Nata e parë e edicionit të 20-të të “Këngës Magjike” startoi ndryshe nga herët e tjera. Pa një sigël hyrëse Ardit Gjebrea në gjysëm errësirë pyeti një vajzë për emrin dhe ditëlindjen që përkonte saktësisht me edicionin e parë të “Këngës Magjike”.

19 fëmijë dhe të rinj të lindur përkatësisht në datat dhe vitet kur është zhvilluar “Kënga Magjike” 1999- 2017 ishin të pranishëm në hapjen e edicionit të 20-të të festivalit.

Ardit Gjebrea në prezantimin që bëri për secilin prej tyre tregoi detaje apo risi që do të mbahen mend gjatë për 19 edicionet e kaluara.

“Do ju tregoj një histori. Kam këtu disa dëshmitarë që kombinimi i kodeve jetike të botës që ne e quajmë fat, bëjnë që ata të jenë dëshmitarë të kësaj historie”.

14 Tetor 1999- Në këtë ditë ka ardhur në jetë dhe “Kënga Magjike”. Në atë kohë nuk ekzistonte asnjë kompeticion tjetër veç Festivalit të Radio Televizionit Shqiptar dhe çfarë të krijonim, një garë këngësh apo një garë interpretimi artistësh? Si do ta kishte emrin? U mblodhëm 30 artistë dhe vendosëm të krijonim një festival alternativ në formë show. Emri, “Kënga Magjike”. Në vitin e parë dolëm Live, donim të tregonim “dhëmbët” që në fillim.

20 Shtator 2000- Kur lindi festivali i dytë i “Kënga Magjike” dhe viti i dytë ishte me gjysmat e këngëve Live, kush të donte do këndonte Live, kush nuk dëshironte, ishte me playback. E pranishme si kryetare e jurisë ka qenë Nexhmije Pagarusha.

 11 Tetor të vitit 2001– Ishte dita e parë e vitit të tretë të “Kënga Magjike”, vlonin performancat ku lindi epoka e playback.

21 Nëntor 2002 -“Kënga Magjike” mbushi 4 vjeç. Për herë të parë ishte një prezantuese e huaj dhe ajo ishte Natalia Estrada, e cila ishte prezantuese për 2 vite rresht.

22 Nëntor 2003 -Një dashuri e re televizive lindi atë vit, dhe ishte Televizioni Klan dhe vijon dhe sot të jetë 15 vjeç.

21 Janar 2004- Për herë të parë “Kënga Magjike” u spostua në Prishtinë. Në natën finale vjen një telefonatë anonime, alarm për bombë. Binte borë dhe policia na ka nxjerrë të gjithëve dhe artistët jashtë, madje dhe me forcë. Artistët me rrobat e perfomancës u thanë se ftohti, 1 orë e gjysmë jashtë në borë dhe të gjithë thoshin se duhej anuluar festivali, por vendosëm për ta bërë.

11 Tetor 2005- Në natën e parë të “Këngës Magjike” të gjithë u surprizuan nga skenografia. Një ujëvarë binte gjatë gjithë kohës së festivalit 9 metra e lartë dhe 6 metra e gjërë.

17 Dhjetor 2006- Në natën finale këputa mish dhe pas skene kur dilja prej këtu ulërija nga dhimbjet, dhe kur dilja në skenë bëja sikur nuk kishte ndodhur asnjë gjë. Dhe tani nuk ka më pesha.

23 Nëntor 2007- Atë vit “Kënga Magjike” u transmetua për herë të parë në 6 televizione, e morën vesh të gjithë shqiptarët.

20 Nëntor 2008- Festivali ndryshoi tërësisht skenografinë, pasi e mori në dorë Gaetano Castelli që është edhe sot skenografi i “Këngës Magjike”.

19 Nëntor 2009- Votimet në “Kënga Magjike” kanë qenë të mbyllura dhe ishte viti i fundit.

18 Nëntor 2010- Në atë vit në “Kënga Magjike” filluan të deklaroheshin votat dhe nuk kishte më aleanca.

17 Nëntor 2011- Shqiptarët atë vit marroseshin pas “Gymyshit”, Songul Oden, e cila ishte prezantuese e atij viti dhe u përball me turmat.

8 Nëntor 2012- Atë vit “Kënga Magjike” u modernizua dhe mbushte 14 vjeç dhe atë vit dekori ndryshonte vazhdimisht.

22 Nëntor 2013- Atë vit prezantueset e festivalit “Kënga Magjike”, zgjidheshin në mënyrë të rastësishme.

11 Nëntor 2014- Në atë vit “Këngën Magjike” e “pushtuan” italianët. Ishte Anna Oxa,Pippo Baudo, Gaetano Castelli, etj.

3 Dhjetor 2015-  Në atë vit “Kënga Magjike” mori kthesën e madhe, të gjithë artistët këndonin live.

7 Dhjetor 2016- Në atë vit u shtua kategoria “New Artist” dhe për këtë kategori duhet pune dhe mund.

6 Dhjetor 2017- Në këtë vit ishte nata e parë e festivalit të 19- të të “Kënga Magjike” dhe e veçanta ishte pjesëmarrja e këngëtarëve të huaj nga Italia dhe fituesi i New Artist ishte një shqiptar që erdhi nga Australi.

I fundit ishte një zotëri, i cili u bë baba për herë të dytë pikërisht sot (5 Dhjetor 2018). Vajza e tij quhet Ebi.

/tvklan.al