Një aksident i rëndë automobilistik në Turqi orët e para të mëngjesit të së dielës shkaktoi vdekjen e të paktën 22 emigrantëve dhe plagosjen e 13 të tjerëve, në mesin e të cilëve shumë fëmijë.

Një kamion me emigrantë që udhëtonte nga Provinca e Aydinit për në portin e Izmirit, doli nga rruga duke rënë në një kanal me ujë. Rruga e shpresës përfundoi tragjikisht për emigrantët.

Media turke raporton se pas këtij aksidenti qëndron një e vërtetë e hidhur.  Shoferi i kamionit që u rrëzua në një kanal me ujë, Mustafa Yilmaz rezultoi se ishte me precedente të mëparshëm penalë dhe nuk kishte lejen e duhur të drejtimit për mjetin e mbushur me emigrantë. Ai kishte një patentë të Klasit B dhe jo patentë të përshtatshme për kamionë. 35-vjeçari shkroi me dy këmbë të thyera dhe plagë të tjera në spital.

Mjekët thanë për median turke se shoferi i kishte gënjyer. Pasi kishte mbërritur në urgjencë me një taksi, Mustafa Yilmaz u tha mjekëve se kishte rënë nga lartësia.

Pasi policia provoi se ishte shoferi i kamionit të rrëzuar, Yilmaz tha se kishte humbur kontrollin e mjetit me emigrantë pasi nuk i kishin punuar frenat, ndërkohë që përballë po vinte një tjetër makinë.

/tvklan.al