më pas shkoi në Cërrik tek familja e saj. Kanë tre vite që janë divorcuar, u bë dhe gjyqi i divorcit dhe pse i shoqi nuk u paraqit në gjyq.

31-vjeçarja: Lindi çuni i parë dhe sa mbushi vitin filluan problemet, xhelozia, dhuna, më mbante mbyllur, nuk më linte të dilja farë. Një herë në vit mund të dilja në qytët, më mbante mbyllur.

Mirela Milori: Pse?

31-vjeçarja: Nga xhelozia e tepërt, pastaj kaloi në depresion.

Mirela Milori: Si fillove ta menaxhoje situatën, ta merrje nën kontroll?

31-vjeçarja: Nuk kam dashur t’i tregoj askujt për mos t’i shqetësuar, vetëm pas 5 vitesh kam folur kur linda djalin e dytë. Gjatë këtyre 5 viteve, kam duruar dhunë, më mbante mbyllur në një dhomë, mbante gjëra të mprehta në dhomë, me shumë frikë rija.

Mirela Milori: Si e kishe marrëdhënien me ish-vjehrrën?

31-vjeçarja: Në fillim mirë, por kohët e fundit nuk po më mbështeste.

Mirela Milori: E kuptonte ajo që djali i saj nuk ishte mirë nga gjendja mendore?

31-vjeçarja: E kuptonte, por nuk më mbështeste. Ai merrte kurime por nuk i bënin efekt. Ka qenë edhe i shtruar në psikiatri në Tiranë dhe Elbasan, por prap nuk po e kalonte.

Mirela Milori: Pas lindjes së djalit të dytë a u përmirësuan gjërat?

31-vjeçarja: Jo vazhduan njësoj dhe më keq. Kur kam pasur dy djemtë, kam ikur një herë dhe u ktheva tek njerëzit e mi. Erdhi aty tha nuk do bëj më, do ndryshoj dhe thashë po i jap një shans dhe u ktheva. Nuk zgjati as dy tre ditë dhe filloi prap.

Mirela Milori: Pasi u ktheve sa qëndrove me të?

31-vjeçarja: Kam bërë dhe dy fëmijë të tjerë me të, pastaj u largova, kam qenë në një qendër sociale në Tiranë. Kam qëndruar 15 vite me të.

Mirela Milori: Pse solle në jetë 4 fëmije dhe qëndrove 15 vite me të kur e pe situatën?

31-vjeçarja: Me shpresën hajde se po ndryshon. Sado që më torturonte prap më vinte keq kur e shihja në atë gjendje. /tvklan.al